Politika

Reforma në Drejtësi, Lu me udhëzime të reja pas kthimit nga SHBA

Negociatat mes mazhorancës dhe opozitës pritet të nisin këtë javë për gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes

Rama për Forumin – “Të ngremë bashkërisht, duke nisur nga formati i suksesshëm i Dialogut të Nivelit të Lartë, një forum mes shumicës dhe pakicës, pa prezencën ndërkombëtare”

Reforma në drejtësi – Prej tre javësh, puna për reformën në drejtësi është bllokuar, pas dështimit të negociatave në Komisionin për Reformën në Drejtësi, në të cilin opozita nuk merr pjesë

Kushti i Bashës – “Për këtë (dialog), jepni paraprakisht provën e domosdoshme – atë të zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës”

Emri i kryedemokratit – Në letërkëmbimin mes kreut të mazhorancës, Edi Rama, dhe atij të opozitës është i paqartë emri i Bashës, i cili për Ramën quhet “Lulëzim”, ndërsa vetë Basha saktëson që ai quhet “Lulzim”, pa “ë”.

Herion Mesi

Pas shkëmbimit të letrave mes kreut të mazhorancës, Edi Rama, dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, të enjten e kaluar, gjatë këtyre ditëve palët nuk kanë pasur më asnjë komunikim mes tyre për reformën në drejtësi. Kjo për faktin, se negociatori kryesor, ai i cili është parë të trokasë në dyert e të gjithë aktorëve kryesorë të politikës, ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, nuk ka qenë në Shqipëri. Por me kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zyrtarisht mësohet se gjendej për arsye personale, gjatë kësaj jave pritet të rinisin negociatat për reformën e bllokuar prej disa javësh që pas publikimit të draft-opinioneve të Komisionit të Venecias. Nuk dihet saktësisht se cila do të jetë rruga që do të ndjekë diplomati amerikan për të realizuar një tryezë të nivelit të lartë politik lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për reformën, e cila së fundmi u vendos edhe si kusht nga komisioneri për Zgjerimin në BE, Johanes Hahn, për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që ambasadori Lu gjatë qëndrimit të tij në SHBA, të ketë marrë dhe direktiva të reja nga Uashingtoni, të diktuara këto pas takimeve që kreu i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi me përfaqësues të Kongresit Amerikan një javë më parë, por edhe që kanë të bëjnë dhe me vizitën e kreut të qeverisë që do të zhvillojë në SHBA në mesin e këtij muaji, ku ndër të tjera ai do të pritet nga vetë Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë kuadër zhvillimesh, pritet të mësohen dhe sinjalet e reja të bashkëpunimit, ku ambasadori Lu nuk do të humbasë kohë për t’i thënë publikisht. Në këtë kuadër, tryeza e sotme që do të organizojë Ministria e Punëve të Jashtme me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në, pritet të përcjellë mesazhet e para të diplomatit amerikan pas rikthimit të tij në Tiranë.

Heshtja e palëve

Që prej së enjtes, ku dy krerët e politikës shqiptare konsumuan një shkëmbim letrash mes tyre, pjesa tjetër e kësaj fundjave që lamë pas nuk solli asnjë të re për reformën në drejtësi. Për të ndryshuar pozicionimin e palëve nuk shërbeu as ftesa zyrtare e së enjtes e Kryeministrit Rama për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, në të cilën i kërkonte të uleshin përballë njëri–tjetrit, pa prezencën e partnerëve ndërkombëtarë, për të diskutuar për çështjet që i ndajnë. Kështu Rama do t’i kthente deklaratat publike në veprime konkrete duke ftuar në tryezë politike kundërshtarin politik, kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas një thirrjeje publike të lëshuar nga konferenca për shtyp e së mërkurës me komisionerin për Zgjerimin të BE-së, Johannes Hahn, një ditë më pas Rama do t’i dërgonte një letër Bashës, ku i kërkon të ulen në një tryezë për të nisur dialogun e nivelit të lartë politik. Por kryeministri kërkon që në këtë takim të mos ketë ndërhyrje ndërkombëtare, pra të mos bëhet në prani të ambasadorëve të BE-së apo SHBA-së. Kreu i qeverisë është treguar i kujdesshëm në letrën e tij, duke theksuar se ky forum nuk do të prekë asnjë instancë tjetër institucionale, siç është Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Por përgjigjja e Bashës rendiste edhe një herë kushtet që opozita i shikon si të panegociueshme për reformën në drejtësi, të bëra publike më 24 mars, kur opozita vendosi të mos marrë më pjesë në komisionin e posaçëm të reformës. Nga ana e tij, Basha, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Rama po me anë të një tjetër letre, ndërsa paraqet dhe piketat apo kushtet se ku duhet të negociojnë, ku kryesorja është reforma në drejtësi. Ai i shkruan Ramës se prej dy vitesh gatishmëri të opozitës për dialog, qeveria i është përgjigjur me veprime dhe mosveprime që kanë cenuar Kushtetutën. Për Partinë Demokratike, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për dy deputetët socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, që sipas opozitës janë konstatuar në papërputhshmëri me mandatin, pasi familjarë të tyre kanë përfituar fonde publike, janë hapi i parë për të vazhduar me punën e lënë përgjysmë nga Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi. Mazhoranca thotë se opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, por nga ana tjetër, dy deputetët socialistë janë shprehur të gatshëm për t’u vetëpërballur me Gjykatën Kushtetuese, për shkak besimit te pafajësia e tyre lidhur me këto akuza të opozitës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button