Te ndryshme

Koreja e Veriut: Pianisti që u hetua për melodinë e gabuar

Cheol-woongu u ul në pianon e tij në vitin 2001 për të praktikuar një pjesë muzikore që do ta luante kur t’i propozonte së dashurës. Të njohur që në fëmijëri në moshën 8-vjeçare, ata kishin filluar të mësonin pianon së bashku.

Ishte një baladë “A Comme Amour” nga Richard Clayderman – melankolike dhe jo për shijet e gjithkujt, vetëm në Korenë e Veriut mund të ishte e rrezikshme ta luaje në shtëpi. Dikush që kaloi aty pranë dëgjoi muzikë franceze dhe raportoi te departamenti i sigurisë së shtetit.

“Nuk e dija se të luaje një muzikë të ndaluar mund të ishte aq e rrezikshme”, – thotë Cheol-woong. Ai e zbuloi së shpejti.

“Kur e dëgjove për herë të parë muzikën? Si u ndjeve kur e dëgjove? Kujt ia ke luajtur këtë këngë më parë?”, e pyetën oficerët në një seancë hetimore që zgjati për disa orë.

Cheol-woongi shpjegoi se e kishte dëgjuar kur studionte në Rusi. Ai e kishte pëlqyer dhe mësuar, që t’ia luante së dashurës kur të kthehej në shtëpi.

Talenti i tij si pianist ishte pikasur që herët dhe pas diplomimit në muzikën klasike në një universitet elitë në vend, ai ishte lejuar të vazhdonte studimet në konservatorin prestigjioz të Moskës.

I ulur në kafetë e kryeqytetit rus për herë të parë dëgjoi xhaz dhe u mahnit.

Cheol-woong u detyrua të hartonte një falje me shkrim prej 10 faqesh për llojin e gabuar të muzikës që luajti – gjë që, sipas tij, ishte absurde.

Ai thotë se për shkak se vinte nga një familje e fuqishme i shpëtoi ndëshkimit të mëtejshëm, por eksperienca e bëri të mendonte shumë rreth vendit ku jetonte.

“Kur isha në Moskë, shumë njerëz e kritikonin ashpër Korenë e Veriut por unë ndihesha patriot kur isha jashtë. Mendoja se çfarëdo që të thoshin nuk do më prekte, do bëja më të mirën time për t’i shërbyer vendit, do isha besnik dhe do ta shpëtoja atë me aftësinë time muzikore”.

Fillova të kuptoj se duhej të sakrifikoja shumë gjëra për të jetuar si pianist në Korenë e Veriut dhe u zhgënjeva. Kalova tre ditë në agoni duke menduar nëse duhej t’ia mbathja nga vendi im apo jo.

Në fund ai vendosi të largohej. Megjithëse ishte i shqetësuar nëse do t’i sillte pasoja familjes, ai besonte se ata do ta kuptonin dhe mbështesnin vendimin e tij.

U largua duke lënë një shënim për të dashurën ku i thoshte të mos e priste. Gjithashtu nuk i tha kurrë lamtumirë.

“Nuk ishte e mundur të flisje me askënd për arrati, ndaj u përgatita vetë. I thashë vetes se, nëse kaloja lumin Tumen, atëherë do të isha i lirë për të shkuar në Kinë. U drejtova për në lum”.

Duke udhëtuar i vetëm me 2000 dollarë ai mbërriti në lum në mes të natës. “Isha shumë i frikësuar. Pashë përreth dhe u enda vërdallë për të kuptuar si do ta kaloja. Më pas, ushtria më zbuloi dhe më vuri në shënjestër. Duart lart, – më thanë”, – tregon ai.

Ngrita duart lart por pastaj u kujtova se kisha para. Ua dhashë atyre dhe më ndihmuan të kaloj për në Kinë.

Cheol-woong u drejtua për në një fshat të vogël. “U thashë banorëve se mund të luaja muzikë. Por ata më thanë se duhej të punoja pasi piano nuk u interesonte. I ndihmova në punët e fermës. Ishte kohë e vështirë për mua, isha i lodhur, i uritur dhe kisha ftohtë”.

Ndërsa punonte në një mulli, ai u takua me një tjetër koreanoverior i cili e drejtoi te një kishë aty pranë, e cila kishte një piano. Ishte e vjetër dhe nuk punonte mirë, por atij iu ngroh zemra.

“Kur luajta sërish në piano, isha shumë i emocionuar, shumë i prekur”, – thotë ai.

Cheol-woong u bë pianisti i rregullt i kishës, duke i bërë përshtypje kujtdo me aftësitë e tij. Ai u shtir si koreanojugor e që nuk dinte mirë gjuhën kineze.

Një vit pasi la vendin e tij, mori një pasaportë të falsifikuar të Koresë së Veriut dhe shkoi në Seul për të filluar një jetë të re.

Ai u martua, ndërtoi një familje dhe pati një karrierë të suksesshme si pianist koncertesh, duke performuar kudo në botë dhe gjithashtu filloi një organizatë bamirësie për të ndihmuar të gjithë fëmijët që largoheshin nga Koreja e Veriut.

Së fundmi, ai krijoi orkestrën e tij të cilën shpreson që ta përfshijë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike 2018 në Korenë e Jugut.

Ai ende luan melodinë “A Comme Amour” të Richard Clayderman. Ish e dashura e tij është martuar tanimë me një aktor.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button