Home / Arte / Teater / Kur grisnim letrat e spektatorëve

Kur grisnim letrat e spektatorëve

Jeta në foto

Aktorja e njohur, Drita Pelingu, vjen përmes copëza kujtimesh të mbetura në foto

Drita Pelingut i pëlqente të shkruante. Prej vitesh ajo hidhte në ditar ngjarjet e jetës së saj. Të shkruara me pasionin e një gruaje të frymëzuar gjithnjë nga e bukura, rrëfimet e Pelingut do ishin jo vetëm një rrugëtim në jetën e një personazhi të rëndësishëm të teatrit shqiptar, por dhe një rrëfim për historinë e teatrit tonë. Kjo, pasi Pelingu i përket brezit të parë të aktorëve që ndoqën studimet në Akademinë e Lartë të Arteve, dhe do të krijonin trupën që do të mbante gjallë për gjysmëshekulli përgjatë soc-realizmit teatrin shqiptar. Në rubrikën “Jeta në foto” ne kemi zgjedhur një kolazh fotosh që nisin nga koha kur ajo hyri në shkollën dramatike në vitin 1945, për të vijuar me shfaqje që do të bënin histori në teatër, përkrah aktorëve të njohur si Naim Frashëri, Kadri Roshi, Prokop Mima etj., të shoqëruara nga ndjesi të vetë aktores në atë periudhë…

“Që nga fillimi deri në fund, rolet e mia kanë qenë ose role vajzash dashnore, ose role grash me botë të madhe të brendshme, me shpërthime të fuqishme dhe të gjitha këto kanë bërë që unë të kujdesem për trupin tim, për fizikun, flokët, gjithçka që kërkonin këto role”.

Në një piknik familjar kisha ngrënë hudhra të njoma. Në mbrëmje ishte shfaqja “Mikroborgjezët”. Hyj në skenë dhe vërsulem tek “i dashuri”…i mrekullueshmi Prokop Mima. Por…dy duart e tij u ngritën dhe më vërvitën tutje! “Nuk hahen hudhra kur ke shfaqje!”. Gjithë rolin e përfundova me lot në sy. Isha 22 vjeçe!”

“Sa herë kisha premierë, partneri im i roleve të dashurisë Naim Frashëri, vendoste në kabinën time një buqetë me lule fushe, të mbledhur në rrethinat e Tiranës, që atëherë ishte e gjelbëruar”.

“Edhe jashtë provave Luiza ime më ndiqte nga pas, ajo çdo ditë e më tepër futej në veten time dhe më dukej sikur më fisnikëronte. Shpesh më prishte gjumin e natës dhe më thoshte: “Mos më harro, të mos të harroj!”. Dhe unë ngrihesha pa zhurmë, që të mos shqetësoja familjen, shkoja në kuzhinë e qëndroja mbi tavolinë, përmbys mbi tekstin me laps në dorë deri në orët e para të mëngjesit…”.

“I çuditshmi, Kadri Roshi, Nihal Hanëm-Drita Pelingu. Ishte një dhuratë befasuese. Sapo dola nga një kryerol, m’u afrua një tjetër premierë. Ishte një antipod i Luiza Miller. Ndërsa ajo ishte një dashnore romantike. Nihal Hanëm ishte grua praktike e jetës, që thoshte jeta pa para nuk ka…”

“…emocionet e rolit të Zojcikës te një pjesë e shkruar nga klasiku i madh rumun, Kataxhale ku interpretoja e vetme mes 22 meshkujsh. Njëra nga shfaqjet u ndoq edhe nga personeli i ambasadës rumune dhe u vlerësua tepër. Një zonjë diplomate, hoqi një trëndafil nga fustani i saj dhe e vendosi te fustani im dekolte”

“Dhjetor 1944. Regjisori i atëhershëm, Sokrat Mio, i diplomuar në Francë dhe asistenti i tij, Andrea Pano, kërkonin studentë për shkollën e parë dramatike. Isha studente e shkollës pedagogjike dhe lajmi më tërhoqi vëmendjen. Me familjen nuk mund ta bisedoja. U paraqita pa i thënë asaj dhe fitova. Fitova konkursin dhe isha e vetmja vajzë me djemtë e talentuar si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, Prokop Mima etj. Për një kohë të gjatë i ndoqa studimet duke u justifikuar se po shkoja te një shoqe. Sidoqoftë, Tirana ishte e vogël dhe kjo gjë u zbulua. Më 1946 u fejova dhe burri më dha lejen për të vazhduar shkollën dhe teatrin…”

“Të lozje me Naim Frashërin nuk ishte vetëm fat, por lumturi. Forca sugjestionuese e syve të tij të trondiste. Ishte partneri im, kryesor, por jo vetëm partner, por edhe shok e mik i familjes. E shoqja Violeta dhe Hyseni ishin kolegë në Teatrin e Operës. Pas duartrokitjeve spektatorët na fusnin në dorë shumë letra. Ne i lexonim të katërt dhe i grisnim. Kishim frikë t’i mbanim. Kështu ne grisëm kujtesën tonë, pasi ato ishin dokumente shumë të rëndësishme.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.