Moda

Stilimi dhe makeup-i që do t’ju bëjnë rrëzëllitëse këtë fundvit

Për festat e fundvitit vëmendje nuk duhet t’i kushtohet vetëm fustanit dhe makeup-it, por edhe flokëve, qofshin ata të gjatë apo të shkurtër, të mbledhur në formën e bishtit të kalit ose në një topuz të lehtë. Ndërsa për buzët preferoni një buzëkuq mat.

Për të festuar ndërrimin e viteve, çdo femër dëshiron të duket sa më e këndshme në pamje dhe rrëzëllitëse në mënyrën e saj, duke ndjekur një trend ose stil të caktuar. Në këtë drejtim, festat janë tepër të rëndësishme për to, pse jo për të lënë një përshtypje mbresëlënëse te të tjerët e sidomos te dikush special. Duke u nisur nga ky fakt, sugjerimet e mëposhtme do t’ju vijnë shumë në ndihmë.

Duke filluar nga flokët, të drejtë ose të gjatë, “bishti i kalit” është një tendencë bukurie, që ka mbetur i pandryshuar për disa kohë e që konfirmon kështu stilimin ideal për festat e fundvitit. Për të pasur sukses, bishti duhet të jetë domosdoshmërish i shtrënguar fort, ku të mos shpëtojë as edhe një fije floku dhe natyrisht, duhet të mbahet lart. Alternativa është topuzi: gjithmonë të tërhequr fort dhe ndoshta të kapur me ndonjë aksesor të shtrenjtë për ta bërë sa më rrëzëllitëse kapjen e flokëve. Nëse keni flokë shumë të gjatë, duhet të mbani bashkë të gjithë flokët përsosmërish të tërhequr mbrapa. Përndryshe, mund t’i mblidhni në bazën e qafës dhe në këtë rast, mund të krijoni një linjë të thellë nga njëra anë dhe t’i mblidhni flokët anash. Për flokët me onde ose thjesht për ato që i pëlqejnë stilimet më të buta, trend është një bisht i shpupuritur, ku fijet e flokut duhet të jenë të lira të bien në anë të fytyrës; në këtë rast, sikurse për të dyja rastet, qoftë bisht apo topuz, ideale është të krijoni një efekt voluminoz, duke e ekzagjeruar në majën e kokës. Nëse dëshironi flokë të lirshëm poshtë, atëherë ju duhet të mbështeteni në aksesorë: një rreth të mbushur me plot detaje me shkëlqim, për t’i dhënë një hije romantike stilit të flokëve apo edhe një kthesë asimetrike me flokë të tërhequr nga një anë dhe të lëshuar me një onde të butë.

Ondet, stilimi ideal edhe në rast shiu

Ondet kthehen për të shkëlqyer sërish flokët tuaj edhe për këto festa, gjithmonë në tendencën retro: kështu, ondet e mëdha të viteve ’20, janë perfekte. Në këtë rast, si te prerjet e shkurtra të flokëve ashtu edhe te të gjatat, ato gjejnë terren të përshtatshëm, mjafton të përdoret llak dhe tharëse flokësh për të krijuar onde perfekte në anë të fytyrës, duke filluar nga rrëza e veshëve ose në të gjithë gjatësinë e flokëve. Për flokët gjysmë të shkurtër, presh të drejtë, idealja është një prerje e thjeshtë, për të mbuluar një pjesë të fytyrës.

Buzëkuqi mat, detaji i të festuarit

I kuqi i buzëve nuk duhet të mungojë në buzët tuaja, sepse ai rregullon formën, zbukuron konturet, ndihmon shumë në dhënien e përkufizimit në fytyrë dhe i jep një çehre tjetër asaj. Tendenca e të kuqit të buzëve tashmë është mjaft e qartë: tonet e errëta. Kumbull, në të kuqe të errët apo të thellë, shegë, por edhe kafja dhe nuancat e saj, dominojnë gamën e sezonit të ftohtë. Janë të shumta shtëpitë e modës, të cilat kanë realizuar ngjyra intensive, por të errëta, të cilat krijojnë buzë të kadifenjta. Bashkë me një laps dhe shkëlqyes, hijet mbesin gjithmonë ato: të errëta e të afta për të rritur dhe zgjeruar buzët.

Një i kuq buzësh me ton të errët ndihmon dhe është një zgjidhje për ju në çdo lloj situate gjatë festave të këtij fundviti. Në mëngjes, një lyerje në ngjyrën e shegës apo kumbullës, do t’i japë fytyrës suaj të lodhur dhe të zbehtë, një entuziazëm, pa shtuar asgjë për sytë apo për mollëzat e faqeve. Në mbrëmje, në fakt, mund të nxirrni më shumë në pah efektin e të kuqit të buzëve, ndoshta duke e bërë më të errët dhe duke e rafinuar me një shkëlqim të qartë apo të aplikoni pluhur vezullues mbi të.

Me buzëkuqin shumë të errët, sytë nuk duhet të jenë shumë të lyer me makeup. Mjafton vetëm të nxirrni në pah vetullat me një laps dhe mbi qerpikë të aplikoni rimelin. Ose ju mund të përdorni në sytë tuaj, një hije me ngjyrë shumë të qartë apo të lehtë, nën efektin sa më natyral. Në këtë mënyrë, buzët mbeten më të dukshme.

Buzëkuqi i errët përshtatet shumë mirë me çfarëdo lloj lëkure, qoftë e bardhë apo e zezë, kështu që të gjitha femrat mund ta përdorin atë. Toni i errët të jep avantazhin e një fytyrë të pastër dhe të qartë si ajo e një statuje, ndërkohë që do të dalë në pah edhe karakteristika e ngjyrës suaj të lëkurës. Kush ka një lëkurë shumë të errët, duhet të shmangë ngjyra të ndritshme, të cilat do të kenë një efekt të panatyrshëm mbi fytyrë dhe pothuajse karikaturesk.

Prandaj, të gjitha gratë janë të lira t’u çelin rrugë tendencave në vazhdim të makeup-it. Tashmë, në festat e fundvitit, mund të eksperimentojmë tonet e errëta, ideale për mbrëmjet e festave, për Vitin e Ri, për një darkë nën hijen e pemëve apo të dritave karakteristike: buzët e errëta ofrojnë një sensualitet të veçantë, origjinal e të thjeshtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button