Kronika

Ardian Fullani mori kompetencat e guvernatorit të dytë dhe në tenderë

Skandali në BSH 

Ish-guvernatori shkeli vendimin nr.78 të vitit 2008 të Këshillit Mbikëqyrës

Nga Sokol Çobo

Ardian-Fullani-ne-burgProkuroria dyshon se ish-kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka marrë kompetencat e guvernatorit të dytë edhe në tenderët dhe prokurimet e drejtpërdrejta. Prej disa javësh, Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, po heton edhe për shpenzimet e luksit të BSH-së, gjatë viteve të fundit, ku ka derdhur miliona euro për godina, rikonstruksione, qira, për ngrënie, apo edhe për udhëtime jashtë vendit. Krahas hetimeve për vjedhjen e Thesarit, ku janë marrë mbi 700 milionë lekë, prokuroria po verifikon edhe këto kontrata, tenderë, apo prokurime të drejtpërdrejta të Bankës, të cilat dyshohet se janë firmosur të gjitha nga ish-guvernatori Ardian Fullani. Dy prokurorët e kësaj çështjeje, Ndini Tavani dhe Ramadan Troci, mësohet se kanë gjetur edhe shkeljen e radhës nga Fullani, i cili nuk ka zbatuar një vendim të Këshillit Mbikëqyrës të vitit 2008, i cili bënte fjalë pikërisht për miratimin e rregullores “për procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë”.

Vendimi nr.78 i vitit 2008

Prokuroria e Tiranës ka analizuar me kujdes këtë vendim të Këshillit Mbikëqyrës, i firmosur nga vetë ish-guvernatori Ardian Fullani. Burimet nga njësia Task-Forcë pohojnë se mosemërimi i guvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë, ka shtuar automatikisht kompetencat e Fullanit, ndërsa akuza po shikon edhe vendimmarrjen e zëvendësguvernatores së parë, Elisabeta Gjoni. Dyshohet se këta dy administratorë kanë qenë në disa raste kryetarë të Entit Prokurues, kur në fakt duhet të ishte zëvendësguvernatori i dytë që nuk u zgjodh nga Fullani për disa vite me radhë. Prokuroria thotë se dhjetëra tenderë janë kryer në mënyrë të paligjshme, duke mos respektuar aktin juridik, që për rastin konkret është rregullorja nr.78 e datës 19.11.2008. Akuza thotë se vendimi në fjalë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është administruar në dosje, ndërsa të gjitha kontratat, tenderët, apo edhe prokurimet e drejtpërdrejta të BSH-së, po krahasohen me këtë rregullore. Mësohet se vendimi në fjalë është firmosur nga vetë Fullani.

Gazeta “Shqip” ka siguruar këtë vendim të Këshillit Mbikëqyrës, dhe sipas nenit 4, thuhet se zv/guvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë është kryetari i Entit të Prokurimit. “‘Kryetar i Entit Prokurues’ nënkupton zëvendësguvernatorin e dytë të

Bankës së Shqipërisë”, thuhet në këtë vendim, ku në rastin konkret, sipas burimeve të prokurorisë, këto kompetenca janë “vjedhur” nga Fullani, ndoshta edhe nga Gjoni. Hetuesit shtojnë se këto kompetenca janë marrë, duke lënë vakant për një kohë të gjatë, postin e zv/guvernatorit të dytë të BSH, veprim ky që deri tashmë nuk është përcaktuar nëse është neglizhuar qëllimisht apo nuk ishte përzgjedhur një emër i përshtatshëm, për t’ia ngarkuar këtë detyrë. Ligji e përcakton qartë se guvernatori propozon një emër për zëvendësguvernator të dytë në Këshillin Mbikëqyrës, ndërsa Fullani e ka neglizhuar për vite me radhë.

Tenderët dhe prokurimet

Prokurori që ka hetuar vjedhjen në Thesarin e Shtetit, Ramadan Troci, së bashku me prokurorin tjetër Ndini Tavani, do të hetojnë edhe tenderët e BSH-së. Mësohet se procedurat e këtyre tenderëve apo prokurimeve në Bankën e Shqipërisë dyshohet se janë bërë në mënyrë të paligjshme. Pas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa do të verifikohen disa procedura të kryera nga BSH-ja. Mësohet se me urdhër të guvernatorit Fullani, i cili është i arrestuar pas vjedhjes në Thesarin e Shtetit, janë bërë disa prokurime të drejtpërdrejta për blerje godinash, marrje selish, apo edhe ndërtime, të cilat, nëse do të bëheshin me procedura normale, do të kishin vlera shumë herë më të vogla. Por, BSH-ja ka preferuar të bëjë këto prokurime të drejtpërdrejta që i kanë sjellë pagesat miliona euro. Ka dyshime se këto miliona euro të “tepërta” kanë shkuar në xhepat e drejtuesve të Bankës së Shqipërisë, të cilët, duke pasur një buxhet më vete nga qeveria, ia lejojnë vetes edhe këtë luks. Madje, dy raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar dhjetëra shkelje, të cilat, deri pak javë më parë, nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë. Dyshimet më të mëdha bien mbi transaksionin e dyshimtë të vitit 2010 mes qeverisë së asaj kohe dhe bankës, ku kjo e fundit pagoi plot 30 milionë euro për ta blerë. Ndërkohë, më vonë, u dhanë sërish miliona euro për rikonstruksione, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë përfunduar. Për pasojë, ish-hotel “Dajti” vazhdon të jetë gërmadhë, teksa KLSH-ja ka kontrolluar edhe tenderët e tjerë. Vite më parë, banka vendosi të bëjë rikonstruksionin e plotë të qelisë qendrore, godinës në qendër të Tiranës. E gjithë administrata u zhvendos në ambiente të marra me qira, ku BSH-ja paguan sërish miliona euro. Ndërkohë, burimet nga prokuroria pohojnë se ka dyshime se, edhe pas rikonstruksionit të kësaj godine, BSH-ja ka bërë disa tenderë dhe prokurime të drejtpërdrejta. Bëhet fjalë për pjesën e pasme të godinës, e cila u vendos të bëhej kohët e fundit dhe që nuk ishte parashikuar të ndërtohej me planin e parë.

Faksimile

Rregullorja nr.78 e datës 19.11.2008 e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që përcakton se ‘Kryetar i Entit Prokurues’ nënkupton zëvendësguvernatorin e Dytë të Bankës së Shqipërisë”. Moszgjedhja e këtij administratori, ka sjellë që Fullani të “vjedhë” kompetencat dhe të jetë kryetar i Entit Prokurues.

Rekursi

Golemi kërkon të lirohet nga Gjykata e Lartë

Elvira Golemi pas hekurave INFOCIPIsh-kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë, e arrestuar pas skandalit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit, kërkon lirinë nga Gjykata e Lartë. Avokatët mbrojtës të Elivar Golemit kanë depozituar në datën 29 shtator rekursin në Gjykatën Supreme, ku kërkojnë lirimin, duke kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Tiranës dhe Apelit, që e lanë në burg. Mësohet se Golemi po qëndron prej 25 ditësh në paraburgimin 313 në Tiranë, ku ish-eprori i saj u lirua nga e njëjti trupë gjykuese në Apel, duke qëndruar vetëm 10 ditë në qeli. Gjyqtarja e Shkallës së Parë, Blerina Muça, dhe ata të Apelit, Alaudin Malaj, Shkëlqim Miri dhe Agim Bendo, kanë firmosur burgosjen e kësaj zyrtareje, e cila nuk ka pasur rrethana lehtësuese, si Fullani. Apeli zbardhi arsyen e burgosjes së Golemit, ku thuhet se “ndaj kësaj shtetaseje ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ajo mund të jetë autore e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’. Kjo, pasi sipas trupës gjyqësore ekzistojnë elementë të mjaftueshëm, si dhe rrethana fakti të tilla, të cilat i krijojnë dyshimin Gjykatës së Apelit se personi nën hetim mund të jetë autor i kësaj vepre penale, duke qenë se dyshohet se dëmi mund të ketë ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e moszbatimit të përsëritur të detyrave periodike nga ana e Departamentit të Kontrollit, i cili drejtohej nga Inspektori i Përgjithshëm, Elivar Golemi, person nën hetim”. Golemi, sipas gjykatës, nuk ka raportuar periodikisht pranë Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka audituar Departamentin e Emisionit e konkretisht arkën për veprim dhe arkën stok, të konsideruara pika rreziku, detyra të cilat në rast se do të ishin zbatuar me përpikëri do të kishin shmangur kryerjen e veprës penale të “vjedhjes” në Bankën e Shqipërisë.

Disa ditë më parë, dy oficerë të policisë gjyqësore i kanë shkuar në qeli, ndërsa hetuesit nuk kanë marrë asnjë detaj prej saj, kjo pasi Golemi ka refuzuar të përgjigjet, taktikë të cilën e përdori edhe një javë më parë Ardian Fullani. Mësohet se ish-inspektorja nuk ka dashur të japë sqarime, pa u njohur më parë me dosjen hetimore të prokurorisë. Prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish-inspektoren e përgjithshme, duke i gjetur katër shkelje të rënda, të cilat çuan në burgosjen e saj. Golemi reagoi gjatë vlerësimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit, ku u shpreh se ka dërguar informacion çdo tre muaj te Këshilli Mbikëqyrës.

Nga ana tjetër, për disa ditë me radhë, gratë dhe vajzat shkodrane kanë protestuar në mbështetje të ish-inspektores së përgjithshme të BSH-së. Ato kërkuan që drejtësia të veprojë “drejt” dhe jo duke lënë vetëm bashkëqytetaren e tyre në burg. Për burgosjen e Golemit foli edhe Kryeministri Rama, duke theksuar se drejtësia ka vepruar me dy standarde, ku Fullanin e liroi dhe Golemin e mbajti në qeli, megjithëse është femër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button