Kronika

SPAK i kërkon autorizim Kuvendit për caktimin e masës së arrestit për Sali Berishën

Prokuroria e Posaçme ka çuar në Kuvendin e Shqipërisë një shkresë ku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha me “arrest shtëpie”.

Në shkresën e SPAK drejtuar Kuvendit,thuhet se: “Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Gjatë një konference për shtyp sa i përket aferës së inceneratorëve, i pyetur për kërkesën e SPAK mbi ndryshimin e masës së sigurimit, Berisha tha se respekton vendimin e Kuvendit. Ish-kryeministri theksoi se “me kundërshtimin e vendimit të gjykatës për moszbatimin e masës “detyrim paraqitje” kam mbrojtur parlamentin”.

“Unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim”- tha Berisha, megjithatë nuk dha ndonjë përgjigje nëse do të marr pjesë apo jo në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për të mbrojtur veten. Në përfundim të konferencës për shtyp, Berisha i është drejtuar Kuvendit.

Një ditë më parë, gazetarja Anila Hoxha, raportoi se pretendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, se SPAK duhet të merrte autorizim nga Kuvendi, për masën e sigurisë ndaj tij, është çmuar i pabazuar në prova.

Në vendimin e zbardhur dje nga Gjykata e Apelit,  gjykata kujton ndryshimet kushtetuese të 2012-ës, për mburojën apo imunitetin e deputetëve dhe konceptin e paprekshmërisë, që në rastin e Berishës nuk është shkelur as nga SPAK dhe as nga shkalla e parë.

Gjykata e Apelit shpjegon se masa e detyrimit me paraqitje, shpallur për Berishën, është një fuqi shtrënguese që nuk heq lirinë personale apo fizike të ankuesit Sali Berisha, por vetëm lirinë e lëvizjes së tij jashtë shtetit.

Kjo masë që e detyron deputetin të paraqitet para policisë gjyqësore në ditë dhe orë të caktuara, sipas apelit nuk kërkon autorizim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, shprehet gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Por sot SPAK ka shkuar më tej në kërkesën për autorizim drejtuar Kuvendit, kërkon ndryshimin e masës së sigurisë për ish-Kryeministrit Sali Berisha në “arrest shtëpie”.

Gjykata shpjegon se imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal i deputetëve, por garanton që secili prej tyre të mund të ushtrojë lirisht mandatin e tij pa u ekspozuar ndaj persekutimit politik arbitrar, thuhet në vendimin e zbardhur, duke sqaruar se liria personale e deputetit Berisha do të ishte prekur në rast se do të zbatohej heqja e lirisë me vendim gjykate; urdhri i ndalimit të prokurorit, ndalimi me inisiativë nga policia gjyqësore, arrestimi në flagrancë”, diçka që nuk ka ndodhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button