Home / Keshilla / Çfarë të bëjmë kur fëmijët zgjedhin shoqërinë e gabuar?

Çfarë të bëjmë kur fëmijët zgjedhin shoqërinë e gabuar?

Kohët e fundit, e bija ka nisur t’i pijë duhan, pasi ashtu bëjnë edhe të gjitha shoqet e saj. Dhe djali kalon shumë orë të ditës te fqinji duke luajtur. Prindërit, në të tilla situata, fillon t’i brejë frika se mos fëmija e tyre ka zënë shoqëri të gabuar. Se mos ndikimi i atyre që sillen “ndryshe”, do t’i bëjë t’ua kthejnë shpinën shpejt rregullave që deri më tani vlenin gjerësisht në familje. “Para së gjithash, për të rinjtë, ata që i rrethojnë me të njëjtat sjellje, janë shumë të rëndësishëm”, thotë psikologu Andreas Engel nga Konferenca Federale për Këshillimin Edukativ (BKE). Por ndikimi i tyre fillimisht duket të jetë pozitiv. “Është e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve të shohin përtej horizontit të familjes. Kontakti me shokët i ndihmon fëmijët të gjejnë vendin e tyre në shoqëri”, thotë ai.

Sa më shumë të rriten fëmijët, aq më e madhe është vlera e pesha e shokëve rreth tyre. “Në kopsht, shoqëria do të thotë para së gjithash bashkësi fizike: shokët e shoqet janë fëmijët, me të cilët ai kalon shumë kohë”, shpjegon Marion Pothmann, psikoterapiste për fëmijët dhe të rinjtë në Hamburg, e njëkohësisht edhe autore e librit me titull: “Fëmijët duan shoqëri”. Sot, ai mund të jetë – le të themi – Maksi, e nesër do të jetë Ana. Qysh nga mosha e shkollës fillore, interesat e ngjashme nisin e dalin më fort në pah. Maksi dhe Ana shohin tashmë më qartë se me cilin duan të shoqërohen.

Arritja e parë shoqërore

Fëmijët në moshën e shkollës fillore i menaxhojnë shoqëritë e tyre në mënyrë të pavarur. Jo prindërit, por fëmijët janë ata të cilët i vendosin takimet e oraret për të luajtur, duke marrë mbi vete gjithnjë e më shumë përgjegjësi në dorë. “Të lidhësh shoqëri do të thotë, të njohësh e zhbirilosh më mirë njerëzit”, thotë Maria von Salisch, profesoreshë për psikologjinë zhvillimore në Universitetin e Lyneburgut: “Në fillim bie në sy me diferencat e jashtme që ka me tjetrin, kërkon më pas për ngjashmëri, e njëkohësisht, sheh për alternativat që e rrethojnë”. Ky është dhe rezultati i parë social jashtë hapësirës së mbrojtur që i siguron familja. Sa më shumë që rritet fëmija, aq më pak luan ai me shokët e shoqet në shtëpinë e prindërve. Të rinjtë takohen në qytet, në klube sportive, komunikojnë me smartphone – shokët bëhen papritur një dimension i panjohur për prindërit. Kush prej tyre gërmon me kureshtje se ç’po ndodh (duke pyetur: Ore, çfarë bëni ju atje gjithë kohën bashkë?), rrallë merr një përgjigje të kënaqshme. Kjo mund të gjenerojë frikë.

adoleshente2

“Po aq e rëndësishme është të zhvillohet një kulturë e të folurit qysh në moshën e hershme të fëmijës në familje”, këshillon psikologia Marion Pothmann. Kush është mësuar me faktin që në familje të tregojë gjithçka e të dëgjohet, ai do të tregojë histori edhe kur të bëhet adoleshent e i ri. Ndoshta jo gjithçka, por me siguri disa prej përjetimeve më pikante që ka pasur me grupin. Ose do t’i sjellë me siguri ndonjëherë miqtë në shtëpi. “Shpesh shqetësimet prindërore dëshmohen si të paarsyetuara, nëse njihesh personalisht”, thotë këshilltari edukativ, Andreas Engel.

Artikulon shqetësimet personale

Ndikimin e prindërve mbi miqësitë që lidhin fëmijët e tyre më të rritur, psikologia Maria von Salisch e vlerëson gjithsesi, si të kufizuar. Natyrisht se është e dhimbshme të përjetosh faktin kur me një shoqëri abuzohet, apo kur ajo keqpërdporet e thyhet në mes nga mosbesimi. “Por edhe kjo është një eksperiencë e rëndësishme”. Por çfarë ndodh nëse prindërit thjesht nuk arrijnë dot të dallojnë ndonjë indeks shqetësues dhe shpresojnë që fëmijët e tyre ta zgjidhin vetë situatën në të cilën kanë rënë? Nëse për shembull, në lojë futet edhe droga apo dhuna. “Ndalimet, edhe nëse janë të domosdoshme, duhet të jenë masa e fundit”, thotë Marion Pothmann. Ndalimet janë problematike, pasi ato para së gjithash, tek të rinjtë, shkaktojnë reaksione kundërshtuese e rezistencë: Kur prindërit u ndalojnë fëmijëve të takojnë shokët e shoqet e tyre, atëherë gjithçka nis e bëhet vërtet interesante. Ndodh që me ndihmën e një aplikacioni në smartphone prindërit tepër të shqetësuar, të kontrollojnë edhe vendndodhjen e fëmijëve të tyre.

Aplikacionet për vendndodhjen, të gabuara?

Por në vend të këtyre metodave, në këtë rast vlen më shumë: “flisni me njëri-tjetrin, pyesni përse fëmija do të qëndrojë me kaq qejf me shokun apo shoqen, lërini të shprehin shqetësimet e brengat që i mundojnë”. “Ndonjëherë, ndihmon edhe aktivizimi i kujtimeve të rinisë e fëmijërisë që ju vetë keni kaluar”, thotë këshilltari i edukimit, Andreas Engel: Thuajse çdokush në jetën e vet është zënë një herë me prindërit për shokët apo shoqet që ka zënë në jetë. Më pak “e gabuar”, siç duket, por megjithatë i dhimbshëm, është rasti kur shoqëritë lidhen në mënyrë të njëanshme, në të cilat njëri dominon tjetrin e sillet si i vogël. “Kjo dallohet pasi fëmija sillet i pasigurt, nuk luan më me shokët e tjerë”, tregon Marion Pothmann. Në këtë rast, atëherë bëhet fjalë për t’i ardhur në ndihmë urgjentisht djalit apo vajzës, për ta çliruar nga kjo lidhje, d.m.th. nga kjo barrë, për të gjetur shoqëri të reja. Por kaq të njëanshme sidoqoftë, balancat e pushtetit në një shoqëri, janë të rralla. “Teza se fëmijët e tu janë mashtruar, të çliron, por zakonisht është shumë sempliciste”, thotë Engel. Ndonjëherë, janë pra jo vetëm të tjerët ata që kanë gabuar, d.m.th shokët e shoqet – por me shumë gjasa, vetë fëmija juaj.

Marrë nga: Die Welt

Leave a Reply

%d bloggers like this: