Kryeartikull

Nuk është vetëm Lef Nosi

Prof. Rami Memusha
Prof. Rami Memushaj

Pas botimit të romanit më të fundit të Ben Blushit, në mediet e shkruara e elektronike ka shpërthyer një polemikë e ashpër pro e kundra lidhur me figurën e Lef Nosit, në të cilën janë përfshirë historianë, letrarë, politikanë e njerëz të thjeshtë, me bindje të djathta e të majta. Blushi dhe ata që mbajnë anën e tij, e quajnë Lef Nosin tradhtar dhe vendosjen e shtatores së tij në sheshin qendror të Elbasanit një turp. Pala tjetër e quan Lef Nosin hero, njeriun që nënshkroi aktin e shpalljes së Pavarësisë dhe pushkatimin e tij një vepër barbare të Enver Hoxhës.

Në të vërtetë, nuk është vetëm emri i Lef Nosit që vlen të diskutohet. Ngritje bustesh e shtatoresh dhe dekorime nga bashkitë e deri te Presidenca këta 23 vjet ka pasur shumë. Kështu, qytetarë nderi në Peshkopi janë shpallur kapitenët e fashizmit Halil Alia e Selim Kaloshi, që dogjën e grabitën Tragjasin e Gjormin dhe terrorizuan qytetin e Vlorës, duke vrarë edhe prefektin dhe kryetarin e bashkisë së Vlorës, Qazim Koculin, kryekomandantin e Luftës së Vlorës; qytetar nderi është shpallur edhe bajraktari i Malësisë së Madhe Preng (Prekë) Cali, bashkëpunëtor i fashistëve, i cili vrau në Tamarë 72 partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, që hynë në atë krahinë jo për të terrorizuar popullsinë, së cilës edhe pas masakrës që u bë ndaj tyre, as ia dogjën shtëpitë dhe as ia prekën pasurinë, po për të shkelur vendin, si çdo ushtri që çliron vendin e vet nga pushtuesi. Po kështu edhe sa e sa të tjerë kolaboracionistë që janë shpallur martirë të demokracisë e janë dekoruar. Dekorime e nderime të pamerituara ka plot edhe për njerëz të ditëve tona. Jo shumë kohë më parë, Presidenti i Republikës nderoi me medaljen “Për merita të veçanta civile” një gjuhëtar që prej më shumë se dy dhjetëvjetëshash po punon për përçarjen gjuhësore të shqiptarëve.

Një gjë tjetër që të bie në sy, është se në gjithë këto vlerësime e dekorime personash të vdekur a të gjallë nuk përdoret një kut i njëjtë. Ta nisim me bashkëkohësit e Lef Nosit. Dokumentin e shpalljes së Pavarësisë e nënshkruan edhe Iliaz bej Vrioni, Mithat Frashëri e Rexhep Mitrovica; në atë Kuvend historik pjesëmarrës dhe aktor aktiv qe edhe Ahmet Zogu; anëtarë të regjencës si Lef Nosi qenë edhe Mehdi Frashëri, Anton Harapi e Omer pashë Vrioni; antikomunistë kanë qenë edhe Mustafa Kruja, Ali bej Këlcyra e sa e sa të tjerë figura të periudhës së Pavarësisë, që më pas u bënë bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit, por, me sa kemi dijeni, asnjë prej këtyre nuk është dekoruar apo shpallur qytetar nderi.

Pyetja e natyrshme që të lind është: në bazë të ç’kritereve bëhen këto dekorime e vlerësime zyrtare dhe kush ka të drejtë t’i propozojë ato? Sepse ta do mendja që duhet të ketë patjetër disa parametra, si p.sh. a i ka shërbyer veprimtaria e dikujt kombit a shtetit apo ka qenë në dëm të tij, shkalla e kontributit etj. Kështu edhe kur është fjala për figura politike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore që, duke bashkëpunuar me pushtuesit, u kthyen në kuislingë, por që gjatë periudhës së tranzicionit po rivlerësohen . Kjo kërkon më parë, nga njëra anë, të përcaktohen mirë termat “tradhti”, “kolaboracionist” e “kuisling” dhe, nga ana tjetër, të shihet a është ky rivlerësim në përputhje me mënyrën se si i kanë trajtuar popujt europianë kolaboracionistët e kuislingët?

Në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (2006) tradhtia përkufizohet si “veprimtari kundër atdheut, popullit etj., duke u bashkuar me armikun ose duke bërë punën e tij; shkelje e betimit”. Kurse “kuisling”, sipas përkufizimeve që japin fjalorët e huaj, është një “person që tradhton vendin e tij duke ndihmuar pushtuesin, shpesh duke shërbyer më vonë në një qeveri kukull”.

Tradhtia si figurë krimi haset edhe në kanunet tona, të Veriut e të Jugut, dhe është dënuar me leçi/lëçitje,një mallkim i tradhtarit dhe i familjes së tij, që në Kanunin e Lekë Dukagjinit përkufizohet kështu: “me dà, me lânë mbas dore e me shkepë njij shpi, tuj i a hiekun çdo tager, hir e nderë, si kah katundi, si kah Flamuri” (neni 1179). Për këtë figurë krimi, neni 1183 i Kanunit thotë: “Rasët per me leçitë kend jânë: a) Kur mos të duei kush me u lidhë me besë me katund a flamur, b) kùr të shes kush katundin e vet me hieksi e tradhti…”. Edhe në Kanunin e Labërisë ky dënim jepej ndaj atyre që thyenin besëlidhjen e krahinës për luftë kundër armikut etj., siç u bë me Muharrem Toton, i cili tradhtoi Besëlidhjen e krahinës për kryengritje më 1847.

Për të ardhur në periudhën kur shqiptarët nuk qeveriseshin më me kanun, se u bënë me shtet, edhe Kodi Penal i Mbretërisë Shqiptare (1928) për tradhtinë thotë:

“Neni 113. – Kushdo që tradhëtisht, në kohë lufte,… ndihmon pushtimin prej animikut ose hyrjen e atij n’Atdhe, ose për këto si dhe për të tjera vepra ksodore hyn në marëveshtje me anmikun ose me agjentat e tij, ose favorizon operacionet ushtrijake të një shteti anmik, ose ban spionazh, ose pranon, ose mshef spiuna, ose lehtëson veprimet, ose i ndihmon këta, ose ban të tjera vepra që shkakëtojnë anmiqësina, ose luftë prej ndonjë tjatër shteti kundra Shtetit Shqiptar, në të gjitha këto raste, dhe si kur vepra e fajtorit të jetë delikt i mangët (nisiativë e plotë) ndëshkohet më vdekje; por në rast që asht vetëm nisiativë e mebetë (?), ndëshkohet me burgim të përjetëshmë. Në qoftë se gjithë kto vepra bahen në favor të një shteti të huej, por jo në kohe lufte, fajtori ndeshkohet me ndeshkim të randë jo ma pak se dhjet vjet.”

Pra, edhe me Kodin Penal të kohës së Mbretërisë këta persona do të kishin marrë dënime kapitale. Tradhtinë dhe bashkëpunimin me pushtuesin e dënojnë njëlloj edhe në Europë. Kështu, u dënuan me vdekje si bashkëpunëtorë të nazistëve mareshali Peten, hero kombëtar dhe president i Francës në intervalin midis dy luftërave; Vidkun Kuislingu, kryeministër i Norvegjisë; Anton Muserti, kryeministër i Holandës; Milan Nediçi, kryeministër i Jugosllavisë etj.

Dhe nëse në gjithë Europën e pasluftës kuislingët dhe bashkëpunëtorët e nazifashzimit kanë marrë dënime kapitale si tradhtarë, atëherë pse duhet të trajtoheshin ndryshe shërbëtorët e pushtuesve dhe kuislingët? Dhe, për më tepër, pse kërkohet një trajtim ndryshe vetëm i disave? Atyre që janë hedhur kundër Blushit me argumentet se Lef Nosi ka pasur këto e ato merita do t’u bënim pyetjen: po Mithat Frashëri e Mehdi Frashëri më pak merita kanë pasur? Kodi penal të dënon për një akt penal të kryer, pa marrë parasysh meritat e mëparshme. Ndryshe, nuk duhet të ishin dënuar as atëherë kolaboracionistë e kuislingë dhe as sot kryeministra e presidentë të vendeve të ndryshme për veprat penale të kryera gjatë qeverisjes së tyre.

Nuk mund të mos vëmë në dukje se në këto vlerësime me dy standarde kanë ndikuar jo pak historianët, po sidomos politika. Partia Demokratike gjatë gjithë kohës ka mbajtur qëndrime të dyzuara lidhur me periudhën e Luftës Antifashiste, herë duke e pranuar e herë duke rënë në pozitat e pinjollëve të kolaboracionistëve, për të cilët vlen ky vlerësim i studiuesit gjerman Armin Hetzer: “Shumica (?) e shqiptarëve veriorë nuk u ndien të pushtuar nga Gjermania naziste; për ata pushtimi erdhi vetëm në vitin 1944 prej komunistëve?” (Hylli i Dritës, 2010, nr. 3, f. 89). Pra, Partia Demokratike, si forcë politike me peshë në jetën e vendit, nuk i ka dhënë një përgjigje të prerë pyetjes: ishte Shqipëria vend i pushtuar? Qëndrimi i njësuar i politikës në vlerësimin e ngjarjeve të mëdha të historisë së popullit tonë, siç është Lufta Antifashiste, do t’u kishte prerë rrugën spekulimeve që bëhen herë pas here.

Related Articles

Comente

  1. Shqiperia dhe PD e Berishes jane te vetmit, qe tradhetaret , kuislinget dhe koloboracionistet i nderon! Ketu eshte tradhetia e Sal Berishes!

  2. Lef Nosi e burra te tjere vertete paten vlere,
    Por fundin e perfunduan te dhjere,
    Te dhjeret qelbin pa fund,
    Prandaj si te tille duhet te permenden gjithkund.

  3. Te mbrosh, pale te dekorosh e t’u ngresh permendoreve atyre qe shkelen, ne radhe te pare, mbi Himnin e Flamurit, ku thuhet: “Prej lufte veç ai largohet/ Qe eshte lindur tradhetor.” do te thote te jesh vete tradhetor. E pra, te gjithe ata qe permenden ne shkrimin brilant te Z. Memushaj jane shkeles, ne radhe te pare, te Flamurit Kombetar. Jam i revoltuar veçanerisht per Halil Aline e Selim Kaloshin, pasi krimet e tyre kam pasur rastin t’i pesoj mbi shpinen time, te familjes, te fshatit dhe te Vlores. Ata u derguan ne Vlore me kope mercenaresh, me urdher te drejtperdrejte te Mustafa Krujes, atehere kryeminister kuisling, dhe u sulen si ujq te uritur per te vrare luftetaret qe kishin marre pushket e luftonin, duke vene jeten ne rrezik, kunder fashizmit. Eshte turp qe bashkepunetoret e armiqve i ngreme tani ne pjedestal, me gjoja antikomunizmin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button