Bota

“Jemi këtu për lirinë”. 1.5 mln në marshimin kundër terrorizmit në Paris

Marshimi historik kundër terrorizmit dhe në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris, mblodhi rreth 1.5 milionë manifestues në rrugët e kryeqytetit francez. I mbajtur nën masa të jashtëzakonshme sigurie, me angazhimin e 5500 forcave policore, ai kaloi pa incidete.paris

Parisi i tronditur nga sulmet e fundit terroriste u kthye këtë të dielë në kryeqytetin e botës. Qytetarë të kombësive të ndryshme dhe 56 udhëheqës botërorë, si dhe drejtues të besimeve fetare “pushtuan” sheshin “Republika” në marshimin e madh të solidaritetit kundër terrorizmit, në përkujtim të 17 viktimave të masakrës ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe dy sulmeve terroriste që e pasuan.

Liderët ndërkombëtarë të politikës, përfshirë edhe Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, iu gjendën në krah presidentit francez, Fransua Hollond në manifestimin e tolerancës dhe lirisë, që e ktheu vëmendjen e mbarë botës në “tubimin e unitetit” kundrejt tërbimit terrorist. Për arsye sigurie, pas gjysmë ore, të gjithë liderët ndërprenë marshimin. I vetmi që qëndroi në rrugë ishte presidenti i Francës, Hollond, i cili vijoi marshimin duke takuar familjarët e viktimave të sulmeve.
Me duartrokitje, brohoritje dhe pankarta në duar, njerëzit bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë në sheshin “Republika”, ndërsa thërrisnin: “Unë jam Charlie, hebre, policë”, në simbol të gazetarëve të vrarë, tre policëve dhe 4 pengjeve të vrarë në supermarketin hebre. Një mesazh i fortë kundër terrorizmit erdhi nga francezët dhe qytetarët e besimeve e kombësive të ndryshme, të cilët bashkë me fëmijët kishin ardhur në shesh. Me kapuçë në formë lapsi, në mënyrë simbolike, në emër të “Charlie” ata brohorisnin: “Unë nuk kam frikë!”

Rama: Ne zgjedhim tolerancën, por s’ka imunitet për sulmet

Prononcim i Kryeministrit Rama për mediet shqiptare, pjesë e delegacionit shqiptar, në Marshimin e Paqes në Paris:

Ndërsa theksoi se Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e qartë për lirinë dhe tolerancën fetare në vend, kryeministri Rama tha se nuk ka imunitet për sulmet terroriste që goditën Francën.

“Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është goditur vetëm Parisi. Është goditur çdo vend që është i lidhur me vlerat që Franca përfaqëson, me vlerat e lirisë, të barazisë, të vëllazërimit që Franca ka mishëruar, në mënyrën e vet më të lavdishme. E nga ana tjetër, të gjithë duhet të kuptojnë që aktet mund të ndodhin këtu, mund të ndodhin kudo, por lufta kundër terrorizmit zhvillohet sot, në të gjithë vendet tona edhe kur aktet ndodhin jashtë vendeve tona. Ne jemi këtu për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, flamurin e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos bjerë në kurthin e urrejtjes, në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës, ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tonë.

Ky akt dhe kjo luftë dëshmon më së miri se përpjekja e armiqve të lirisë sonë, është një përpjekje që synon pikërisht përçarjen mes feve, ndërkohë që këta terroristë nuk kanë asnjë lidhje me fenë, nuk kanë asnjë lidhje me Profetin, nuk kanë asnjë lidhje me Zotin sepse nuk ka Zot, nuk ka Profet dhe nuk ka fe, që inkurajon vrasjen e njerëzve, që inkurajon përçarjen dhe që inkurajon shfarosjen e një pjese në emër të një pjese tjetër. Unë jam shumë krenar që sot këtu nuk jemi vetëm ne, si përfaqësues të qeverisë, por janë dhe përfaqësuesit e të katër besimeve kryesore në Shqipëri, dhe sigurisht edhe një grup gazetarësh dhe analistësh, njerëzish që luftojnë përditë në frontin e fjalës së lirë dhe të informimit të barabartë për njerëzit”, ishte mesazhi i Kryeministrit Rama.
Kryeministri Rama me delegacionin shqiptar, mesazh për tolerancën fetare

Shqipëria dha sot një shembull unik të harmonisë fetare në marshimin e madh të solidaritetit botëror kundër terrorizmit dhe intolerancës fetare në Paris. Në kryeqytetin e tronditur nga sulmet terroriste, toleranca jonë fetare, e konkretizuar me praninë e 4 krerëve shqiptarë të besimeve fetare, është vlerësuar me duartrokitjet e qindra mijëra njerëzve që marshuan në sheshin “Republika”.

Baba Mondi i komunitetit Bektashi, imami i Tiranës Ylli Gurra, përfaqësues të besimit katolik dhe ortodoksë, të katërt përkrah njëri-tjetrit janë bërë dëshmi të bashkëjetëses të komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë.

Përfaqësuesit e besimeve fetare shoqëruan në Paris kryeministrin Edi Rama, ministrat Bushati e Veliaj dhe një grup gazetarësh të cilët iu bashkuan kauzës kundër terrorizmit dhe lirisë së shprehjes.

Rama: Shqipëria e vëllazërisë fetare, tolerancë jo dhunë

“Shqipëria e vëllazërisë fetare në homazhin për të vrarët, vëllazëri jo përçarje, tolerancë jo dhunë, shpresë jo frikë”, ka shkruar kryeministri Rama në rrjetet sociale menjëherë pas homazheve para zyrave qendrore të revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Në manifestimin e Parisit do të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, si dhe katër krerët e komuniteteve kryesore fetare në vend e një numër gazetarësh. Marshimit i bashkohet edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.

MESAZHE NGA LIDERËT BOTËRORË

Cazeneuve: Aksion global kundër terrorizmit

Ministri i brendshëm francez, Bernard Cazeneuve njoftoi për mbledhjen e një konference ndërkombëtare, në kuadër të një operacioni global kundër sulmeve. “Testi me të cilin po përballet Franca, nuk shqetëson vetëm Europën, por të gjitha demokracitë. Terrorizmi ka marrë një dimension ndërkombëtar, veçanërisht për shkak të ngjarjeve të fundit në Irak dhe Siri. Ky fenomen na prek të gjithëve, veçanërisht shtetet, njerëzit e të cilëve kanë shkuar për të luftuar në Siri. Ne jemi të vendosur për të luftuar së bashku kundër terrorizmit. Aksioni ynë do të ketë një qasje gjithëpërfshirëse. Kjo është arsyeja pse unë mora iniciativën për të thirrur urgjentisht G10-ën”, tha Cazeneuve.

Cameron: Terrorizmi, kërcënim edhe për shumë vite

Kërcënimi nga terrorizmi do të jetë i pranishëm edhe për shumë vite, deklaroi kryeministri britanik, David Cameron para se të merrte pjesë në marshimin kundër terrorizmit. I cituar në nga stacioni televiziv ”Sky News”, Cameron ka theksuar se ”Britania e Madhe po përballet me të njëjtin kërcënim të ekstremizmit fanatik, që ka goditur Francën këtë javë”. “Ky kërcënim është i pranishëm që prej disa vitesh dhe mendoj se do të jetë i pranishëm edhe për shumë vite të tjera”, deklaroi ai.

Renzi: Europa do ta fitojë sfidën ndaj terrorizmit

“Ne vijmë këtu me histori të ndryshme, por me një dëshirë të përbashkët për të dhënë një përgjigje, një mesazh sigurie, përgjegjësie dhe shprese. Për të thënë se vlerat tona janë më të forta se kërcënimet e tyre. Ne jemi këtu për të thënë se nuk do të ndalemi. Parisi duhet të përcjellë një mesazh dhimbje, por edhe rifillim për të ardhmen, sepse Europa nuk është vetëm e shkuar”, tha Kryeministri italian, Matteo Renzi.

