Home / Europa / Itali, mbahet në Romë gjyqi ndaj Mafias Kryeqytetase

Itali, mbahet në Romë gjyqi ndaj Mafias Kryeqytetase

Në Itali ka nisur këtë të enjte një prej gjyqeve më të rëndësishme ndër vite, kundër organizatës kriminale të Romës, e njohur ndryshe si Mafia Kryeqytetase.

Organizata në fjalë akuzohet për përvetësim të dhunshëm të miliona eurove fonde të shtetit, që duhet të shkonin për emigrantët e ardhur nga Siria dhe Iraku.

Personazhi kryesor i këtij procesi është bosi Massimo Carminati, një gangster neo-fashit, i cili megjithatë do të merret në pyetje nga prokurorët përmes një lidhjeje në video-konferencë.

Nuk mungojnë gjithashtu edhe eksponentë të politikës, të cilët akuzohen për bashkëpunim me grupin kriminal.

Madje, prokurorët e çështjes pretendojnë se rrjeti ka pasur edhe bashkëpunimin e ish-kryetarit të djathtë të Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno. “Ka qenë një sistem tipik mafioz”, kanë thënë prokurorët.

Sidoqoftë, grupi kriminal ishte ndryshe nga organizatat tradicionale mafioze, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” prokurori i Antimafias, Alfonso Sabella.

Janë të paktën 46 të pandehurit që akuzohen për një korrupsion që kap shifrën e rreth 50 milionë eurove që janë vjedhur nga fondet e bashkisë së atij që njihet si Qyteti i Përjetshëm.

Të dyshuarit u arrestuan në dhjetor. Anëtarët e organizatës, të udhëhequr nga Carminati dhe krahu i djathtë i tij Salvatore Buzzi, korruptonin anëtarët e Këshillit Bashkiak për të fituar si këmbim paratë për tenderat që do të shkonin për strehimin e emigrantëve dhe mbledhjen e mbeturinave në rajonin e Lacios.

Ish-kryetari i bashkisë, Gianni Alemanno mohon të ketë qenë pjesë e kësaj afere. Aktualisht, ai është nën hetim, por jo për këtë çështje.

Leave a Reply

%d bloggers like this: