Kryeartikull

Përse Berisha sot ndjehet muxhahedin?

Mero Baze

Nuk ka vend për debat as për ndërhyrjen e koordinuar të policisë me aleatin tonë strategjik, rreth veprimtarive të dyshuara si kriminale brenda kampit të tyre dhe që rrezikojnë seriozisht sigurinë e vendit tone, duke na bërë shënjestër jo vetëm të Iranit, por dhe vendeve të tjera të cilat preken nga veprimtaria e tyre ilegale.

I vetmi debat që duhet sqaruar është përse Sali Berisha sot e ndjeu veten “muxhahedin” dhe pse turfullonte në Parlament për ndërhyrjen e policisë mbi ta.

Arsyeja e parë formale, është se ai kuptoi që SHBA qëndronte pas kontrollit në kamp dhe kudo që ka një interes amerikan, Berisha është i gatshëm të “rrëmbejë armët” për të dalë në krye të turmës në këtë vend. Edhe në këtë rreshtim ai shpreson ta ndajë SHBA në dy pjesë, në një SHBA që është me MEK dhe i ka sjellë ata në Shqipëri, dhe sipas tij, me një SHBA tjetër që është kundër asaj SHBA së madhe, dhe që po bashkëpunon me Edi Ramën kundër tyre.

Është njësoj si teoria e shpalljes “non grata” që ai ka shpikur dy SHBA. Një SHBA që e ka shpallur “non grata” dhe është e Sorosit dhe Biden, dhe një SHBA tjetër që një ditë do ta rehabilitojë, edhe pse e di mirë që nuk do ndodhë kurrë. Është e gjitha një përpjekje për të mbajtur në këmbë teorinë e dy SHBA-ve, për të relativizuar hallin e vet dhe jo të muxhahedinëve.

Ndaj dhe thotë jam muxhahedin, se dhe ata shpresojnë që dikush tjetër në SHBA do t’ua tolerojë atë që po tentojnë të bëjnë brenda kampit, duke ndjellë konfliktin tek vendi që i ka strehuar.

Arsyeja e dytë është më e fortë se e para dhe ka të bëjë me faktin se ai ka mësuar që muxhahedinët po rrezikonin seriozisht sigurinë e vendit. Atë që Berisha nuk po e arrin dot me dhunë, me nxitje protestash, me intriga videosh dhe para të pista, muxhahedinët kanë qenë shumë afër ta realizonin dy javë më parë, dhe kanë shtuar rrezikun ndaj vendit në përmasa të frikshme.

Në këtë kuptim ata janë aleatët më të mëdhenj të Sali Berishës, pasi janë duke realizuar ëndrrën e tij me parae të SHBA. Duke qenë aq afër asaj ëndrre, ai nuk mund t’ia falë policisë dhe pushtetit në Shqipëri, t’ia shkatërrojnë atë ëndërr, dhe të rikthejnë sigurinë në vend duke vendosur kontroll të plot mbi një kamp muxhahedinësh, të cilët të vetmin qëllim final të jetës së tyre kanë luftën.

Të dyja këto arsye e bëjnë Berishën sot një ushtar të zjarrte të muxhahedinëve dhe e bëjnë të ndjehet si ata. Ndaj është mirë që dhe të trajtohet si ata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button