Home / Arte / Ekspozita / Duhet fond emergjence për veprat që ruhen nga familjarët

Duhet fond emergjence për veprat që ruhen nga familjarët

Historia e artit shqiptar nga vitet 1884-1944 vjen në një album realizuar nga Xhoan Guga…Piktura të panjohura të Abdurrahim Buzës, Kole Idromenos, Zef Kolombit, Andrea Kushit, Vangjush Mios, Ndoc Martinit, Androniqi Zengo Antoniut, Sadik Kacelit, Hasan Reçit etj., vijnë bri tablove të njohura nga kjo periudhë…

Në vitin 1928, Abdurrahim Buza udhëton drejt Torinos për të ndjekur Akademinë e Arteve të Bukura, për t’u kthyer në Tiranë sërish pesë vjet më pas. Duke jetuar nën frymën e impresionizmit, djaloshi i hollë, do ta vijonte këtë në tablotë e tij të mëvonshme. Janë një mori piktorësh shqiptarë që para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u shkolluan në akademitë italiane të artit. Buza është vetëm një prej tyre. Kolë Idromeno, Zef Kolombi, Andrea Kushi, Vangjush Mio, Ndoc Martini, Androniqi Zengo Antoniu, Sadik Kaceli, Hasan Reçi, Vangjush Tushi, Foto Stamo, Qamil Grezda, Nexhmedin Zajmi erdhën në Shqipëri pas një përvoje ndryshe me pikturën. Duke përqafuar lirinë në art dhe duke njohur kufijtë se ku mund të çonte imagjinata, ata do të kishin fatin më të trishtë që mund të kishte një artist të jetonin nën censurë. Megjithatë, kontributi i tyre në atë çfarë do të ndodhte me artin shqiptar do të ishte i jashtëzakonshëm. Janë qindra tablo të lëna prej tyre, që sot ruhen në Galerinë Kombëtare apo nga familjarët. Xhoan Guga, një i ri i pasionuar pas artit prej kohësh kishte qenë i tërhequr nga kjo periudhë e artit shqiptar (1884-1944). Dje ai prezantoi një album i cili bënte bashkë këta emra të njohur të artit shqiptar. Një album që mban brenda 113 piktura të krijuara nga brezi që mund të quhet Shkolla Shqiptare e Pikturës. “Dëshira për të pasur një album të tillë me pikturat më të bukura të mjeshtërve shqiptarë të fillim shekullit XX, të cilën unë mund ta shfletoja i qetë duke u ndier krenar për një trashëgimi të tillë, sa vizualisht të mrekullueshme po aq sa dhe intelektuale, me shtyu të nis këtë projekt kaq të bukur”, thotë Guga. Veprat i ka përzgjedhur nga koleksione familjare të autorëve, Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë e Shkodër, si dhe nga koleksione private. Përveç një përzgjedhjeje të madhe veprash tashmë të mirënjohura nga publiku, botimi përfshin edhe shumë piktura plotësisht të panjohura që botohen për herë të parë apo që konsiderohen të humbura. Albumi u promovua dje me rastin e 100-vjetorit e lindjes së piktorit Nexhmedin Zajmi.

Një album mbi një periudhë, e cila në një farë mënyre mund të quhet dhe fillesa e artit të vërtetë shqiptar, deri më 1944-n. Çfarë ju tërhoqi në këtë periudhë?

Siç thatë dhe ju janë fillesat, të krijuara nga talente dhe mjeshtra të vërtetë, të cilët e kishin treguar veten duke qëndruar denjësisht pranë bashkëkohësve të tyre europianë, dalë nga akademitë e ambientet më prestigjioze të artit të asaj periudhe. Ishin ata që krijuan brezin e mësuesve të parë, prej të cilëve përfituan të gjithë piktorët që pasuan. Është e qartë pra që kjo periudhë qëndron komplet më vete në tablonë e përgjithshme të pikturës shqiptare. E kam ndier gjithmonë mungesën e një botimi të dedikuar plotësisht pikturës shqiptare, për më tepër të kësaj periudhe, e cila më ka intriguar gjithmonë. Jemi mësuar të shfletojmë albume luksoze të huaja mbi piktorë e periudha të caktuara dhe natyrisht dëshiroja që të kisha në dorë edhe një të tillë me piktorët shqiptarë.

