Home / Keshilla / Kursimi në shtëpi, ja katër këshilla tepër të vlefshme

Kursimi në shtëpi, ja katër këshilla tepër të vlefshme

Qëllimet e mira, sipas një përcaktimi rigoroz, janë gjithmonë të parat që dështojnë! Por mund të jetë i mjaftueshëm vetëm një minimum angazhimi, për të marrë rezultate të papritura.

Ky vit, i cili ka pak që ka nisur, paraqet një pikë ideale referimi për të filluar me këmbën e mbarë një kursim më të madh në shtëpi, por pa sakrifica ekstreme. Që nga shpenzimet, të cilat mund të bëhen me kriter, e deri te mirëmenaxhimi i ujit dhe i dritave. Strategjitë e kursimit kanë edhe një impakt të mirë mbi ambientin, ndërsa fëmijët duhet t’i mësoni sa më parë të mundni. Të vegjlit, zakonisht janë më të zotë sesa të rriturit në mbajtjen e premtimeve.

Shpenzimet, pa humbje të panevojshme

Bërja mirë e pazareve është një art më vete. Kjo gjë ju lejon kursimin e shumtë, nuk “prodhoni” më shumë mbeturina, ndërsa do të ndiheni përgjegjës ndaj pjesës tjetër të botës. Për pazaret duhet të ndiqni disa rregulla themelore.

Para së gjithash, asnjëherë mos shkoni në supermarket me stomakun bosh: rreziku është ta mbushni pa fund karrocën e pazareve, për më tepër, edhe keq (me ushqime jo të shëndetshme). Më pas, është e nevojshme të keni në dorë një listë, ku mund të referoheni për të blerë ushqimet, si dhe markat e tyre, sepse përndryshe, do të bini pre e ofertave të markave shumë të dobëta për nga cilësia.

Edhe në këtë rast, ju mund të rrezikoni shëndetin tuaj. Ndër të tjera, është e rëndësishme të siguroheni edhe për një blerje të ekuilibruar për javën e ardhshme: nuk keni pse të tundoheni nga gjëra të vogla në dukje, por që ju zhvatin një sasi të konsiderueshme parash, akoma më keq të dilni më shumë se një herë në javë për darka jashtë shtëpie.

Bëni kujdes me ujin

Kursimi hidrik (i ujit) ka një vlerë që shkon përtej portofolit. Ju shkon për shtat t’ua mësoni këtë gjë edhe fëmijëve, duke nisur që në vitet e para të jetës së tyre. Uji kursehet thjesht duke mbyllur rubinetin qendror. Pra është mirë që banjën e nxehtë ta lini për në fundjavë dhe në ditë të tjera, të preferoni vetëm dushin.

Ndërkaq, kur lani dhëmbët, nuk është e nevojshme që rubinetin e ujit në lavaman ta mbani gjatë gjithë kohës të hapur. Ai hapet sërish në momentin kur ju do të kaloni në procesin e shpëlarjes së dhëmbëve. Ndërkohë, ekzistojnë edhe mënyra të tjera të kursimit të ujit: për shembull, ujin që përdorni për të zier makaronat, pasi të ftohet, mund ta përdorni për të ujitur lulet apo bimë të tjera që keni në shtëpi.

Elektriciteti, një zë i rëndësishëm

Faturat më të majme duket se janë gjithmonë ato të energjisë elektrike. Por konsumimi i paktë nuk është i komplikuar, edhe pse mund të keni një familje të madhe në numër.

Para së gjithash, pjesëtarët e familjes duhet të mësojnë të fikin të gjitha dritat dhe pajisjet teknologjike në momentin kur ato nuk përdoren.

Për sa i përket lavatriçes, ajo duhet të përdoret gjithmonë e mbushur në sasinë e përcaktuar (jo më pak rroba të futura në të) dhe me programin eko (lloj programi te lavatriçet e kohëve të fundit, i cili harxhon më pak energji). Elektroshtëpiaket e gjeneratës së re janë në gjendje të eliminojnë njollat edhe në temperatura të ulëta dhe me larje të shkurtër. E njëjta gjë vlen edhe për pjatalarësen.

E bukura e teknologjisë

Smartphoni, laptopi dhe tableti nuk duhet të jenë një zë shpenzimesh familjare, por duhet të futen në bilanc si burime. Si mund të realizohet kjo gjë? Duke zgjedhur, përpara çdo gjëje, një tarifë të përbashkët, e cila i përfshin të gjitha nevojat teknologjike të familjes (të gjitha të përfshira). Më pas, duke përdorur pajisje teknologjike, të cilat mund t’ju kursejnë kohë dhe para: paguani faturat online, bëni blerje duke parë ofertat më të mira dhe duke shmangur njëkohësisht radhët e gjata dhe pagesa të kota shtesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.