Home / Arte / Ekspozita / Çene sjell “Manipulations” në GKA

Çene sjell “Manipulations” në GKA

Ekspozita

91888“Manipulations” quhet ekspozita e artistit Adrian Çene, e cila u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në ekspozitë do të paraqiten rreth 70 punime në teknikën tempera-akrilik mbi letër dhe akuarel mbi letër. Kjo është ekspozita e parë e piktorit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë (lindur më 1969-n) dhe është diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1992. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. Në këto 20 vite krijimtari, Çene është dalluar për një pikturë stilistikefoviste, ku dominon ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraktuara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese.
Disa kohë më parë, rreth vitit 2009, përmes vizatimit, Adrian Çene mbivendoste imazhin e tij të imagjinuar mbi një imazh të dhënë, konkret e të palëvizshëm fotografik. Fotografia mediatike dhe riciklimi i saj u bënë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit, që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tijfoviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar. Pikturat në këtë ekspozitë janë një imazh jo real, i abstraktuar përmes ngjyrave, të cilat vijnë me një gjuhë shumë më të qetë, janë më pak kontrastuese dhe anojnë drejt plotësisë dekorative.

Leave a Reply

Your email address will not be published.