Home / Arte / Film / Ballkani i vështirë i të rinjve

Ballkani i vështirë i të rinjve

“Mishmash”

Katër filma realizohen përgjatë një jave në qytetin e Pogradecit

Mary Marinopoulou ka udhëtuar nga Greqia për të qenë pjesë e “Mishmash”, një program i ri brenda “Ballkan Film Festival”, i cili u dha mundësi katër regjisorëve të rinj të realizojnë një prodhim të shkurtër kinematografik gjatë ditëve të festivalit. Regjisorja e re greke, udhëtoi drejt Pogradecit me skenarin e hedhur në fletë, kohë para se të mësonte për këtë projekt. “Kam bërë një film për jetën time, unë luaj letra dhe nuk mund të jetoj pa lojën”, thotë ajo në barin e hotelit ku ka qendër këtë javë dhe ku realizoi pjesën më të madhe të xhirimeve. Është historia e një gruaje të re, e pamotivuar për të dalë nga bota e saj, brenda mureve të shtëpisë, por që brenda saj ka një ëndërr. Janë letrat e bixhozit ato që e nxisin atë për një jetë të re…Mary thotë se i ka vendosur letrat si një element i cili nxit vazhdimin. Asaj i pëlqen kinemaja që flet përmes detajeve. “Letrat janë të rëndësishme në jetën time, pasi i shoh si një formë përmes së cilës mund të kaloj në një tjetër dimension. Unë ia dhashë letrat një gruaje të re, për të ndryshuar jetën e saj…”, thotë ajo. Qëllimi i kinemasë nuk është vetëm të tregojë, por dhe të na mësojë të ndryshojmë. Ka shumë dëshpërim në filmat që ajo ka parë gjatë ditëve të këtij eventi, që ngjasojnë me personazhin që ajo zgjodhi për ta ngjizur në filmin e saj. Mary thotë se ky qytet është jo vetëm i bukur dhe intim, por dhe frymëzues për të krijuar. “Kam parë shumë vende këto ditë, për të vendosur ngjarjet dhe jam mahnitur. Do kthehem sërish këtu”, thotë ajo. E diplomuar për kinematografi, Mary Marinopoulou, thotë se jeta e saj nuk ndryshon shumë nga ajo e artistëve të rinj të moshës së saj, të cilët janë gjithnjë në sfidë për të ndërtuar ëndrrën e tyre. Në kushtet e një tregu që ofron shumë pak, dhe kur mundësitë për të prodhuar ngushtohen, ajo e quan pozitive këtë iniciativë të “Ballkan Film Festival”, që i dha mundësinë asaj të bëjë një tjetër film. Nerta Veliu ishte një tjetër regjisore e re, shqiptare e cila gjatë këtyre ditëve realizoi një film. Historia e saj bazohej në jetën e një vajze, Enxhit, e cila pavarësisht vështirësive kërkon ta bëjë të bukur ditën e martesës së saj. E veshur me vello, ajo i jep më shumë kuptim kësaj dite në këtë qytet. Ndërsa artisti Mehmet Selxuk Bilge, ndërtoi këto ditë historinë e një gruaje në moshë që në momente dëshpërimi, vendos të kryejë një vetëvrasje. Por litari këputet dhe asaj i duhet të vazhdojë jetën sikur asgjë nuk ka ndodhur. Bilge donte të bënte një film për vazhdimin, duke e parë dëshpërimin thjesht si një gjendje e cila nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Xhustin Kristian realizoi një film, për dashurinë dhe zhgënjimin. Një njohje e rastësishme, e cila ushqehet nga ndjenja dhe shkatërrohet nga gënjeshtra. Filmat e realizuar gjatë kësaj jave u prezantuan ditën e fundit të Festivalit. Ata u xhiruan dhe u montuan pikërisht në dhomat e improvizuara si studio kinematografike në qytetin e Pogradecit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: