Bota

Batutat mes Putin dhe Kerryt për valixhen e kryediplomatit të SHBA

Që marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk janë në ditët e tyre më të mira, kjo dihet. Uashingtoni dhe Moska kanë qendrime diametralisht të kundërta në një sërë çështjesh globale dhe dy janë ato që i ndajnë më shumë, Siria dhe Ukraina.

Megjithatë këto nuk kanë penguar palët që të zhvillojnë takime të niveleve të larta dhe një i tillë u zhvillua dy ditë më parë në Moskë mes Sekretarit të Shtetit, John Kerry dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.

Tensioni mes dy delegacioneve u ndje që në momentin e uljes në të njëjtën tryezë dhe Vladimir Putin u kujdes që të çtensionojë ‘miqtë’.

“U ndjeva keq kur ju pashë të mbanit vetë valixhen. Mendova nga njëra anë se është një zgjidhje e mirë dhe demokratike, por pastaj më shkoi ndërmend se mos ndoshta situata ekonomike nuk është aq e mirë në Shtetet e Bashkuara sa Sekretarit të Shtetit nuk i caktohet një person për t’i mbajtur valixhen”, nisi shakanë e tij shefi i Kremlinit.

Ndërsa Kerry vendosi në portretin e tij një buzëqeshje diplomatike, Putin vijoi me batutat e tij.

“Megjithatë, dëgjoj që ekonomia juaj është në rregull, që po rritet  dhe ndoshta në atë valixhe ke diçka që nuk ke besim t’ja japësh dikujt tjetër. Ndoshta ke sjellë ca para për të zgjidhur disa çështje mes nesh”, tha ai.

Duke qenë në rolin e shefit të diplomacisë të vendit më të fuqishëm të botës, përgatitja duhet të jetë maksimale për të mos lënë figurë të pakëndshme në asnjë situatë dhe Kerry ishte në lartësinë e vorbullës humoristike dhe thumbuese në të cilën e vendosi Putin.

“Kur të kemi një bisedë kokë më kokë do të të tregoj se çfarë kam në valixhen time dhe do të habitesh…për mirë”, u shpreh ai.

Këto ishin batutat e mirëseardhjes për Kerryn dhe Sekretari i Shtetit nuk u largua duarbosh nga Moska. Në përfundim të takimeve që të dyja palët konfirmuan afrimin e qëndrimeve në disa pika për konfliktin sirian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button