Home / Kryeartikull / Nga “Karl Marksi” te “Kurum”…

Nga “Karl Marksi” te “Kurum”…

Nga NDUE DEDAJ

 Lexuesi mund të habitet disi nga titulli i këtij shkrimi, se si mund të ndërlidhen emri i kryeideologut të marksizmit të dy shekujve më parë me atë të kompanisë turke të çelikut, që vepron në Shqipëri dhe në rrjetin hidroenergjetik.

Hidrocentrali i Ulzës, që mbante emrin “Karl Marksi” qysh nga 1957-a kur u ndërtua, vite më parë u pagëzua me emrin “Kurum” që lexohet në ballinën e portës hyrëse. Ky emër është dhe në tabelën, ku më parë shkruhej “Frederik Engels” në hidrocentralin tjetër mbi lumin Mat, atë të Shkopetit. Problemi nuk është tek emrat në vetvete të këtyre objekteve, por te lehtësia me të cilën ne i marrim gjërat e së kaluarës, më shumë duke i paragjykuar. Nëse duhej hequr patjetër emri i Marksit, atëherë mund të gjendej një emër vendës, ai i Kokë Malçit, që kishte dhe bekimin e Skënderbeut.

Pa ndonjë “fobi” për investitorët e huaj, përkundrazi duke e vlerësuar ndihmesën e tyre në kryerje investimesh themelore në vendin tonë, specialistët mendojnë se me koncesion nuk duhen dhënë veprat e gatshme, por vetëm ato që ndërtohen nga e para. Dihet që vepra të tilla historike kanë luajtur dhe një rol social në komunitet që sipërmarrësit e huaj jo gjithnjë e kryejnë.

E vërteta është se shumë herë, ne shqiptarët, me apo pa dashjen tonë, kemi vënë mbi krye të huajt, pa qenë nevoja. Ka filluar kjo me Princ Vidin që na e solli Europa me bindjen se ne nuk mund të vetëqeveriseshim, dhe pse vetë e shpallëm Pavarësinë dhe krijuam një qeveri shqiptare bukur të vlefshme. Po të mos ishin “ngatërresat ballkanike”, siç do t’i cilësonte Edith Durhami, ajo qeveri mund të kishte vazhduar të drejtonte me urtësi e diplomaci. Edhe pushtimi fashist deshi të na bënte peshqesh një tjetër mbret të huaj, Viktor Emanuelin, që e përshkoi sheshin “Skënderbej” me automobil, por pa mundur ta varte kurorën e mbretërisë italiane mbi qiellin e kryeqytetit shqiptar. Si me prenë e tyre u sollën dhe jugosllavët me Partinë Komuniste Shqiptare, duke e bërë ata ligjin nga krijimi i saj deri në vitin 1948, kur ndodhi prishja. E njëjta histori dhe me sovjetikët, ku bulevardi kryesor i Tiranës do të thirrej me emrin “Stalin”, krahas atij “Zhan D’Ark”, rrugës “Marsel Kashen” etj. Së voni do të kishim dhe të tjera rrugë me emra të huajsh të shquar, si “Princ Vidi” (në periferi pranë urës së Kamzës), “Don Bosko”, “George Bush” (i dytë) etj. Stalini do të ikte nga rruga ku kishte qëndruar për gjysmëshekulli, për t’u zëvendësuar me Mbretin Zogu I, si dhe Lenini nga hidrocentrali i Lanabregasit. Ra sistemi komunist i revolucionit, ndaj ata s’mund të rrinin më. Ndërkohë që i duhet vënë një rruge të kryeqytetit emri i të ndritshmit Stanisllav Zuber, gjeolog me famë botërore, që i dha aq shumë Shqipërisë në fushën e arit të zi, që diktatura e ktheu në martir.

Por a “shpëtoi” Shqipëria nga të huajt jo domosdoshmërisht të nevojshëm për një kohëqëndrim të gjatë mes nesh? Vështirë të thuash se po. Ka një çerek shekulli që kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është një i huaj, Anastas Janullatos, që, siç thuhet, “greqizoi kishat e ndërtuara pas ’90” dhe kur nuk ndihet mirë me kishën e Himarës e mban vrapin te Kryeministri grek. Të huaj janë prej shumë vitesh dhe disa ipeshkvij të Kishës Katolike, kur tashmë ka prelatë shqiptarë të zotët. Të huaj i kemi dhe trajnerët e futbollit, të dështuar apo të suksesshëm, dhe pse ne i kemi mësuar futbollin Kinës dhe kemi lojtarë të shquar me ekipet e huaja të kalibrit të Lorik Canës. Të kuptohemi, nuk jemi kundër pranisë së të huajve, përderisa rrojmë në një shoqëri të hapur. I pranojmë të tjerët, siç për vete krenohemi që kemi pasur shqiptarë si Pashko Vasa që kanë qeverisur Libanin, mbretër me origjinë shqiptare si Faruku i Egjiptit, pa folur për humanistë e artistë shqiptarë në zë në Europë e më tej. U ndihemi mirënjohës një vargu albanologësh europianë, klerikësh të huaj humanitarë që kryen vepra të pashoqe bamirësie ndër ne etj. Jo rastësisht Fulvio Cordignano, në vitin 1931 shkruante: “Shofim këtu në Shqypni se jo pak kush i ardhun prej kombeve të hueja asht ba shqyptar si shqiptarët”. Ky është njëlloj altari i shenjtë që na nderon ndërsjelltas dhe sa na përket neve do të duhej një libër nderi në Presidencë apo njëlloj panteoni në kryeqytet për kujtesën e tyre të çmuar.

Por kjo është njëra anë dhe tjetër është inferioriteti ndaj të huajve, përfshirë dhe ata të politikës ndërkombëtare, që kryejnë vëzhgime, mbajnë fjalime e japin rekomandime për politikanët tanë. Megjithatë, vjen një çast e dalin nga klishetë diplomatike. As “Krokodili” e as fjalimet e mbajtura në forumet e BE-së nuk kanë ngjitur në publikun dhe politikën shqiptare sa raporti “pa dashje” i OSBE-së për implikimin në afera të udhëheqësve më të lartë të vendit, pozitës dhe opozitës, ku më të pushtetshmit as morën mundimin të thoshin dy fjalë, ngaqë ai raport nuk ishte zyrtar. (?!) Nëse do të ishte folur troç e pa shumë “diplomaci” nga zyrat e larta euroatlantike prej kohësh në adresë të kupolës politike të Tiranës, zor se do të ishte lejuar që në organet tona të zgjedhura të hynin njerëz me rekorde kriminale, të bëhej një reformë territoriale gjysmake, të vihet në dyshim reforma për drejtësinë etj.

Ky vend është i varfër dhe nuk po zbatohen politika ekonomike për ta nxjerrë nga varfëria. Ky vërtet është problemi ynë i brendshëm, por pjesë e varfërimit në një mënyrë a në një tjetër bëhen dhe të huajt. Dhënia e pasurive kombëtare në përdorim e shfrytëzim për një kohë të gjatë atyre nuk e ka zbutur varfërinë. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” i është dhënë një kompanie të huaj që ka ekskluzivitetin e fluturimeve për njëzet vjet, që do të thotë se gjithë këtë kohë në Shqipëri nuk mund të konkurrojë asnjë aeroport tjetër dhe çmimet e biletave do të përcaktohen pa “tavan” nga kompania – sipas një investigimi televiziv, duke qenë më të lartat në rajon. Po kështu, kompanitë minerare të pasviteve ’90 nuk kanë investuar aspak nëntokë, por vetëm kanë numëruar vdekjet e minatorëve në galeri e puse. Ato i hapin dhe mbyllin punimet këtu kur të duan dhe si të duan. A nuk kemi shembullin e freskët të mbylljes këto ditë të fabrikës së bakrit në Fushë-Arrës nga kompania koncesionare, duke lënë 250 vetë pa punë? Një tjetër kompani e huaj ndërton hidrocentrale mbi Fanin e Madh, duke mos pasur kujdesin e mjaftueshëm për mjedisin, si me hedhjen e inerteve në brigjet e lumit, tharjen e shtratit të lumenjve etj. Doemos që do të ketë kompani të huaja që do të punojnë në Shqipëri, pasi shumë punë nuk i bëjmë dot vetë, ose i bëjmë keq, por është e nevojshme të ketë rregulla më të qarta loje mes palëve, kompanive të huaja dhe shtetit shqiptar, i cili nga nevoja për të thithur investime nuk mund të mos jetë ekzigjent në gjithçka që ka të bëjë me qytetarët e vet dhe resurset kombëtare.

Nga ana tjetër, një shteti nuk i ka hije të shtiret si i varfër përkundrejt taksapaguesve të tij, duke pritur që ata të “rimbursojnë” nga xhepi një pjesë të shpenzimeve publike që i përkasin atij vetë. Nuk mund të jesh “babaxhan” si shtet me bosët e mëdhenj të hidrokarbureve, barnave, pijeve alkoolike, duhanit etj., kompanitë ndërtuese e prodhuese dhe dorështrënguar me ata që e ke për detyrë t’u shërbesh: pacientëve të shtruar në spitalet publike që shtrëngohen t’i blejnë vetë ilaçet në farmaci, mësuesve që detyrohen ta blejnë vetë bojën e gëlqeren për lyerjen e klasave, inspektorëve që nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’ua fusin vetë naftën makinave me të cilat do të shkojnë për kontrolle… Kur qytetari nuk i përmbush detyrimet ndaj shtetit, atij i tregohet me të drejtë ligji, po kur shteti nuk i plotëson detyrimet ndaj qytetarit, kush e ndëshkon atë?

Ndaj nuk është thjesht punë emrash, “Karl Marks” apo “Kurum”? Është çështja e interesit publik dhe e prestigjit të shtetit shqiptar, për të qenë zot shtëpie, sipas të gjitha kërkesave dhe karareve bashkëkohore. Në raport me veten dhe me të tjerët që punojnë në Shqipëri në sipërmarrjen private.

Leave a Reply

Your email address will not be published.