Home / Keshilla / A është aloe vera aq e fuqishme sa një ilaç?

A është aloe vera aq e fuqishme sa një ilaç?

aloeFillimisht në treg u hodhën një bum produktesh kozmetike me bazë aloe verën, për t’u përdorur mbi fytyrë dhe trup, me efekt antimoshë. Për më tepër, virtytet e aloes janë të njohura që nga antikiteti: duket se dhe Kleopatra e përdorte këtë bimë për të mbajtur lëkurën e re. Ndërsa tashmë kjo bimë e lëngshme po përdoret gjithnjë e më shumë si lëng ose xhel për t’u pirë dhe për të kuruar ose parandaluar shumë sëmundje. Falë shumë përbërësve të saj aktivë, aloe vera ndihmon në luftimin e lodhjes, gastritit dhe shenjat e plakjes, por edhe për të forcuar sistemin imunitar. Me pak fjalë, duket si një ilaç magjik, për të cilin të gjithë kemi nevojë. Por a është ajo vërtet e tillë? Për këtë kanë folur ekspertët.

Çfarë përmban realisht aloe vera?

Më shumë se 75 ushqyes dhe 200 përbërës aktivë, përfshirë mineralet (kalcium, hekur, kalium, krom, selen, natrium), vitaminat A, B, C, D, E, fibrat, enzimat dhe antioksidantët. Në mesin e substancave më interesante që kjo bimë është e pasur, është edhe karbohidrat kompleks, acemannani, i cili duket të ketë përfitime të mahnitshme për stimulimin e mbrojtjes natyrale të trupit. “Lëngu i aloe verës merret në ‘lëkurën’ e gjethes së kësaj bime, ndërsa ajo përmban disa substanca, të cilat kanë një efekt laksativ”, shpjegon Fabio Firenzuoli, drejtori i Qendrës për Mjekësi Integruese në spitalin “Careggi”. Lëngu i aloe verës ka një shije të ngjashme si ajo e qitros; është një lloj shije tropikale, e cila e bën atë shumë të mirë në stinën e verës, veçanërisht nëse pihet i ftohtë.

Kujt i bën mirë lëngu i aloe verës?

“Aloe vera mund të ketë efekte vërtet të fuqishme te disa sëmundje”, thotë Cyrus Vestita, profesor i mjekësisë bimore në Universitetin e Pizës. “Është e jashtëzakonshme për të luftuar gastritin dhe refluksin gastroezofageal, sepse ka një efekt zbutës te lëngjet e stomakut, ndërsa redukton shumë simptoma të dhembjes së tij”. Por jo vetëm. Lëngu i aloe verës është në gjendje të normalizojë vlerat e kolesterolit dhe të sheqerit, ndërsa vepron në shërimin dhe rregullimin e funksionimit të zorrëve.

A ka efekt antimoshë lëngu i aloe verës?

Po, sepse aminoacidet esenciale dhe oligoelementet që ajo përmban dërgojnë ujë në qelizat e lëkurës duke i dhënë një pamje më të shëndetshme. “Provoni në këto momente të prisni një gjethe nga bima juaj aloe vera (nëse e keni një të tillë ose nëse do ta blini). Hiqini gjembat dhe priteni atë në mes. Më pas do të dalë një lloj lëngu xhelatinë, të cilën mund ta aplikoni menjëherë në fytyrë ose duar, ndërsa do të ndieni një lloj freskie të pakrahasueshme. Ndjesia do të largohet pas pak minutash, duke e lënë lëkurën të butë dhe me plot vitalitet”, sugjeron kështu Vestita.

A mund të na ndihmojë kjo bimë për t’u dobësuar?

Sipas disa ekspertëve, ajo do të na ndihmonte në mbajtjen në kontroll të peshës, sepse rregullon nivelet e sheqerit në gjak duke parandaluar urinë. “Në të vërtetë është demonstruar se pirja e xhelit të aloe verës mund të rrisë efektshmërinë e ilaçeve antidiabetike dhe në këtë mënyrë të na japë hipoglicemi, por kjo nuk do të thotë se na ndihmon që të dobësohemi”, sqaron Firenzuoli. Megjithatë, falë kaliumit që përmban, mund të na ndihmojë në luftën kundër celulitit.

Po kancerin mund ta parandalojë?

Në fakt në internet qarkullon një lloj recete që si përbërës ka gjethet e aloes, mjaltin dhe rakinë. “Fatkeqësisht nuk ka studime të cilat tregojnë efikasitetin antikancer të aloe verës. Por nga ana tjetër, është e vërtetë se disa polisakaride, të cilat gjenden në këtë bimë, kanë një veprim imuno-stimulues dhe kjo është treguar nga studime serioze”, shpjegon Firenzuoli.

Lëngu i aloe verës: udhëzime për përdorim

Ja se çfarë duhet të bëni për të ndjekur një kurë me aloe vera kundër gastritit dhe për të qëndruar të shëndetshëm:

“Ideale do të ishte të zgjidhni produktet të cilat në etiketim kanë të mbishkruar lëng puro ose xhel aloe vera 90%”, rekomandon Ciro Vestita, mjek ekspert në mjekësinë bimore. Ndërkohë do të ishte mirë që të shmangnit pijet që përmbajnë veçanërisht ujë dhe sheqer. Për të qenë sa më e efektshme, kura me aloe vera duhet të zgjasë të paktën tre muaj. Po doza? Ju duhet të pini një lugë gjelle me stomakun bosh përpara çdo vakti. Nëse nuk ju pëlqen shija, ju mund ta holloni xhelin e saj me pak ujë ose lëng frutash të freskët.

Leave a Reply

%d bloggers like this: