Home / Arte / Ekspozita / Kur arti paralajmëron rrezikun

Kur arti paralajmëron rrezikun

Me Edi Hilën në një bisedë për qytetin, të shkuarën dhe artin

Nga Alda Bardhyli

Bisedat me Edi Hilën nuk ndryshojnë shumë nga ndjesitë që të lënë pikturat e tij. Grija e ftohtë që ka veshur lehtë tablotë e mëdha që gjenden në hapësirën e COD (Kryeministri) në ekspozitën që artisti hapi pak kohë më parë të quajtur “Vegime bulevardi”, duket sikur humbet në xhaketën e zezë që ka veshur këtë të diel. Ka një gjuhë tjetër brenda të zezës dhe Hilës shpesh i pëlqen të flasë përmes saj. Në historinë e artit shqiptar të këtij gjysmëshekulli, Edi Hila është padyshim një nga personazhet më të rëndësishme. Me një histori të trishtë në raport me të shkuarën (ashtu si njolla e zezë që gjendet në pikturat e tij), ai arriti të ruante ekuilibrin e brendshëm në raport me artin, duke mos rënë në rrezikun që ranë pjesa më e madhe e artistëve pas viteve ’90. Duke i besuar vështrimit, si një moment domethënës në punën krijuese, Hila vazhdoi të shndërronte në telajo imazhet që ngacmonin imagjinatën e tij. Ashtu si dikur ai vazhdoi të mos i largohej realitetit. Ekspozita e fundit e tregon këtë. Përtej ndjeshmërisë artistike që të japin tablotë e ciklit “Vegime bulevardesh”, ato janë një akuzë sesi sistemi në këto dy dekada ka arritur të zhvendosë identitetin urbanistik të qytetit. Janë dëshmia e një krize të gjatë historike, politike dhe shoqërore, ku jemi zhytur mes dy sistemesh. Në çdo imazh, që vjen përmes vegimesh, ti sheh një humbje, një shembje të një pjese dikur të rëndësishme të bulevardit, i cili e ka humbur simetrinë estetike. Duke i vendosur objektet reale përballë atyre imagjinare dhe shpesh duke i ndërruar vendin, loja e Hilës është fatale për atë çfarë sjell realiteti, duke na dhënë një bulevard, i cili është goditur nga “modernizimi” në çdo kënd të rëndësishëm të tij, e duke humbur identitetin. Në një hapësirë kaq të brishtë, ti mund të gjesh sot katër hotele. Boshësia të zhyt në një atmosferë të zymtë, të cilën piktori e sjell me të gjithë koloritin e saj, si një pjesë që e zotëron më së miri. Cikli i këtyre pikturave është një vazhdim i “Zbrazëtia ludike e objektit”, të cilin ai e prezantoi dy vjet më parë, duke shpallur dhe interesin e tij ndaj një arkitekture që po rrëzohej. Hila kishte arritur të zbulonte atë çfarë ngjarjet politike, së bashku me periudhat e gjata të krizave kishin arritur t’i merrnin strukturës së qytetit. Me një vështrim të kujdesshëm, ai paralajmëronte rrezikun që po sillnin ndaj arkitekturës këto ngjarje. Zbrazja e objekteve nga përmbajtja e tyre ludike dhe kthimi thjesht në nivelin e plotësimit të nevojave dhe dëshirave të njerëzve, kishte nisur tjetërsimin e një identiteti vendosur herët. Kjo antistrukturë e kthyer tashmë në një rutinë, do të ngacmonte vështrimin e artistit gjithnjë i ndjeshëm ndaj realitetit. Pikturat e Hilës nuk nisin me idenë për të qenë një art i angazhuar, por me aftësinë që ka arti i vërtetë ato e marrin vetë përsipër këtë mision. Pasi ekziston një rrezik kur artisti është i angazhuar, që ajo çfarë ai pikturon të dalë nga realiteti, duke rënë në kurthin e ilustrimit, e ky është një moment gati i frikshëm, pasi duhet të jetë aktualiteti i përfshirë në art. “Kjo ekspozitë nuk e ka këtë rrezik. Jam përpjekur ta shmang, pasi bulevardin e kam parë si një model estetik …”, thotë Hila. Gjithë cikli i pikturave të tij, vjen si një arkiv i kujtesës për të treguar sesi është shndërruar në një tjetër formë një segment që e ktheu qytetin në një metropol. “Ky është një segment i rëndësishëm për qytetin, pasi Tirana këtu filloi të rritej me dimensionet e një metropoli të ardhshëm. Nëse ia heq Tiranës këtë hapësirë, atëherë ajo ngjason me qytete të tjera si Korça apo Shkodra”, thotë ai. Por ka gjithnjë një moment kur një objekt ngacmon vështrimin tonë. Bulevardi do të vinte si gjendje tek artisti jo në kohën kur i ri i veshur me bluza sportive ecte dikur student, e më pas artist i shkujdesur duke jetuar xhirot e mbrëmjeve, shkëmbimet e vështrimeve, por pas një kthimi nga një kohë që kishte ndryshuar mënyrën e të kuptuarit. Ky ishte kthimi nga “pularia”. (Edi Hila do të dënohej me punë në pulari, pas tablosë “Mbjellja e pemëve”, një vepër e rëndësishme në pikturën shqiptare, por që do të ndryshonte rrjedhën e jetës së tij. Ishte nëntori i vitit 1971 kur kjo vepër u ekspozua në ekspozitën “Nëntori”, duke ndezur shkëndija në terrin e kohës, por që do të ishte fatale për atë çfarë do të ndodhte në jetën e Hilës). Pas kthimit në Tiranë pas këtij “dënimi” që iu dha, artisti filloi ta shihte ndryshe bulevardin. Tashmë vështrimi i tij dallonte qartë institucionet politike ngritur bri tij, nga ku jepeshin urdhra, mes të cilave kishte qenë dhe ai për pularinë e tij. Pikturat e realizuara tani janë një përzierje ndjesish mes marrëdhënieve me të shkuarën dhe të tashmen. Do të ishte shatërvani dhe ajo çka ndodhur me të që do të hidhej më parë në telajo, për të vijuar me një lojë vegimesh imagjinare, të cilat ndërtonin në art dhembjen për një kohë të humbur. Është ndjesia e një atmosfere boshe, një situate misterioze ku mungojnë njerëzit për të thënë që ajo që mbetet janë ndërtesat që ekzistojnë vetë bulevardin. Kjo, pasi ndërhyrjet në arkitekturë duhet të krijojnë një identitet të ri pa e prishur të vjetrin. E në këtë situatë, Hila nuk mund të rrinte indiferent duke vizatuar vazo me lule, kur problemet janë aq të fuqishme sapo del nga shtëpia. Një artist ka një ndjeshmëri tjetër në lidhje me vendin ku jeton, e kjo ndihet në pikturat e Hilës. “Ndërhyrjet e mia përpiqen të krijojnë një identitet të ri. Duke përfituar nga ideja e vegimit apo mirazhit futem në ide të tjera. Jam munduar të krijoj me një potencial krijues, i cili lë hapur shtegun nga ku buron interpretimi”, thotë ai.