Një kërkim në jetët e autorëve më të njohur të kohës si Buza, Kolombi, Stamo, Grezda, çfarë të papriturash, apo momentesh interesante ju ka vënë përballë?

Veprat e gjetura, që i përkasin kësaj periudhe, ishin një zbulim për mua. Megjithëse njihja prej kohësh mjaft punë të tyre, në këtë udhëtim, ato m’u shpalosën me një volum shumë më të madh nga ajo që e prisja. Falënderoj familjarët e piktorëve, të cilët më hapën dyert e shtëpive për të fotografuar vepra që nuk kishin qenë gjithmonë pjesë e koleksioneve familjare. Një pjesë e veprave njihen, por botohen për herë të parë, por ka dhe vepra që nuk janë të njohura nga publiku apo konsideroheshin të humbura. Pata fatin të shoh me sytë e mi vepra të mrekullueshme në shumë familje, por dua të përmend veçanërisht piktorin Vangjush Tushi, i cili është lënë gjatë në harresë dhe ishte një e papritur edhe për mua. Gjithashtu promovimi i djeshëm përkoi edhe me 100-vjetorin e lindjes të Nexhmedin Zajmit një nga mjeshtërit e përfshirë në këtë album. 

Të gjithë këta autorë kanë studiuar në akademitë italiane. Sa ndihet ndikimi i këtyre shkollave në artin që ata bënë më pas?

Kjo kërkon një studim të mirëfilltë nga profesionistë dhe secili prej autorëve ka historinë e tij për të treguar, por sigurisht që pati një ndryshim të madh. Dekadat që pasuan nuk lanë më asnjë vend për shpirtin e lirë, as në ambientet më intime e jo më të fiksuara në telajo.

Si do ta analizoje këtë periudhë në historinë e artit shqiptar?

Sigurisht që është një periudhë e artë. Dhe kjo jo vetëm në pikturë.  Shfletimi i botimit të befason me nivelin e lartë artistik të veprave dhe jam i sigurt që në këtë album, çdokush do gjejë një thesar të pazbuluar të historisë së artit shqiptar. Nëse vendi ynë do kishte marrë një kthesë tjetër në vend të diktaturës, shumë vepra të këtyre mjeshtërve do t’i gjenim në muzetë e ankandet më prestigjioze europiane.

Nga moria e tablove që ka ky album, kë do të veçonit si të preferuarën tuaj?

Jam i dashuruar më shumë punë të Abdurrahim Buzës, i cili është edhe autori im i preferuar si p.sh. vepra “Në stallë” të 1934-s. Por dua gjithashtu të përmend edhe “Kurbatken” e Vangjush Tushit që më ka lënë përshtypje të mëdha.

Si mund ta përfytyrosh Abdurrahim Buzën sot?

Buza e bëri ciklin e tij dhe sot ai meriton vetëm vëmendje. Ai ka lënë një pasuri të madhe dhe të bollshme për zbulime të mëtejshme dhe do duhet shumë kohë që të perceptojmë dhe më vonë përthithim gjithë krijimtarinë e tij. Sot ai do meritonte një muze të tijin, por duke qenë realist do më mjaftonte një botim i plotë i veprimtarisë të tij.

Cili mendoni se duhet të jetë fati i këtyre veprave?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhet xhindi të cilit mund t’i shprehësh dëshirat dhe ai t’i realizon. Do kishte shumë punë për të bërë, dhe as që kemi filluar. Ato duhen trajtuar si objekte shumë të vyera që përbëjnë identitetin tonë kombëtar. Ato kanë tashmë vlera muzeore dhe me to duhet të krenohemi në çdo rast që mundemi. Por të paktën, për mendimin tim duhet krijuar një fond “emergjence” për shpëtimin e veprave që ruhen me vështirësi nga familjarët dhe rrezikohen të dëmtohen përfundimisht

Leave a Reply

Your email address will not be published.