Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin
Pavarësisht reshjeve të shiut, mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe kjo në fenë islame.
Pasi i uroi të gjithë shqiptarët dhe myslimanët anembanë botës, gjatë ligjeratës së tij, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, theksoi se kjo ditë dhe festimet që lidhen me të shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit ndaj Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun.
Ndërkohë, myftiu i Tiranës Ylli Gurra dhe teologu Elvis Naçi theksuan se besimi në Zot nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në ditë festash fetare. Sipas tyre, vendi ynë dhe e gjithë bota ka nevojë për mirësinë e njerëzve, gjë e cila vjen vetëm nëpërmjet fesë.
Në këtë ditë të shënuar për fenë islame, mijëra besimtarë shqiptarë i janë bashkuar milionave të tjerë nga e gjithë bota në Mekë për të kryer Haxhin, një nga 5 shtyllat e fesë islame.