Home / Kronika / Kronika e zeze / Shkumbini çan argjinaturën, situatë e vështirë në Çermë të Lushnjes

Shkumbini çan argjinaturën, situatë e vështirë në Çermë të Lushnjes

aaaaPas çarjes së argjinaturës së lumit Shkumbin, uji ka vërshuar në banesat e fshatit Çermë në Lushnje. Uji është përhapur me shpejtësi, teksa brenda një harku prej 3 orësh zaptoi qindra shtëpi.
Në ndihmë të banorëve kanë ardhur forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë për bllokimin e çarjes së argjinaturës. Nga ana e tyre, banorët e zonës kanë lënë banesat, ndërsa thonë se kanë humbur bagëti dhe bazën ushqimore të tyre.
Parashikohet që në orët në vazhdim situata të rëndohet më tej dhe harta e përmbytjeve të zgjerohet. Veç përpjekjes për bllokimin e çarjes së argjinaturës, po punohet edhe për hapjen e disa pikave të tjera në kanalet e dyta dhe të treta, që uji të largohet nga banesat.
Të mbuluara nga uji kanë qenë edhe zonat në fshatin Thanasaj, ku 30 banesa janë nën ujë dhe ku kanë qenë forcat e zjarrfikësve që kanë arritur të evakuojnë një familje me 5 anëtarë, të cilët ishin të rrethuar nga uji.
Situata paraqitet e vështirë edhe në zonën e Divjakës, ku raportohet se qindra hektarë tokë janë nën ujë. Më herët gjatë ditës, i pranishëm në zonat e përmbytura në Lushnje, ishte edhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
“Çarja natyrisht mund të bllokohet me blloqe betoni. Do të gjejmë mënyrën tani me ushtrinë, ose me thasë rëre, në mënyrë që të reduktojmë sasinë e ujërave që po vërshojnë në fushë. Ndërkohë u bëj apel njerëzve, sepse shoh disa që janë edhe fushave, duhet të largohen sepse uji mund t’i shtojë kapacitetet dhe askush nuk e di sesi do të jetë situata e rrjedhjes së Shkumbinit. Njerëzit nuk kanë pse të rrinë aty kuriozë, por të largohen së bashku me ata nëpër banesa. Këtu nuk është çështje dëshire, mendoj se duhet të largohen edhe me forcë”, është shprehur ministri Panariti.

Leave a Reply

%d bloggers like this: