Home / Arte / Film / “Bota” shkon në garën për “Oskar”

“Bota” shkon në garën për “Oskar”

Duket se vjeshta po vjen e mbarë për filmin e dy regjisorëve Iris Elezi dhe Thomas Logoreci (bashkëshortë). Pas çmimit të madh tri ditë më parë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë që u mbajt në qytetin e Pogradecit, ky prodhim kinematografik është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në “Academy of Motion Picture, Arts and Sciences 2016”, në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e komisionit të Qendrës Kinematografike që me shumicë votash, i ka dhënë lejen “Botës” për të hyrë në garën e madhe që të çon drejt dyerve të çmimeve ‘Oskar’. “Hollywood reporter” shkruante dje se Shqipëria do të tregojë të shkuarën e saj përmes një historie tërheqëse dashurie. Filmi tregon historinë e Julit, vajzës të një ish të pushkatuare gjatë regjimit komunist, jetën e saj me gjyshen në zonën ku jetonin të persekutuarit. Fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në festivale të ndryshme që është shfaqur pas premierës, tashmë filmin “Bota” e pret një tjetër sfidë. Një vit më parë Shqipëria i tha jo konkurrimit në garën e madhe të ‘Oskar’, duke i quajtur të papërshtatshëm filmat që konkurruan për këtë garë, “Ada” me regji të Spartak Pecanit, dhe “Amsterdam Express” me regji të Fatmir Koçit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.