LIDERËT BOTËRORË PËRKAH HOLLOND

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ai i Italisë, Matteo Renzi, i Spanjës, Mariano Rajoy dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel do të jenë përkrah Presidentit të Francës, Francois Holande. Udhëheqës të tjerë që pritet të qëndrojnë pranë presidentit francez do të jenë ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, mbreti i Jordanisë Abdullah II, si dhe dy kundërshtarët politikë presidenti palestinez Mahmud Abbas dhe kryeminsitri izraelit, Beniamin Netanyahu.

Liderët botëror që iu bashkuan marshimit të solidaritetit për viktimat

Sheshi kryesor në Paris ka filluar të mbushet me mijëra persona dhe personalitete të botës nga politika, media dhe komunitetet fetare, të cilët do të marshojnë në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të ditës së mërkurë në revistën “Charlies Hebdo” dhe atyre që u vranë në qendrën tregtre.

Sipas medieve franceze në këtë marshim do të marrin pjesë rreth 50 liderë botërorë. Në mesin e tyre gjenden edhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Nga personalitet franceze do të marrin pjesë presidenti Franua Hollonde, kryeministri Manuel Valls dhe kabineti i ministrave, ish-presidenti Nikolas Sarkozi dhe ish-kryeministrat Alain Juppe François Fillon dhe Jean-Pierre Raffarin. Partia e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar nuk do të marrë pjesë, por disa nga krerët e kësaj partia kanë thënë se do të manifestojnë nga vendet ku janë zgjdhur.

Liderët nga Evropa:

Kancelarja Gjermane Angela Merkel
Kryeministri britanik David Kamerun
Kryeministri italian Mateo Renzi
Presidenti spanjoll Mariano Rajoy
Presidenti i KE-së, Jean Claude Juncer
Presidenti i PE-së, Martin Schulz
Presidenti i KiE-së, Donald Tusk
Kryeministri danez Helle Thorning-Schmid
Kryeministri grek Antonis Samaras
Kryeministri portugez Pedro Passos Coelho
Kryeministri çek Bohuslav Sobotka
Kryeministri letonez Liamdota Straunjuma
Kryeministri bullgar Bojko Borisov
Kryeministri hungarez Viktor Orban
Kryeministri kroat Zoran Milanoviç
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel
Presidenti rumun Klaus Iohannis
Presidenti i Konfederatës zvicerane Simonetta Sommarua
Kryeministri suedez Stefan Lofven

Krerë nga vende të tjera të botës:

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahum, shoqëruar nga ministri i Jashtëm Avigdor Lierberman dhe ministri i Ekonomisë Naftali Bennet
Ministri i Drejtësisë së SHBA-së, Erik Holder
Presidenti palestinez Mahmoud Abaz
Mbreti i Jordanisë Abdullah ll dhe Mbretëresha Rania
Ministri i Jashtëm Rus Sergei Lavrov
Ministri kanadez për Sigurinë Publike Steven Blaney
Presidentja e Kosovës Atifete Jehjaga
Kryeministri shqiptar Edi Rama
Kryeministr turk Ahmet Davutoglu
Kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko
Kryeministri tunizian Mehdi Jomaa
Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shukri
Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheik Abdullat bin Zayed Al Nahyan
Minsitri i Jashtëm algjerian Ramtane Lamamara
Presidenti i Gabonit Ali Bongo
Presidenti i Nigerisë, Mohamadou Issoufou
Presidenti i Senatit Australian Stephen Parry.

Pjesëmarrës do të ketë edhe nga vende të tjera të botës së Brazili, Argjentina etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button