Home / Kryeartikull / Tragjedia greke e gjermanes Merkel

Tragjedia greke e gjermanes Merkel

MONIKA SHOSHORI STAFA

Mbetet një princip fondamental i politikës së jashtme gjermane se bisedimet dhe vetëm ato janë mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet diplomatike. Kjo ka qenë dhe diviza e deklaratës së këtyre ditëve të kancelares Merkel, lidhur me atë që po ndodh sot në Greqi. Porta është e hapur për bisedime, tha Merkel, por programi ynë i mbështetjes përfundon në mesnatë. Dhe ka përfunduar megjithëse Cipras bëri një kthesë 180 gradë. Megjithëse kjo situatë e largon vëmendjen nga sëmundjet e vjetra të Ballkanit, gjermanët të cilët edhe ata kanë probleme me BE-në, po tregojnë se kanë energji të merren me të, gjithsesi.

***

Ai ka qenë gjithmonë një njeri i së majtës. Hyri në politikë me mbështetjen e Partisë Komuniste gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2002. Gjatë fushatës së tij kishte premtuar çlirimin e vendit nga një statusquo konservatore që e kish futur Greqinë, nën një errësirë të plotë. Erdhi në pushtet me kalin e betejës, si shumë nacionalistë të tjerë në Ballkan, korrupsionin e paraardhësit të tij. Në vitin 2010, i fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Selanik, qytetin e themeluar nga hebrenjtë e degdisur nga Spanja e shek. XV, vetëm me 300 vota më shumë ndaj rivalit të tij. Refuzoi me forcë limuzinën e shtrenjtë të paraardhësit të tij dhe u pa shumë shpejt të lëvizte me një biçikletë. Si për të treguar karakterin e rij rebel në asnjë dalje publike, nuk mbajti kurrë një kravatë. Në vitin 2014, u rizgjodh kryetar bashkie i Selanikut, me një diferencë më shumë se të ngopshme votash. I lindur në vitin 1974, Aleksis Cipras, Kryeministri i ri i Greqisë dhe lider i Syrizas, koalicionit të së majtës radikale përshkruhet si një lider karizmatik, jokonvencional dhe sigurisht brenda një krenarie laike e të etur për të shkelur tabu e për t’u kthyer në heronj të një Greqie moderne.

Por kur qeveria e këtij njeriu duket se ka dështuar tërësisht ballë Europës që fryn ende dallgë stuhish lirie prej Berlinit e tutje në lindje sigurisht kjo nuk don të thotë se e vetmja alternativë në Greqi janë neo-nazistët e Agimit të Artë. Janë ata grekë pro-europianë dhe të tjerë që i pranojnë reformat, të cilët presin t’u dëgjohet zëri i tyre. Dhe do të jetë ky krah i mbarë i vullnetit të mirë europian nëse ajo do të vazhdonte seriozisht reformat, natyrisht pa fajësuar forcat jashtë për problemet e saj të brendshme. Por kjo tanimë s’ka shumë rëndësi. Greqia ndodhet para një kolapsi që prej shembjes homerike të legjendave të saj herkuliane.

Imagjinoni sikur në një nga këto ditë, Kryeministri grek, Cipras, i majti pa kravatë të fliste në këtë mënyrë në Athinë, Berlin, Selanik, apo dhe në Bruksel, Riga, Vilnius, Varshavë e Bratislavë: “Si ju të gjithë e dimë, që Greqia po kalon një krizë torturuese financiare. Në këto kushte ne kemi nevojë për një sens të përbashkët arsyetimi e dashamirësie ….”.

