Bota

Kulla me 27 kate në Londër përpihet nga flakët: 50 persona në spital, konfirmohen viktimat e para

Zjarri gjigant që përfshiu një bllok apartamentesh në “Latimer Road”, në perëndim të Londrës, ka shkaktuar disa viktima. Kulla “Grenfell” raportohet të jetë përfshirë nga flakët orët e para të mëngjesit.
Rreth 200 zjarrfikës mbërritën me urgjencë në zonë, ku u përballën me një skenar ferri. “Kam 29 vite pune, – thotë drejtuesja e Qendrës së Zjarrfikësve londinezë, Dany Cotton, – por nuk kam parë kurrë zjarr të tillë”.
Zjarri, sipas saj ka nisur nga kati i dytë, por shkaqet nuk dihen ende me saktësi. Mediet vendase, sidoqoftë thonë se shkëndijat që do të ktheheshin në arsyen e fatkeqësisë kanë nisur nga një frigorifer me probleme.
Brenda kullës 27-katëshe besohet të ketë ende shumë banorë të bllokuar në shtëpitë e tyre, ndërsa struktura është në prag shembjeje. Të paktën 50 vetë janë dërguar në spital. 
“Ka disa të vdekur. Nuk mund të konfirmoj një shifër për shkak të përmasave dhe kompleksitetit të ndërtesës”, deklaroi Dany Cotton, zyrtar i London Fire Brigade në një deklaratë për shtyp.
Katastrofa goditi gjatë natës, kur banorët ishin në gjumë. Shumë prej tyre janë zgjuar nga klithmat e të tjerëve, apo nga tymi dhe era e plastikës së djegur. Shumë fëmijë ende nuk gjenden, sipas vullnetarëve në një qendër lokale të komunitetit, ndërsa familjet përpiqen dëshpërimisht të bashkohen me njerëzit e dashur.

Dëshmitarët thanë se skenat të kujtonin 11 Shtatorin kur banorët hidheshin nga katet e sipërme të ndërtesës, që me siguri ishte shtëpia e qindra njerëzve. Një grua me dy fëmijë u pa duke bërtitur nga akti i 11-të i ndërtesës. Një tjetër njeri filloi të luste turmën poshtë ta ndihmonte ndërkohë që shkundte këmishën nga dritarja.

Një prej banorëve të kullës “Grenfell” tregoi për BBC-në momentet e tmerrit.
“Ndodhi diku nga ora një e mëngjesit. U zgjova nga gjumi se ndieva një erë plastike që digjej. Kontrollova dhomat po nuk pashë gjë dhe hapa dritaren që të hynte ajër i pastër, por aty pashë se çfarë po ndodhte. Ishte si film horror”, tha Mickey.
Autoritetet njoftojnë se zjarrfikësit nuk kanë mundur ta kontrollojnë zjarrin në katet e sipërme. Nga kati i 10 e lart, ndërtesa sipas tyre po digjet jashtë kontrollit. Kulla i ishte nënshtruar për dy vite punimeve restauruese, që përfunduan vitin e kaluar, por një grup aktivistësh lokalë ka pretenduar që në vitin 2013 se blloku ishte i rrezikuar nga zjarret.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button