Duke i parë këto piktura si një aktakuzë të fortë ndaj politikës, ato rriten në këtë revoltë në vetë vendin ku artisti i ekspozon. Për të parë këto telajo ti duhet të kalosh nga pjesa e sigurisë, që është normale për një ndërtesë si Kryeministria, që është një antitezë me brishtësinë e thellë që mbart arti i tij. Por, nga ana tjetër, kjo është mënyra më e mirë për ta bërë të qartë mesazhin që ato mbartin, duke u ekspozuar në një institucion politik, nga ku dalin vendime të rëndësishme për sa i përket së ardhmes, e nga ku i duhet dhënë fund kësaj masakre urbane e të shëmtuar. Është një aftësi e jashtëzakonshme në artin e Hilës për t’u dhënë kuptim situatave në dukje banale, e kjo ka të bëjë me vëmendjen e tij ndaj zhvillimeve. Pas ciklit të bulevardit, në studion e tij ai vazhdon të hedhë në telajo ato çka e përditshmja i ngacmon vështrimin. Ai zgjedh ciklet, pasi ato bëjnë që mesazhi të vijë më i plotë. Por le të kthehemi sërish në kohë, për të kuptuar sesi arriti të mbante fort artistin brenda tij në një kohë tjetërsimi, siç ishte sociorealizmi. Hila e pranon kompromisin, por e ka bërë këtë pa humbur të vërtetën brenda tij. “E kaluara ishte e mbështetur në një kompromis me realitetin e kohës. Të mbijetoje duhej kompromis në të gjithë kuptimet. Pastaj pjesa tjetër ishte që të mos bëjë atë që komprometon, të krijoje të vërtetat e tua. Ky ishte momenti kur ti duhet të merrje një vendim. Ti nuk duhet të ishe si të tjerët, pasi ke marrë përsipër të jesh artist i vërtetë. Ky është momenti që kishte të bënte me krijimin e realitetit krijues. Shumë artistë pas viteve ’90 filluan të pikturojnë artin abstrakt, duke gjetur shpëtimin te mediume të reja. Ky ka qenë në të njëjtën kohë dhe momenti i shterpësisë krijuese të shumë artistëve, pasi arti bashkëkohor nuk ishte më abstraksioni, i cili prej kohësh kishte hyrë në muzeum. Ruajtja e identitetit është shumë i rëndësishëm për një artist”, thotë ai. I ndjeshëm ndaj situatës artistike në vend, Hila sheh me trishtim një tjetër dramë, atë çfarë ndodh me artistët e rinj. “Artistët e rinj kanë dramën tjetër, pasi shkolla s’ka arritur t’u japë formimin e duhur. Në Shqipëri mungojnë kritikët e artit dhe ky është një moment delikat. Problemet e artit janë një çështje kulture dhe ajo çfarë më shqetëson është se si ka mundësi të jetë një rini kaq indiferente”, thotë ai. Në këtë terren, ku arti ka rënë në grackën e një realiteti që gjithnjë bie drejt humnerave pa krye, Hila vijon të rrijë nën lëkurën e tij, duke dashur e bërë të njëjtat gjëra që e çojnë drejt krijimit. Orët në studio vazhdojnë të jenë si më parë, duke e kthyer atë hapësirë të tundimeve dhe dëshirave në një hapësirë të mendjes dhe të zemrës. Ndonjëherë mjafton vetëm ajo hapësirë për të krijuar realitetin tënd, nga ku mund të ndërtosh realitetet e mohuara të të tjerëve. Ka një misticizëm në procesin krijues, që mbart brenda të gjithë rrugëtimin e një artisti nga gjendja e tij e parë në kohë. Por cilët janë artistët apo periudhat e artit që Hila vazhdon t’i shohë sot si frymëzuese? “Të krijuarit është një proces gjatë gjithë kohës, por në këto kohë kur informacioni është kaq i fuqishëm mbart një rrezik. Ka rrezik të çorientohesh, duke u zhvendosur nga e vërteta jote, e kjo të bën ta humbësh identitetin. Çdo gjë që unë shoh kalon përmes një filtri seleksionimi, nuk më çudit, por marr atë që duhet të marr. Ka shumë pikturë në pikturën time, ndihet aty fryma e klasikut, pasi në këtë periudhë gjej shumë gjëra të përbashkëta që lidhen me natyrën. Rilindja dhe arti klasik janë kohë me të cilat komunikoj herë pas here, sepse është e rëndësishme që artisti të gjejë mjetin, formën e tij. Por kjo duhet të vijë natyrshëm, por momenti kur arrihet kjo gjë tregon një pjekuri të artistit”, thotë ai. Hila flet për artin ashtu si e jeton. Nëse imagjinon të takosh një artist bashkëkohor, që vazhdon të jetojë si i tillë, ai është Hila, gjithnjë i veshur me diçka të zezë në trup, por me mijëra ngjyra që dalin prej tij, kur nis të rrëfejë. “Vegime bulevardi” ishte thirrja e tij për dialog dhe një shqetësim me disa shtresa për kulturën që po brejmë çdo ditë, duke u nisur nga imazhet që na kap më thjesht vështrimi, ndërtesat. Teksa imagjinojmë Shqipërinë e së ardhmes, Hila na fton të shohim atë të sotmen, të zhytur nën një beton gri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.