Kosova

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për transformimin e FSK-së

Në fund të seancës me 65 vota pro dhe asnjë kundër kaloi projektrezoluta lidhur me FSK-në, e formuluar në koordinimin me të gjitha grupet parlamentare.

Në seancën e djeshme, plenare të Kuvendit të Kosovës u mbajt debati parlamentar lidhur me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).

Në fund të seancës me 65 vota pro dhe asnjë kundër kaloi projektrezoluta lidhur me FSK-në, e formuluar në koordinimin me të gjitha grupet parlamentare, e cila ndryshe nga propozimi i parë i deputetit, Daut Hadarinaj, përbëhej nga dy pika. Në pikën e parë të saj kërkohet që Qeveria e Kosovës të autorizohet sa më parë të koordinojë dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës për miratim strategjinë për transformim të FSK-së në FAK. Kurse në pikën e dytë të kësaj rezolute kërkohet nga Kuvendi, Qeveria dhe mekanizmat e tjerë institucionalë të vazhdojnë angazhimin për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve operacionale konform mandatit të ri të forcave të armatosura të Kosovës.

Në fillim të seancës iniciuesi i debatit, deputeti nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj vuri theksin në atë se pengesë për transformimin e FSK-së është Lista Serbe dhe shtoi se në rast se nuk mund të ndryshohet Kushtetuta duhet gjenden format e tjera për këtë transformim.

Haradinaj po ashtu propozoi një projektrezolutë e përbërë nga 3 pika, ku kërkohej që deri më datën 1 mars, Qeveria ta procedojë në Kuvend për miratim përmbajtjen e projektligjit për avancimin e mandatit dhe misionit të FSK-së. “Pika dy, FSK-së t’i ndryshohet mandati dhe misioni sikurse dhe të avancohen aspektet profesionale njerëzore të pajisjeve material teknike në ato buxhetore në mënyrën që të fillojë menjëherë përmbushjen e kapaciteteve fillestare opercionale dhe atyre të plota në kuadër të misionit ushtarak, tashmë të FSK-së në koordinim të plotë me partnerët strategjik dhe ato të NATO-s”, tha Haradinaj.

Kurse në pikën e fundit të kësaj projektrezolute kërkohet nga Qeveria, Kuvendi dhe institucionet tjera që të bashkërendojnë angazhimin dhe të harmonizojnë përpjekjet e përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve të forta operacionale konform misionit të ri të FSK-së.

Nga ana e tij, ministri i MFSK-së, Haki Demolli theksoi se FSK-ja është e gatshme për transformim dhe shtoi se për këtë janë në pritje të vendimit të Kuvendit. Ai vuri në dukje se Lista Serbe po e pengon këtë proces, të cilët sipas tij në fillim kanë kushtëzuar votat e tyre me kërkesa të caktuara, e më pas, nga gjysma e dytë e vitit të kaluar nuk iu janë përgjigjur 18 ftesave të MFSK-së për takime për të diskutuar për këtë çështje. Ai së fundi falënderoi deputetët e komunitetit jo-serbë për mbështetjen e transformimit të FSK-së pa asnjë kusht.

“FSK është plotësisht e gatshme për misionin e ri, për t’u shndërruar në Forcë të armatosur, e cila do të jetë një forcë bashkëkohore, jovoluminoze, diku me 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë, një forcë multietnike që respekton barazinë gjinore, e cila do të ketë vetëm kapacitete mbrojtëse që nuk do të paraqesë kurrfarë kërcënimi”, tha Demolli.

Kurse në emër të grupit parlamentar të partisë qeveritare, Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu u shpreh se janë pjekur të gjitha kushtet që FSK të transformohet në forca të armatosura të Kosovës. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm për hapat që do t’i ndjekim dhe besoj shumë se hapat tanë do të jenë në përputhje të plotë me sugjerimet e partnerëve tanë e sidomos atyre amerikanë dhe NATO-s”, tha Musliu.

Deputetët e pozitës dhe opozitës janë pajtuar se ky transformim duhet të ndodhë, mirëpo deputetët e pozitës, sidomos të Lidhjes Demokratike të Kosovës theksojnë se ky vendim për transformim nuk duhet merret pa koordinimin e NATO-s, SHBA-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kurse sipas deputetëve të opozitës, ky transformim duhet të ndodhë sa më shpejtë, duke u shprehur se ndryshimi i misionit të FSK-së mund të bëhet edhe pa votat e deputetëve serbë.

Ndryshe në seancë nuk ishin të pranishëm deputetët e Listës Serbe, të cilët prej pesë muajsh bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës. Ndërkaq, për ndryshimet kushtetuese, për transformimin e FSK-së në FAK nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të komunitetit shumicë, por edhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë.

Ndërkaq në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës propozim rezoluta për arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin e 4 gushtit ndaj Kuvendit të Kosovës, nuk ka kaluar, si dhe propozim rezoluta për situatën e krijuar në Mitrovicë nuk është votuar, për shkak të mungesës së kuorumit të mjaftueshëm për të për të arritur numrin e votave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button