Home / Bota / Melania Trump, nga modele në Zonjë e Parë e mundshme e Amerikës

Melania Trump, nga modele në Zonjë e Parë e mundshme e Amerikës

Bashkëshortja e Donald Trump-it, dikur një modele profesioniste, është në krah të bashkëshortit në fushatën për nominimin si kandidat për president në Partinë Republikane. Por në SHBA, shumë kritikë besojnë se ajo nuk do të mund të ishte një zonjë e parë e përshtatshme me paraardhëset.

Nuk është e thjeshtë të marrësh rolin e Zonjës së Parë apo për hir të kësaj gare për nominimin si kandidat për president në Partinë Republikane të SHBA-së, të themi rolin e “Bashkëshortes së parë”. Evolucioni nga një person i pavarur te “gjysma më e mirë”, “arma sekrete” apo “gjenialja e arritur që vë familjen dhe fëmijët përpara gjithçkaje ndryshe nga bashkëshorti ambicioz”, mund të jetë i çuditshëm dhe i dhimbshëm.

Dhe Melania Trump, një ish-modele, një person që ka profesion bukurinë, është përpjekur maksimalisht të marrë këtë rol dhe të hyjë në linjat e një personi të përkushtuar.

Në fakt, edhe në politikë, në qeveri dhe në Uashington njerëzit tërheqës kanë avantazh. Ekziston pritshmëria se Zonja e Parë është gjithnjë e gatshme dhe e rafinuar. Dhe në evente shtetërore, ajo duhet të shprehë stilin e saj dhe të ketë një pamje të lavdishme, në nivel të përsosur.

Zonjat e Krahut Lindor, qoftë Jackie Kennedy apo Nancy Reagan, Laura Bush apo Michelle Obama, të gjitha kanë punuar nën stres dhe ia kanë dalë. Ato të gjitha kanë në shërbim stilistët më të mirë të vendit.

Zonjat e Para të Amerikës i përdorin veshjet si një mënyrë për të përkufizuar veten në skenën ndërkombëtare. Ne të gjithë e bëjmë këtë në shkallë më të vogël çdo ditë, ndaj kemi mundësinë të solidarizohemi me përpjekjen e tyre.

Por, për Zonjat e Para të periudhës moderne, pamja e tyre nuk ka qenë një profesion. Ato nuk kanë ndërtuar një karrierë bazuar mbi bukurinë e syve, qerpikëve të zgjatur apo flokëve të mrekullueshëm. Gjithnjë ka pasur në rezymenë e tyre diçka shumë më të rëndësishme. Por Trump ka qenë një modele, jo për pak kohë apo me kohë të pjesshme, jo në ndonjë agjenci të vogël vendase. Karriera e saj e ka çuar nga Sllovenia në Milano dhe Paris dhe së fundmi në Nju Jork, ku u njoh me burrin që pretendon të jetë president: Donaldin.

Kjo e bën atë një krijesë të rrallë dhe ekzotike, dikë që i merr të ardhurat bazuar në gjenezë, fat dhe tendenciozitet. Jashtë fushës së modës ajo shihet si një person i dyshimtë.

Në një kulturë më të gjerë, Trump priret të thotë fjalë që i lënë njerëzit pa mend. Por, në këtë rast, ku është lufta për sukses dhe para që mezi fitohen? Modelingu nuk është i lehtë, por është fakt që dikush lind me këtë prirje.

Në “tokën” e Trump, gjërat kanë ndryshuar. Në një intervistë të fundit të Donald Trump për revistën GQ, shoqëruar me një foto të arkivës së vitit 2011 të Melania Trump ku ajo duket teksa mban në gojë një varëse me gurë të çmuar, gjithçka është në kontrast.

Nga modele seksi, Melania Trump po përpiqet të bindë adhuruesit e bashkëshortit se është një grua normale, duke hequr dorë nga pozat joshëse për t’iu kthyer portreteve zyrtare, ashtu sikurse do t’i duhet nëse do të vërë këmbë në Shtëpinë e Bardhë.

Por përtej përpjekjeve reale që janë të dukshme, të qenët modele nuk konsiderohet si një plus për këtë rol. Puna e një Zonje të Parë dallon nga narcizmi dhe ambiciet pa kufi të modeleve që duan të çajnë përpara. Megjithatë, një modele ka një avantazh tjetër. Në jetën e saj profesionale, modelet nuk komunikojnë shumë me fjalë, trupi i tyre flet për to. Një shikim, një zgjatje krahu, një gjoks i hapur, këto janë mjete të “komunikimit masiv” që Trump po përdor për të shmangur fjalët.

Për shkak të pamjes, sa herë që del në skenë, bashkëshortja Trump duket plot vetëbesim, ajo qëndron ose ulet pranë bashkëshortit dhe përpiqet të jetë sa më pak shprehëse në fytyrë veç rasteve kur puna e do ndryshe. Ajo e di që të tjerët po e shohin dhe i ruhet kësaj.

Si një modele, lidhja e saj me veshjet është krejt ndryshe nga ajo që kanë gratë e tjera me rrobat. Në përditshmëri, veshjet nuk janë reflektim i personalitetit të saj. Ato janë një kostum në të cilin ajo futet për të marrë jetën që do. Ajo bëhet çfarë kërkon publiku, por për të gjithsesi rrobat vijnë të parat, sepse pa to, ajo nuk ka efektin që çdo grua tjetër me vetëbesim do të kishte.

Teksa shohim Trump të kuptojë se ç’do të thotë të përqafosh pamjen e një Zonje të Parë, me fustane të lirshme dhe pallto të thjeshta, kjo tregon se ajo po shtiret dhe po del nga vetja, ngaqë thellë-thellë është dhe dëshiron të jetë modelja së cilës të gjithë ia ngulin sytë me dëshirë.

Çfarë dimë ne për personalitetin e saj? Cila është gruaja që qëndron krah kandidatit më polemik për president? Synimi i saj për të qenë një Zonjë e Parë ka mbetur te buzëqeshja dhe kaq. Ajo nuk dëshiron ta prishë imazhin e saj me fjalë. Roli i saj mbetet ai i një modeleje, ajo shoqëron bashkëshortin në skenë, bën modelen e tij dhe pastaj largohet, transmeton Shqip.

Melania Trump është punësuar për të qenë një Zonjë e Parë dhe ajo po e luan më së miri këtë rol në sipërfaqe. Megjithatë SHBA-ja ka treguar tradicionalisht se Zonjat e Para kanë qenë më shumë sesa modele dhe ato kanë luajtur një rol në fshehtësi në ndikimin e politikave të bashkëshortëve të tyre. A do të arrijë të njëjtin sukses edhe bashkëshortja e Trump? Kandidati presidencial, Donald Trump, ka treguar se gratë për të janë veçse një zbukurim.

Leave a Reply

%d bloggers like this: