Home / Arte / Ekspozita / Studioja ime është rruga

Studioja ime është rruga

Sislej Xhafa ekspozon në Poloni “Palëvizshmërinë e mendimit”

Sislej Xhafa i ka dhënë ngjyrën e tokës, një zemre të madhe vendosur në hapësirën e Galerisë së Artit Bashkëkohor në “BWA Sokol” në Nowy Sącz, Poloni. Ndërsa duket sikur koha që vrapon na heq çdo ditë e më tepër nga e brendshmja, Xhafa provokon duke vendosur këtë zemër të madhe, si një ftesë për reflektim. Në fakt, kjo vepër e realizuar në vitin 2007, është e realizuar me asfalt dhe glasa zogjsh. “Zemra, është një vepër e cila ndriçon rreth padrejtësisë sociale dhe indiferencës politike që ekziston në shoqëri”, thotë Xhafa. Në fakt, studioja e tij prej kohësh është rruga, ashtu si jeta e tij, e në këtë vepër asfalti (rruga) vjen si pjesë e rezistencës dhe ekzistencës jetësore. “Palëvizshmëria e mendimit” quhet ekspozita që artisti i njohur nga Kosova hapi më 23 janar për publikun polak, duke qenë dhe hera e parë që ai prezantohet në këtë hapësirë. Kjo ekspozitë ka bërë bashkë veprat e hershme të artistit, duke i plotësuar me një pjesë specifike të re. “Sislej Xhafa kombinon artin me përvojën e hapësirës; si rezultat, energjia e vendndodhjeve specifike aktivizohet në përballje me veprat e tij. Kjo është aq e vërtetë për vendet fizike – jemi në qytete të vogla ku personazhet historikë kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në identitetin bashkëkohor të atij vendi – ashtu edhe në hapësirat mendore që mbivendosen me to”, thotë kuratorja e ekspozitës Anna Smolak. Sipas saj, “identiteti është subjekt i ndryshimit të vazhdueshëm”, është shprehur dikur artisti, duke parë nga lëvizja dhe zhvendosja si instrumente në formësimin e sistemit të vlerave. Hibridja e zbuluar në zakonshmërinë në dukje të pranëvënies së materialeve, kuptimeve dhe formave, të pavarura nga afiniteti i tyre origjinal, qëllimi dhe vendi e koha e krijimit të tyre, është marka e Xhafës dhe rrëfen për pushtetin e veprave të tij”. “Provokues e njëherazi i përmbajtur në sensacionalizëm, kritik por jo didaktik, pikant e njëherazi i pasur në nuanca – veprat e Xhafës, që zgjatet nga objektiviteti drejt performimit, gjenerojnë lëvizje të pandalshme. Lëvizja është një gjendje tranzicioni, e kuptuar njëherazi si fjalëpërfjalshëm si një ndryshim vendndodhjeje, por gjithashtu si një ndryshim në kuptim, emocion dhe mendim. “Dhe ja ku jeni, të hutuar dhe të humbur në prozaizëm të ri, një perspektivë në të cilën afër dhe larg përkojnë”, kështu ka shkruar artisti revolucionar belg, Raoul Vaneigem në “Revolucioni i jetës së përditshme”. “Në shikim të parë, objektet dhe imazhet e shpërndara rastësisht në hapësira duken prekshëm familjare: një fotokopje, një cigare, një copë asfalt. Sidoqoftë, rregullat e angazhimit nuk janë të përkufizuara nga mjedisi i tyre në mondanitet, por në veçimin prej tij. Dhe është pikërisht ky lloj tranzicioni, që dukshëm injoron të gjithë kufizimet dhe zakonet që gjenerojnë një numër të pafundmë të kombinimeve të përvojave të mbivendosura dhe kuptimeve”, shkruan Anna Smolak. Veprat e paraqitura në këtë ekspozitë janë “CarettaCaretta”, e realizuar këtë vit nga artisti me materiale si rërë, litar, dru dhe pllaka metali me përmasa 250 me 500 centimetra. “Fshehja e Kristofor Kolombit”, e realizuar më 2003, me materiale plastike dhe akriliku, në pronësi të Koleksionit të Muzeut Maxxi në Romë. “Dera dhe Bjeshkët e Nemuna” është një tjetër vepër e realizuar më 2011, aktualisht pronë e galerisë vjeneze e Christine König. “Arkiva e Meduzës”, një vepër me materiale mikse e realizuar më 2014, “Romeo dhe Zhuljeta”, një vepër që daton më 2006 ku shfaqet një dritare dhe një cigare. “Autoportret”, është instalacioni ku shfaqet një shalqi në piedestal, koleksion i Nomas Foundation, Romë. “Kokëqethurit duke notuar”, instalacion video i realizuar më 2002–shin. “Boja pëshpëritëse” është vepër e 2009-s, ku shfaqet një fotokopje dhe myk dylli. “Qoshja e bardhë”, vepër e realizuar me akrilik, çarçaf, letër dhe dru, edhe kjo vepër e koleksionit vjenez Christine König. “Gruaja në Blu” është një tjetër vepër e fundit e artistit, realizuar në teknikën vaj në pëlhurë, si edhe “Zemra”, vepër e 2007-s ku shfaqet një copë asfalt dhe glasa zogjsh. “Artisti i udhëheq veprimet e tij semantike me delikatesë. Ai manovron mes vogëlsirave dhe asaj çka është shënjuar me patos, mes zyrtares dhe të margjinalizuarës, duke u arratisur etiketimeve të pangatërrueshme dhe kategorive. Dhe megjithëse ai kërkon të shmangë kompromisin, ai lë hapësirë për poetikën, imagjinatën dhe humorin,” shkruan kuratorja e kësaj ekspozite, Anna Smolak. “Palëvizshmëria e Mendimit” është një ekspozitë pa një emërues të përbashkët. Është njëherazi rreth zbrazëtisë dhe rreth grumbullimit, rreth përjashtimit dhe rreth pronësimit. Bën fjalë sesi mendimi materializohet në një objekt dhe sesi objekti vetë bëhet kanal për mendimin. Është një ekspozitë që nuk bën asnjë deklaratë politike, e njëheri është thellësisht politike – e plotësuar siç është nga momenti në të cilin ndodh. Por Xhafa e sheh politikën si një “oblique way”. “Politikën e konfrontoj në paaftësinë e politikanëve, papunësinë, korrupsionin, mediokritetin dhe mungesën e një vizioni politik dhe ekonomik për të ardhmen. Në shoqërinë e sotme është emergjencë e domosdoshme dhe ekzistenciale të konfrontohet me atë të estetikës. Është vital roli i artistëve në çdo shoqëri të mos ketë ambiguitet, por një qëndrim (attitude)”, thotë Xhafa. I larguar herët nga vendi i tij i lindjes, Kosova, Xhafa u vendos fillimisht në Itali për të ndaluar në Nju Jork. Por jeta e tij ashtu si arti duket që nuk ka stacion dhe se punët më së miri bëhen në ato ndalesa, ku ndodhet qoftë për disa minuta. Kjo, pasi një vepër e mirë lind thjesht nga një mendim, dhe ky i fundit mund të vijë dhe teksa pret të marrësh metronë për në shtëpi. Ka një kod që fshihet në të gjitha veprat e Xhafës, një kod që ti nuk mund ta shohësh, por mund ta ndiesh. Kjo e bën atë një artist të kohës, i cili është thellësisht i vërtetë në përballjet që të bën. Ndaj në Poloninë me të cilën ndajmë një të shkuar të përbashkët siç është komunizmi, veprat e një artisti si Xhafa depërtojnë më lehtë dhe flasin më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.