Home / Kryeartikull / Sfidat e Perëndimit

Sfidat e Perëndimit

Nga Elmas Haxhiraj

Në një sistem ndërkombëtar dinamik dhe fleksibël, ku asgjë nuk është absolute, e përhershme apo e pandryshueshme, marrëdhëniet ndërmjet aktorëve dhe faktorëve ndërkombëtarë janë determinantë për ruajtjen e ekuilibrave dhe garantimin e paqes globale. Ndryshimet e pandërprera të shpërndarjes së fuqisë globale dhe dukuria e re e zgjimit politik masiv në përqafimin e modeleve të reja zhvilluese dhe integruese, rrisin paqëndrueshmërinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në kohën tonë.

Si përçues i vlerave demokratike dhe një sistemi politik unikal, Perëndimi me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët, shpesh është gjendur i ekspozuar ndaj elementëve në dukje periferikë, që gjithnjë e më tepër kanë synuar të minojnë qëllimin dhe misionin e tij. Kushtet e reja globale kanë ushqyer tendenca të reja konfliktuale, që nga ndikimi rajonal janë kthyer në kërcënim global.

Kjo “shizmë” mbi rendin botëror gjithnjë e më shumë po synon të injektojë Perëndimin liberal. Dhe, në kushtet e një dekori të tillë, në ndërgjegjen perëndimore shtrohen disa sfida të reja që, në konstelacionin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare kërkojnë zgjidhje. Inkursioni i makinerisë vrasëse terroriste drejtuar portave të Perëndimit dhe tempullit të demokracisë botërore, kërkon para së gjithash strategji dhe teknika maksimaliste për kufizim dhe jo zgjidhje graduale. Përgjakja e rajonit të Lindjes së Mesme dhe teatri i të mëdhenjve përballë nevojës së të vegjëlve, ka çuar në rritje të ekstremizmit, fragmentarizim të vullnetit politik dhe përdorim të elementit fetar.

Sulmet terroriste në Belgjikë, Francë, Tunizi, Ankara etj., janë dëshmi e asaj çka mund të shkaktojë një faktor i tillë ndaj kujtdo që i del përpara dhe e kufizon. Nga intensifikimi diplomatik tek zbatimi praktik është një proces mjaft i gjatë dhe dinamik. Terrorizmi është një instrument strategjik. Përdorimi i elementit fetar dhe kamuflimi brenda sistemit perëndimor e bën të vështirë lokalizimin, e më tej, kufizimin e veprimtarisë së tij. Politika e dyerve të hapura për eksodin e emigrantëve nga rajoni i Lindjes së Mesme është shfrytëzuar më së miri nga elementët e infiltruar terroristë dhe është ndërthurur më tej me problemet ekonomike; duke e çuar Europën në ujëra të trazuara.

Mungesa e një kohezioni vendimmarrës, në kuadër të vlerave të përbashkëta perëndimore, e ka transformuar BE-në dhe rendin ndërkombëtar në një realitet gjeopolitik mjaft të brishtë. Në kushte të tilla, partneriteti konstruktiv me faktorët rajonalë është përcaktues për kufizimin e sentimenteve të tilla negative ndaj vlerave perëndimore. Zgjidhja e konfliktit sirian nëpërmjet gjetjes së një formule të përbashkët diplomatike dhe politike, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s (sulmet e aleatëve në rajon ndaj epiqendrave terroriste), ndryshimi i kursit diplomatik amerikan me Iranin si faktor kryesor rajonal, janë tipare të një realiteti të ri global.

Bashkekzistenca e luftës me paqen, demokracisë me ekstremizmin dhe terrorizmit me liberalizmin në sistemin ndërkombëtar i ka zgjuar projektuesit dhe zhvilluesit e sistemit liberal nga ëndrra e bukur e paqes globale, duke i vendosur përballë një lufte të përditshme me faktorë negativë, krijuar si pasojë e neglizhencës dhe vetëkënaqësisë së tyre. Apo, siç do të shprehej një nga etërit themelues të Amerikës – Benjamin Franklin: “Ne nuk luftojmë vetëm për veten, por për të gjithë njerëzimin”.

Në këto sfida të reja globale dhe kërcënime paralele, një Perëndim i bashkuar dhe vital mund ta shpëtojë botën nga e keqja, që është kanosur në dyert e saj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: