Home / Kryeartikull / Sa shumë Anjeza në këtë vend !

Sa shumë Anjeza në këtë vend !

Nga Zilie Feçi

Të gjitha pamë me zë dhe figurë Anjezën e kopshtit “Diren”. Pamë si qëllonte dhe rrihte një fëmijë dhe si e trajtonte atë. Në fakt, pas pamjeve, edhe të rriturit mbetën me pasoja. Jo vetëm ata që janë prindër, por edhe të tjerë që ende nuk janë bërë të tillë. Ajo dridhja e zërit dhe e duarve të atij fëmije, teksa kërkon mbështetje tek një edukatore tjetër aty pranë, do të mbeten gjatë në mendjen e prindërve që punojnë fort për edukimin e mirë të fëmijëve.

Si një rastësi jo fort të këndshme, dy ditë më parë, në rrugën e shtëpisë sime, një zonjë (për veprimin që kryente, nuk mund ta quaj aspak të tillë) ishte duke rrahur një fëmijë, e godiste me shkelma dhe e kapte për veshi, sa nuk di ç’të them. E rrihte aq shumë, sa edhe mua po më dhembte, jo më atij njomëcaku. Nuk m’u ndenj dhe reagova keq me atë grua. Mesa kuptova nuk ishte nëna i fëmijës, por ndoshta dado ose e afërm. Pas një debati disa minutësh, ku u shtuan edhe kureshtarët, me “përzuri” me fjalët: “pse fëmija jot është” dhe u ndjeva “fajtore” që kisha futur hundët në punët e saj.

Në fakt, fëmija nuk ishte imi, por fëmija është pjesë e shoqërisë ku banoj unë, ti, ai fëmija dhe ne të gjithë. Unë nuk e di se çfarë ndodhi më pas me atë fëmijë, ashtu sikurse ende nuk dimë se çfarë bëhet me fëmijën e dhunuar aq keq në kopshtin “Diren”, që na e drejtonte Anjeza Shabani, e që fatkeqësisht e paskemi pasur edhe kolege për ca kohë. Anjeza Shabani u ndalua nga policia dhe ndaj saj janë duke u kryer hetime me intensitet të plotë. Dhe për fat, ky rast u zbulua, po sa raste të tjera ndodhin në kopshtet e çerdhet e fëmijëve? Sa prindër rrinë çdo ditë me frikë se ndaj fëmijës së tyre ushtrohet dhunë e çdo lloj forme?

Nëse do flisnim me ashpërsinë e ligjit, për mua personalisht, Anjeza Shabanit dhe të gjitha anjezave të këtij lloji në të gjithë vendin, duhet t’u hiqet e drejta e prindërimit, sepse dhuna është pjesë e jetës së saj dhe se nuk mund të rrijë pa të, ndaj dhunë të një forme tjetër ndoshta jo fizike ajo ushtron edhe ndaj fëmijës së saj. Pra me pak fjalë, Anjezat nëpër Shqipëri rrisin fëmijë të dhunuar, që nesër do të jenë e ardhmja e dhunshme e vendit tonë. Në këtë vend kanë ndodhur aq shumë gjëma 25 vitet e fundit, sa duhen net të gjata dimri për t’i numëruar. Por, gjëma si ajo e administratores së kopshtit, që ka në dorë një brez të tërë për të edukuar, është më e rëndë dhe me pasoja të pariparueshme.

Një nënë, grua, ish-gazetare e kthyer në pronare apo administratore e një institucioni parashkollor ka ngritur në këmbë një opinion të tërë për të parë nga e ardhmja, duke e lënë pas të kaluarën dhe të sotmen. Nuk do ta besoja kurrsesi që kjo kishte ndodhur, edhe pse lajmi mori dhenë, nëse vetë Anjeza Shabani me plot gojën do dëshmonte se e kishte rrahur, por edhe puthur fëmijën 3 vjeç. Në raste të tilla, askush nuk duhet të mendohet dy herë për të thënë se për këtë edukatore dhe pronare kopshti dhe çdo lloj qenie tjetër që kryen krime të tilla dënimi të jetë i rëndë, në maksimumin që përcakton ligji. Sepse, nëse nuk bëhen shembuj autorët e këtyre lloj krimesh, ç’mund të presim më tej.

Nga ana tjetër, mendoj se duhet të bëhen anketime nga shoqëria civile, apo nga vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit për të zbuluar raste të tjera. Duhen gjetur modelet që ka e gjithë Evropa në këtë drejtim që ky lloj krimi të mos mbetet në kufijtë e të fshehtës, apo të pritjes së zbulimit nga kamerat e fshehta të mediave. Krime kaq të tmerrshme nuk kanë si t’i shpëtojnë vëmendjes së Ministrisë, e cila duhet të mendojë se në këtë Shqipërinë e varfër janë me mijëra fëmijë që mësojnë në shkolla pa drita, pa ujë, pa tualete, pa kushte, me mure e tavane të rënë, por t’ua kursejmë gjëmën e madhe të dhunës nga edukatorë, mësues, pronarë kopshtesh e çerdhesh. Unë nuk e njoh Anjezën, por kjo grua, që na qenka edhe nënë nuk është thjesht një individ. Eshtë tashmë një fenomen.

Në të gjithë këtë histori, u ndjeva mirë nga reagimi, por mos ndoshta do ishte më mirë që të gjithë ne të jemi pjesë e një diskutimi të gjerë dhe përpara se të vendosen kamera sigurie, sipas ligjit të ri në hyrje pallatesh apo rrugësh, sikur propozohet me ligjin e ri, ta fillojmë me institucionet shkollore, që të mos tronditemi më nga pamje të ndryshme nga e gjithë Shqipëria që shfaqen në media, apo rrjete sociale. Pjesë e fenomenit janë edhe ato edukatorët e tjera që rrinë e bëjnë sehir, që nuk kanë asnjë kurajë t’i kundërvihen pronares. Dhe më shumë se dhuna ndaj një fëmije është indiferenca e atyre edukatorëve. Duhej një dyshim i prindit dhe kërkesa për ndihmë në media që ky skandal i radhës të zbulohet. Studimet për dhunën, që janë kryer në Shqipëri e rendisin dhunën ndaj fëmijëve të dytin pas dhunës ndaj grave. Fëmijët janë shpesh viktima të harruara të dhunës në familje ndaj grave, por, në fakt, fëmijët shpesh janë dëshmitarë të dhunës ose e dinë se po ndodh dhunë në shtëpi sepse dëgjojnë britmat dhe grindjet, shohin lëndimet dhe dëmet materiale të shkaktuara. Përveç kësaj, fëmijët e të gjitha moshave, por sidomos fëmijët e vegjël, janë mjaft të rrezikuar nga dhuna në familje dhe mund të lëndohen ose drejtpërsëdrejti ose tërthorazi nga dhuna në shtëpinë e tyre. Edhe nëse nuk janë viktima të drejtpërdrejta të dhunës në familje, fëmijët shpesh vuajnë nga të njëjtat probleme të sjelljes dhe probleme psikologjike si fëmijët e dhunuar dhe ata të lënë pas dore.

Në veçanti, fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës në shtëpinë e tyre shpesh vuajnë nga probleme fizike, shoqërore dhe zhvillimore (p.sh., probleme të të nxënit, aftësi shoqërore të kufizuara, depresioni ose ankthi i skajshëm, dhe/ose shfaqin sjellje të dhunshme, të rrezikshme ose të paligjshme). Duke u kthyer te rasti, nuk është koha as momenti të merremi me Anjezën. Fati i saj është në duart e Drejtësisë, por duhet të nisë një kontroll i rreptë në të gjithë vendin, në kopshte e çerdhe private e shtetërore. Nëse në mes të Tiranës, ky kopshti qenka pa licencë, atëherë çfarë mund të ndodhë në disa zona më pak urbane të Shqipërisë. Nëse Ministria e Arsimit dhe Sporteve nuk ka nge të merret me këto çështje, atëherë përse duhet dhe kujt i hyn në punë, pyetje që janë shtruar edhe kur media të ndryshme kanë publikuar pamje filmike të dhunës në shkolla, kur mësuesit përdorin gjithçka për të goditur fëmijë, në Tiranë dhe zona të tjera. Qoftë larg, nëse kjo zgjat shumë. Sepse, më pas fundi dihet! Do jemi një shoqëri përjetësisht e dhunuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.