Ekonomia

“Green Coast” i Balfin Group klasifikohet si investim strategjik

Projekti turistik “Green Coast” vlera e të cilit llogaritet në rreth 52 milionë euro do të klasifikohet si investim strategjik. Vendimi i marrë nga Këshilli i Investimeve pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes pritet të zbardhet, por për “Monitor.al” është konfirmuar nga investitori, Balfin Group, i cili do të bëjë edhe zhvillimin dhe zbatimin e këtij projekti.

Bëhet fjalë për një resort turistik elitar me vila dykatëshe, në Draleo-Bashkia Himarë, dhe që pritet të punësojë rreth 500 veta.
Po ky grup parashikon edhe realizimin e një tjetër investimi të madh, që pritet të marrë gjithashtu statusin e investimit strategjik, po në turizëm, që do të jetë në Hamallaj (Gjiri i Lalëzit) ku planifikohet krijimi i një kompleksi turistik rekreativ të standardeve të larta me vlerë 26 milionë euro.
Në total qeveria shqiptare ka identifikuar katër investime strategjike, tre në turizëm dhe një në bujqësi që llogarisin vlerën 116 milionë euro.

Çfarë përfiton investitori strategjik

Paketa legjislative përcakton sektorët si dhe nënsektorët përkatës, të ekonomisë, të identifikuar strategjikë, si dhe parashikon procedurat e posaçme administrative favorizuese, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve strategjikë.

Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët/nënsektorët e sipërpërmendur, si strategjik janë dy. Konkretisht, interesi publik që bart një investim, si dhe kriteri financiar.

Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet, ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen e konkurrencës dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.

Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1 (një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se 50 (pesëdhjetë) milionë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button