Home / Keshilla / Rekomandimet e Papa Françeskut…për të qenë të lumtur!

Rekomandimet e Papa Françeskut…për të qenë të lumtur!

lumturiaNë një periudhë të mbushur me luftëra dhe tragjedi të tmerrshme, një intervistë ekskluzive e Papa Françeskut është bërë një dekalog i vërtetë (ashtu si Dhjetë Porositë e Moisiut) për të arritur lumturinë. Postuar në “Viva”, suplementi javor i së përditshmes argjentinase “Clarin”, artikulli që i kushtohet Papës është një intervistë e gjatë nga gazetari Pablo Calvo, në një takim në Santa Marta i cili zgjati 77 minuta. Mes çështjeve të trajtuara nga Shenjtëria e Tij, aty janë pasqyruar dhjetë këshilla që Papa Françesku ka dashur t’ia përcjellë popullit të tij, që ata të gjejnë sa më shpejt paqen në mendjen e tyre. Ne i kemi përmbledhur si më poshtë:

Jetoni dhe lërini të tjerët të jetojnë

Sipas Papës, ky është një nga principet thelbësore për të qenë të lumtur. “Ecni përpara dhe lërini të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë”, ishte këshilla e Papës, përpara se të thoshte shprehjen tipike romane “Campa e lascia campare”.

Jepuni të tjerëve

“Njerëzit, ka thënë Papa, – nëse mbyllen në vetvete, rrezikojnë të bëhen egoistë. Edhe uji që rri në një vend bëhet i qelbur shumë shpejt”.

Vlerësoni qetësinë

Për këtë pikë, Papa Françesku ka cituar personazhin kryesor të një romani të Ricardo Güiraldes, i cili, duke parë prapa dhe duke përshkruar jetën e tij, thotë se në rini, ishte si një lumë i rrëmbyeshëm me shumë gurë, e që merrte me vete gjithçka, në moshën e pjekurisë ishte si një lumë i vrullshëm, ndërsa në një moshë më të madhe lëvizte ende, por lehtësisht. Pastaj Bergoglio ka thënë se “aftësia për të lëvizur me mirësi dhe përulësi, në një jetë të qetë, është tipike për të moshuarit, të cilët “janë kujtesa e njerëzve”.

“Mbrojeni” kohën tuaj të lirë

“Konsumizmi na ka çuar drejt ankthit të humbjes së një kulture të shëndetshme të kohës së lirë”, ka thënë Papa Françesku. Ja përse është e nevojshme të fikim televizorin kur ulemi për të ngrënë, sepse, pavarësisht se ai është një mjet i dobishëm i cili na mban të informuar, në tavolinë na ndalon “të komunikojmë” me të tjerët.

Kalojeni të dielën në familje

“Disa ditë më parë, në Campobasso, isha në një takim me studentë universitetesh dhe të punësuar: të gjithë e kërkonin të dielën pushim. E diela është për familjen. Kjo është gjëja më e bukur”.

Angazhojini të rinjtë

“Duhet të jemi kreativë me të rinjtë. Nëse mungojnë mundësitë, për ta është e lehtë që të shkojnë drejt përdorimit të drogës. Nuk duhet të harrojmë se në mesin e të rinjve të papunë, “taksa” e vetëvrasjeve është më e lartë. (…) Nuk është e mjaftueshme vetëm ushqyerja: është e nevojshme, për shembull, t’i fusni ata në kurse njëvjeçare për hidraulikë, elektricistë, rrobaqepëse etj. Dinjiteti vjen nga fakti i sjelljes së bukës në shtëpi”.

Mbrojeni natyrën

Degradimi mjedisor “është një nga sfidat më të mëdha për të cilën duhet të tregojmë kujdesin më të madh të mundshëm”.

Harrojini gjërat negative

“Nevoja për të folur keq për të tjerët tregon një vetëbesim të ulët. Vlen të thuhet: lërini të shkojnë gjërat negative sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është një gjë shumë e shëndetshme në të gjitha aspektet e jetës suaj”.

Respektoni mendimet e të tjerëve pa prozelitizëm (bindje)

Është e nevojshme që të respektoni besimet e të tjerëve. “Ne mund t’i inspirojmë të tjerët përmes dëshmisë, në këtë mënyrë të gjithë do të rritemi së bashku. Por gjëja më e keqe është prozelitizmi fetar, i cili “paralizon”, kjo ndryshe do të thotë: “flas me ty për të të bindur”. Çdo person duhet të dialogojë duke u nisur nga identiteti i vet. Kisha zhvillohet për tërheqje, jo për prozelitizëm”.

Bashkojuni paqes

“Jetojmë në një kohë të shumë luftërave”, ka thënë Papa, dhe “kërkesa e paqes duhet artikuluar me zë të lartë. Paqja nganjëherë jep përshtypjen e të qenët diçka e qetë, por ajo kurrë nuk është e qetë: ajo është gjithmonë një paqe aktive”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.