Ekonomia

Drejtori i FAO-s: Shqipëria politikë të duhur për rritjen e eksporteve

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca priti dje drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Qu Dongyu.

Ajo u shpreh e kënaqur që një ndër personalitetet ndërqeveritare më të rëndësishëm të bujqësisë globalisht, pranoi ftesën duke kthyer në një kohë të shpejtë vizitën që ministrja Krifca zhvilloi në Romë, duke e mbajtur premtimin për të vizituar Shqipërinë.

Arsyeja e ftesës sipas saj, kishte edhe synimin për të treguar se Shqiperia, ka gjithnjë e më shumë ambicje të hapet me botën dhe të krijojë ura ndërveprimi për mundësi të reja zhvillimi të sektorit që shkojnë në linjë me objektivin për 1 miliard dollare eksporte bujqesore në vitin 2030.

“Vizita e Dongyu është tregues i rëndësisë që ka bashkëpunimi me FAO, i cili ka qenë thelbësor për zhvillimin e bujqësisë shqiptare prej një kohe shumë të gjatë edhe atëherë kur bashkëpunimet e Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare numëroheshin me gishtat e njërës dorë”, tha Ministrja Krifca.

Sipas ministres, ky komunikim i vazhdueshëm tregon edhe për rëndësinë në rritje të Shqipërisë në aplikimin e politikave të bujqësisë dhe sistemeve ushqimore të qëndrueshme, dhe në ndjekjen e praktikave të mira ndërkombëtare edhe nën udhëheqjen e ekspertizës së vyer të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi.

“Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit i kërkova drejtorit të përgjithshëm që të mundësohet rritja e numrit të ekspertëve të FAO që vijnë nga Shqipëria apo të studentëve të sapo diplomuar të UBT të cilët mund të jenë përfitues të bursave të praktikave profesionale të ofruara nga FAO”, u shpreh ajo.

Ministrja Krifca theksoi se së bashku me drejtorin e përgjithshëm ranë dakord se vizioni ynë i veprimit është i përbashkët i lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nëpërmjet të cilave kërkohet rritja e sigurisë ushqimore dhe mirë ushqyerjes për të promovuar bujqësi e peshkim të qëndrueshëm, rritja e barazisë gjinore në sektorin e bujqësisë, mbrojtja, dhe përdorimi i qëndrueshëm i ekosistemeve tokësore me vëmendje të veçantë për të ndaluar dhe përmbysur degradimin e tokës dhe të biodiversitetit, për të forcuar strukturat e bashkëpunimit për zhvillim të qëndrueshëm në shkëmbimin e njohurive, ekspertizës, inovacioneve etj.

“Bashkëpunimi ynë me FAO në vitet e fundit ka prekur shumë prej këtyre temave si për shembull fuqizimi i rolit të gruas në zonat rurale, mbështetjes në hartimin dhe fuqizimin e statistikave bujqësore dhe cencusit të bujqësisë, fuqizimin e zinxhirit të vlerës të blegtorisë, hartimin e planit për përdorimin e qëndrueshëm të produkteve të mbrojtjes së bimëve etj”, theksoi Ministrja Krifca.

Strategjia e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit që MBZHR miratoi këtë vit, është ndërtuar në bazë të prioriteteve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, të cilat shërbejnë edhe gurë kilometrikë të strategjisë së zhvillimit të vendit, dhe bashkëpunimit tonë të përbashkët.

Ministrja Krifca sqaroi se me drejtorin e FAO-s u ra dakord për objektivat e bashkëpunimit në vitet në vijim të cilat ruajnë tre drejtime kryesore:

Rritja e sigurisë ushqimore si në nivelin sasior ashtu edhe në cilësi nëpërmjet hartimit ne bashkëpunim me FAO të një plani 10-vjeçar rreth sigurisë ushqimore dhe zgjerimit të aksesit të popullsisë në ushqim të bollshëm e të sigurt.

“Së bashku me FAO do të aplikojmë në blegtorinë shqiptare plan të rëndësishëm të masave për përmirësimin gjenetik të gjedhit nëpërmjet aplikimit të një skeme kombëtare të materialit gjenetik riprodhues të sigurtë”, vuri në dukje ministrja, duke shtuar se me kjo vizitë ka për qëllim të rrisë akoma më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe partneritetit dhe të krijojne mundesi per programe te reja zhvillimi strategjik për arritjen e objektivave për një bujqësi të qëndrueshme, qe prodhon të ardhura për fermerët dhe familjet e tyre.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Qu Dongyu, tha se “Shqipëria është një vend mesdhetar me shumë biodiversitet dhe mundësi prodhimi. Le te bashkëpunojmë për këtë”.

“FAO është e gatshme të bashkëpunojë me ju, të ofrojë mbështetjen e duhur. Ardhmja ime këtu është një shans për më shumë prezencë të Shqipërisë në vendimmarrjen ndërkombëtare të politikave të ushqimit”, deklaroi drejtorin e përgjithshëm i  Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Qu Dongyu.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button