Opinion

Ekziston një lidhje mes MEK, Berishës dhe sulmit hacker kundër Shqipërisë? Ja disa fakte

Nga Karlo Bollino

Kontrolli i ushtruar nga ana e policisë në kampin e muxhahedinëve iranianë me urdhër të SPAK, nxori në dritë një lidhje të dyshuar mes këtij grupi misterioz refugjatësh politikë dhe bandës së Sali Berishës. Të parët që u hodhën në mbrojtje të muxhahedinëve (dhe kundër policisë) në fakt janë pikërisht Berisha dhe mediat e tij, të imituar sot dhe nga Ilir Meta. Idea që opozita duhet të kritikojë edhe hetimet e prokurorisë vetëm se bën opozitë, është një vizion anti-Kombëtar dhe anti-Shtet. Dyshimi në të vërtetë është se Berisha i mbron muxhahedinët iranianë edhe për ndonjë arsye tjetër.

Verën e vitit të shkuar Shqipëria u vu në qendër të një sulmi shumë të fuqishëm të hackerave, zyrtarish i atribuuar qeverisë së Teheranit që po sulmonte institucionet shqiptare si formë raprezalje për faktin se Tirana strehon në kampin e Manzës gati 2000 disidentë iranianë të MEK, një organizatë marksiste, armike e betuar e atij regjimi teokratik. Grupi që mori përsipër sulmin hacker kundër Shqipërisë nuk bëri asgjë për të fshehur qëllimin e vet politik kundër MEK dhe kundër Shqipërisë, deri në pikën që Tirana iu përgjigj agresionit kibernetik duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin. Pra, ato sulme kishin një firmë të deklaruar.

Shumë nga dokumentet që u hackeruan nga bandat e qeverisë iraniane u publikuan në disa faqe facebook dhe telegram të quajtura “Homeland Justice”. Çudia që e kishim vënë re që nga ditët e para të sulmit, ishte se ato faqe, para se të publikonin dokumentat e hackeruara, ishin krijuar për të publikuar lajme dhe video të protestave në shesh të organizuara në ato javë nga Sali Berisha kundër qeverisë së Edi Ramës. Në ato artikuj nuk kishte asnjë referim për MEK dhe as për disidentët iranianë, por vetëm sulme ndaj qeverisë shqiptare dhe lavdërime për protestat e opozitës.

Nga hetimet e SPAK, sot u zbulua se në prill të 2022, pra tre muaj para sulmit të sistemeve shqiptare të ndodhur me 15 korrik 2022, hackerat nga Manza kishin sulmuar bashkinë e Teheranit duke hackeruar mbi 5000 telekamera të vendosura për kontrollin rrugor. Një operacion shumë i ngjashëm me atë të bërë disa muaj më pas kundër kamerave të policisë shqiptare. Gjithnjë sipas hetimeve të SPAK në maj të 2023 u hackeruan shumë faqe ëeb të lidhura me ministrinë e jashtme iraniane duke vjedhur me mijëra dokumente me një volum total prej 50 terabite. Një sasi e jashtëzakonshme, shumë e ngjashme me atë “të vjedhur” nga sistemet digjitale shqiptare që më pas përfunduan në socialmedia të administruara nga “Homeland justice”. Edhe teknika e shpërndarjes online së materialit të hackeruar nga iranianët dhe anti-iranianët është shumë e ngjashme.

Dyshimi, që në këtë pikë duhet të verifikohet nga SPAK, është nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes sulmeve të bëra në Manzë kundër sistemeve digjitale Iraniane dhe atyre të bëra kundër sistemit digjital shqiptar. Pra është e mundur që sulmet kundër institucioneve shqiptare të kenë nisur pikërisht nga kampi i Manzës për t’ja kaluar përgjegjësinë qeverisë së Teheranit? Në luftë quhet “false flag”, dhe është një teknikë shumë e njohur që synon që përgjegjësia e një sulmi të bie ndaj armikut, kur në të vërtetë është bërë nga një forcë aleate. Pra  MEK mund të ketë sulmuar Shqipërinë “mike” për të bërë që të akuzohej republika islamike, me të cilën në të vërtetë Tirana i prishi marrëdhëniet diplomatike.

Hackerat e Manzës që mundën të futen në sistemet informatike iraniane të superblinduara, të predispozuar për t’u mbrojtur nga sulme të CIA-s, kishin me siguri aftësitë teknike për të depërtuar në sistemet dixhitale shqiptare, akoma më tepër sepse duke punuar në territor do të mundnin të përfitonin dhe nga bashkëpunëtorë apo të infiltruar lokalë, plus dhe njohjen e mirë të gjiuhës shqipe, e domosdoshme për të seleksionuar materialin për të hackeruar në faqet ëeb të institucioneve shqiptare.

Pyetja tjetër që duhet bërë në këtë pikë, është se a ekziston një lidhje mes këtyre veprimeve terroristike kundër Shtetit shqiptar dhe personave të lidhura me Sali Berishën, që prej kohësh tashmë (dhe sidomos në ato muaj të fushatës anti-amerikane) është në kërkim të çdo rruge për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Bllokimi i aparatit digjital të Shtetit, siç ndodhi me sulmin terrorist digjital të verës 2022, mund të ishte një nga rrugët e mundshme.

Kur forcat speciale me urdhër të SPAK-ut u futën në qendrën e Manzës, dronët filmuan disa muxhahedinë duke djegur dokumenta. Cila ishte emergjenca e djegies së atyre dokumentave? Ishin kopje të pakuptueshme dokumentashnë gjuhën farsi të hackeruara në Iran apo material në gjuhën shqipe me dokumenta të hackeruara në Tiranë?

Për momentin janë vetëm pyetje të cilave urojmë që SPAK të mund t’i japë një përgjigje të qartë dhe pa ekuivoke. Përgjigje që do të duhet të sqarojnë edhe dy mistere të tjera të vogla: Përse prej dy ditësh Sali Berisha është kaq i shqetësuar për hetimet që po bëhen në Manzë? Dhe si shpjegohet që mes shumë avokatëve që gjenden në Shqipëri, si mbrojtës i muxhahedinëve, është emëruar pikërisht avokati personal i familjes Berisha?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button