Duke thirrur një referendum në datën 5 korrik mbi atë se nëse Greqia duhet të pranojë kushtet e fundit të kreditorëve të saj ndërkombëtare në këmbim të marrjes së kredive të reja, Kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka vënë në diskutim me shumë gjasë të ardhmen e gjithë Europës. Lajmi mbi referendumin erdhi pas një samiti të ashpër të BE-së në datat 25-26 qershor. Nuk është ekzagjerim të thuhet se BE-ja po përballet me krizën më të rëndë që kur unioni u themelua në vitin e largët 1957. E që atëherë, Europa le të themi se është përballur me shumë kriza. Lufta e përgjakshme civile në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990 ekspozoi paaftësinë e saj për të menduar dhe për të vepruar në mënyrë strategjike. Pavarësisht këtij konflikti të gjatë, BE-ja ka bërë pak progres në zhvillimin e një politike bindëse në fushën e sigurisë, mbrojtjes, por dhe politikën e jashtme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia në mars të 2014-s dhe pushtimi i Ukrainës Lindore po nga ariu i bardhë e shkundi BE, por jo aq mjaftueshëm për të ecur përpara me një politikë të paepur mbrojtjeje e sigurie. Sa u përket sulmeve terroriste gjatë këtij viti në Francë dhe vende të tjera europiane nga shteti i vetorganizuar islamik dhe mbështetësve të tij, këto akte duhet të kenë bindur padyshim të gjitha vendet anëtare të BE-së mbi nevojën për të bashkëpunuar më ngushtë në çështjet e inteligjencës, sigurisë dhe integrimit. Zyrtarët e sigurisë thonë se bashkëpunimi është përmirësuar, por ende është shumë larg asaj për të shquar kërcënimet reale me të cilat po përballet Europa. Por tani kjo është kriza greke, ose si po quhet në tryezat europiane, Grexit, një tragjedi krejtësisht vendase, me potencialin ta ribëjë ose ta thyejë Europën. Kjo krizë duket se ndër të tjera ka të bëjë me legjitimitetin dhe të ardhmen e monedhës së përbashkët europiane. Mbi të gjitha, ka të bëjë me aftësinë e Europës për të lëvizur më shpejt drejt integrimit politik dhe ekonomik. Dhe pa këto të dyja, ambicia e Europës për t’u kthyer në një lojtar të vërtetë me përmasa globale do të katandiset në asgjë. Edhe pse Greqia ka një ekonomi të vogël, kriza atje ka ekspozuar ndjeshmëritë e dobëta të vendeve të Eurozonës dhe paaftësinë e elitave politike greke për t’i kapur reformat “nga brirët”.

Në një afat të gjatë, negociatat mes Greqisë dhe kreditorëve të saj ndërkombëtare, që përbëhen nga Banka Qendrore Europiane, Komisioni Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, kishin si qëllim ta bënin Greqinë një vend konkurrues në tregun europian fillimisht. Padyshim, ndikimi i masave të ashpra që janë marrë në Greqi të kërkuara në këmbim të paketave të mëparshme të shpëtimit kanë qenë me të vërtetë të mjerueshme, sidomos për të moshuarit dhe klasën e mesme e jo për oligarkët e Greqisë dhe të kamurit e saj. Bashkimi Europian sigurisht nuk është pa faj në këtë mes. Edhe pse liderët e shteteve të tjera të Eurozonës e dinin se ekonomia greke ishte larg nga të qenët e gatshme për të hequr dhrahminë në vitin 2001, ata bënë një sy qorr dhe e lejuan Athinën të adaptojë euron. E gjithë kjo në vazhdim pa dyshim u erdhi kaq shumë e përshtatshme të gjithëve, derisa gjatë orëve dhe ditëve të mëpasshme, kriza u trasferua deri te kancelarja Angela Merkel. Është kjo dhe ministri i saj i financave Wolfgang Schäuble të cilët insistuan që Greqia të zbatojë një program reformash për të transformuar ekonominë jofunksionale të vendit në një fytyrë tjetër më transparente dhe konkurruese.

E ndershme a jo, një gjë është e sigurt tanimë, se Merkel duket se ka rolin më të palakmueshëm në përcaktimin e fatit të Greqisë por dhe të Europës në vazhdim. Për shkak se Merkel në shumë raste në fjalimet e saj e lidhte të ardhmen e Eurozonës (dhe anëtarësimin e Greqisë në të) me të ardhmen e Europës, Cipras nuk e kish harruar faktin se ajo nuk do ta lejonte Greqinë të mos plotësonte zotimet e veta. Ky perceptim i Merkel tregon shumë rreth mënyrës së të bërit politikë nga ana e saj dhe rolit që Gjermania ka sot në Europë. Kujtojmë këtu se është Merkel, ajo, e cila ka dashur të merret me krizën e Ukrainës dhe të mbikëqyrte të ashtuquajturën marrëveshje “Minsk II” për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainën Lindore, një marrëveshje që ajo e negocioi në shkurt të 2015-s mes Ukrainës dhe Rusisë. Është po ajo e cila ka ushtruar presion të shtyjë në kohë sanksionet e të gjitha shteteve europiane (27 anëtaret e BE-së) ndaj Rusisë, një detyrë jo fort e lehtë, duke pasur parasysh dyshimet që vinin prej Greqisë, Sllovakisë, Hungarisë, Republikës Çeke dhe Italisë. Dhe së fundi është po kjo Merkel që i duhet të merret dhe me krizën greke. Edhe pse ka folur shumë për të dhe është takuar me Cipras shumë herë ishte shpresuar, madje edhe menduar që Merkel kish fituar një shkallë besimi ndaj këtij udhëheqësi të ri të krahut të majtë, ashtu si dhe kish bërë me liderë të tjerë të Ballkanit. Cipras u katapultua në krye të shtetit në janar të 2015-s me premtimin e vetëm se do t’u jepte fund masave shtrënguese greke. Tani, gjashtë muaj më vonë, Athina qartazi duket se ka bërë hapa prapa dhe jo përpara. Por jo vetëm kaq. Greqia tani përbën një rrezik për sigurinë e BE-së për shkak të dëmtimit që vendi mund t’i bëjë euros nëse ajo nuk mban zotimet e veta. Një mosplotësim i kontratës që ajo ka me Europën apo një dalje e plotë nga Eurozona do të përbëjë gjithashtu një rrezik për demokracinë e vendit, ku populistët dhe ultranacionalistët që nga ky moment mund të fitojnë epërsi të rrezikshme. Dhe një shkelje tjetër zotimesh dhe nuk do të jetë një peshë e rëndë kjo krizë vetëm për Greqinë vetë por do të përbëjë dhe një kërcënim për rajonin e Ballkanit. Stabiliteti i humbur i saj madje pritet të rrezikojë bisedimet e ardhshme mbi ndarjen e Qipros por, mbi të gjitha, ekonomitë dhe demokracitë e brishta ballkanike përfshi dhe Shqipërinë. Ndaj nuk është aspak çudi që presidenti amerikan Barak Obama i telefonoi Merkelit aty nga mbrëmja e 28 qershorit mbi Greqinë dhe planin e saj të masave. Nuk është po aq çudi që Jack Lew, sekretari amerikan i Thesarit, i telefonoi Aleks Ciprasit po ashtu. Kriza greke është bërë një çështje e madhe e sigurisë për Europën dhe Shtetet e Bashkuara. I takon Merkelit si atëherë Theçerit në fillimvitet ’80, të gjejë një mënyrë inteligjente për t’ia dalë.

4 comments

  1. tironsi/gjermani

    E nderuara zonja Shoshori Stafa,

    tragjedia Greke nuk eshte ne asnje lloj menyre veper e Kanzelares gjermane zonjes Dr. Merkel, as e shtetit Gjerman , EU apo USA etj..
    Roli i faktoreve te jashtem ne kete tragjedi eshte dicka e dores se fundit.
    Mua me vjen keq per vellezerit tane Greke ( mbi 70% e tyre s`kane lexuar nje liber nga fillimi der ne fund ne gjithe jeten e tyre) behen pre e demagogjse marksiste te atyre qe drejtojne sot vendin.
    Fajin per kete gjendje (Histori e vjeter) sigurisht qe s`e ka Tsipras & Co., por te zgjedhesh Ujkun te ruaj Delet ne keto kohera te veshtira kjo nuk eshte vertet zgjidhja me inteligjente ne Historine e Greqise.
    Eshte e drejta e detyra e popullit Grek t`ia tregoje vendin Politikaneve te tyre pelivane qe po cudisin Boten mbare me enderat e tyre.
    Le te presim te djelen me shpresen se te pakten tani Greket do te dine ta vene Kryqin ne kutin e duhur.

  2. Me keqardhje pashe se artikulli i znj. Stafa eshte thjesht nje plagjiature e dy artikujve te tjere te cilet per me teper jane edhe te mos-kuptuar nga autorja pasi Cipras NUK ka qene kurre Kryetar i Bashkise se Selanikut.
    Sic eshte permenduar me drejte shume here nga grupi juaj mediatik ( dhe sic eshte ne vertete) plagjiatura dhe shkelja e te drejtave te autorit eshte thjesht VJEDHJE.
    Return to Europe: The good news from Greece – Can Thessaloniki point the way?
    ERSTE Stiftung
    si edhe kryesisht nga Newsweek:
    It Is Up to Merkel to Avoid a Grexit

  3. Monika  ke deri diku te drejte per rolin e Gjermanise, por ne rastin grek, problem eshte se nuk mund ti japin me para Greqise  vendet e tjera te euros pa bere per para me masat reformuese ne ekonomi, nuk I lene me vendet e tyre me dhene parakot tek greqia.Ato pare qe jepen jane prodhim I vendeve te tjera,

  4. Aleksis Cipras dhe  Greqia është ai udhëheqës që po trondit,botën Europiane dhe Euron e deshtuar të saj.Sot Europa është në krizë identiteti të plotë,e drehtuar nga kancelarja gjermanolindore Merkel dhe nga”sakati i europes Wolfgang Schäuble” Sot shtrohet pyetja: Europa do hyje në Gjermani apo Gjermania po hyn në Europë.Atë që nuk arriti ta bëjë Hitleri me nazitët për pushtimin e Europës,po e bën Gjermania me anën ekonomike duke i pushtuar ekonomikisht këto vënde. greqia pra është viktima e parë e pushtimit ekonomik gjerman,pas saj i vjen radha italise spanjëles portugalise dhe e fundit francës.Këtu qëndron dilema.

     

Leave a Reply to tironsi/gjermani Cancel reply

Your email address will not be published.