Politika

Rama në Lushnje-Divjakë: Transformimi i shkollave, spektakolar

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, iu bashkua qytetarëve të Lushnjes në pastrimin e qytetit.

Kryeministri ka inspektuar edhe shkollat e Divjakës dhe Lushnjes, duke i cilësuar si një transfomim spektakolar.

Sot startoi operacioni kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, i iniciuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe pushtetin vendor. Në partneritet edhe me Green Line Albania dhe përfshirjen e shoqërisë civile, komunitetin e biznesit e vullnetarë, operacioni shtrihet në 61 bashkitë e vendit.

“Qytetarët janë njoftuar dhe në bashkëpunim me shkollat dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, janë të shpërndarë në të gjithë Lushnjen, për të bërë pastrimin e qytetit dhe për ta bërë një qytet sa më atraktiv e të jetueshëm”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe.

Kompleksi arsimor në komunën Fier-Shegan, i cili përmban shkollën 9 vjeçare të Fier Sheganit, kopshtin e fëmijëve, gjimnazin e pergjithshem, si dhe disa terrene sportive,  po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Shkolla 9 vjeçare, e cila ndodhet në qendër  të fshatit, në krah të rrugës nacionale Lushnje –Berat, është një godinë 2-katëshe, e ndërtuar afërsisht në vitin 1978. Shkolla ka një kapacitet prej 277 nxënës, në ambientet e së cilës ndodhet gjithashtu kopshti i komunës së Fier Sheganit. Rikonstruksioni i shkollës 9-vjecare të Fier Sheganit do të jete i plotë sepse është i amortizuar dhe nuk është rikonstruktuar asnjëherë ndër vite. Ndërsa gjimnazi i përgjithshëm, një godinë 2-katëshe, ndërtuar afërsisht në vitet 80, është i amortizuar dhe krijon rrezikshmëri për ambientin përreth dhe nxënësit që mësojnë në të. Edhe gjimnazi do të rikonstruktohet tërësisht, duke shndërruar mjediset e tij, në mjedise dinjitoze për nxënësit dhe stafin e mësuesve.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ishte sot në Lushnje për të inspektuar punimet për rikonstruksionin e disa shkollave të kësaj zone.

Ndërsa shpjegoi projektin, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, tha se nga realizimi i tij “Përfitojnë 277 nxënës të shkollës 9 vjeçare dhe 211 të shkollës së mesme. Do të ketë dhe murin rrethues, i cili bën ndarjen ndërmjet dy shkollave”.

Ministrja e Arsimit, Nikolla, tha se po rindërtohet në një mjedis të lënë djerrë. “Ka qënë kënetë, një pirg i madh me plehra dhe shkolla të amortizuara totalisht. Gjendje shumë e vështirë.”

Shkolla 9 vjeçare “Rako S. Gjermeni” në Krutje të Lushnjës, së shpejti do të ofrohet tërësisht e rikonstruktuar për nxënësit, mësuesit dhe edukatorët e saj. Shkolla aktuale, një ngrehinë njekatëshe, e ndërtuar shumë herët, është plotësisht e amortizuar dhe nuk plotëson asnjë standard infrastrukturor dhe asnjë kusht për të zhvilluar normalisht mësimin. Me investimin prej 64 milionë lekësh, do të rikonstruktohen plotësisht themelet e saj, rrjeti elektrik do të realizohet nga e para, si dhe do të pajisen kabinetet sipas standardeve më të larta moderne dhe bashkëkohorë.

Shkolla ka 505 fëmijë, 27 mësues dhe 6 edukatorë, të cilët vitin e ardhshëm do të zhvillojnë mësimin në shkollën e re.

Kryetari i Bashkisë,  Tushe, tha se shkolla i vjen në ndihmë një komunitetit prej mbi 10 mijë banorëve. “Është një shkollë 9 vjecare, me 2 kate, i vjen në shërbim  një komuniteti prej 10.300 banorëve dhe 505 nxënësve”.

Deputeti i zonës, Erion Braçe, i cili shoqëronte kryeministrin në këtë inspektim, tha se shumë shpejt ky institucion do të kthehet në një qëndër të madhe arsimore.  “Në krahun tjetër është gjimnazi. Pas saj ka një palestër. Për shkak se Krutja pret edhe nxënësit e fshatrave të tjera, kjo do të kthehet në një qendër shumë të madhe arsimore. Nuk ka asnjë shkollë që po bëhet e re, që nuk ka kaldajë me ngrohje. Është vënë standard. Edhe me kapotim, në mënyrë që të ruajë energjinë brenda.”

Shkolla “Koli Allkanjari” në Këmishtaj të Lushnjës

Shkolla “Koli Allkanjari” në Këmishtaj të Lushnjës, është ndërtuar në vitet ’80 dhe ka arsimuar shumë breza të fëmijëve të kësaj zone. Por, ndërtesa e sotme e saj, ku zhvillojnë mësimin 500 nxënës nga fshatrat Këmishtaj, Goriçaj, Sopez, Mërtish, etj, nuk ka asnjë gjurmë të së kaluarës. Investimi prej rreth 66 milione lekësh ka shndërruar godinën e amortizuar dhe në shumë raste problematike dhe të rrezikshme për nxënësit, në një infrastrukturë moderne dhe funksionale.

Përveç kabineteve të brendshme, shkolla gjithashtu është e pajisur me mjedise dhe terrene të bollshme sportive dhe argëtuese, si palestra, kënde të hapura për sporte të ndryshme, etj.  Shkolla ka 40 mësues dhe 4 edukatorë që zhvillojnë procesin e mësimdhënies në kushte optimale.

Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër shkollën e rikonstruktuar të këtij fshati. Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, shpjegoi se “I shërben 500 nxënësve , në njësinë administrative Këmishtaj që ka mbi 5 mijë banorë. Këtu kemi kompleksin sportiv. Është palestër, bashkë me hapësirat publike.” Ndërsa Drejtorja e shkollës tha se me rikonstruksionin e bërë “Kjo shkollë i ka të gjitha kushtet për t’u kthyer në një shkollë qëndër komunitare.”

Shkolla 9-vjeçare Karavasta e Re

Shkolla 9-vjeçare Karavasta e Re ndodhet në fshatin Karavasta e Re, në Remas, Divjakë. Shkolla është ndërtuar në vitin 1986 dhe i ka shërbyer nxënësve të fshatrave Adriatik, Karavasta e Re dhe Karavasta. Gjatë viteve 2000 shkolla filloi të amortizohej edhe pse shpeshherë riparohej, por jo me cilësi. Nga viti 2005, shkolla ka qenë tërësisht e amortizuar, duke vështirësuar ndjeshëm procesin e mësimdhënies, sidomos gjatë stinës së ftohtë të dimrit.

Investimi prej 16 milione lekësh, parashikon rikonstruksion të plotë të shkollës që përfshin rehabilitimin e plotë  të ndërtesës, pajisjen e saj, si dhe ndërtimin e terreneve sportive dhe argëtuese, duke i dhënë në këtë mënyrë, fytyrën e një institucioni arsimor me standarde bashkëkohore për zhvillimin e mësimit. Kryeministri Edi Rama ishte edhe në këtë shkollë për të parë nga afër procesin e rikonstruksionit.

Kryetari i Bashkisë, Kokoneshi, tha se po rikonstruktohet një nga shkollat më të rrënuara të kësaj zone. “Është një nga shkollat më të rrënuara të bashkisë sonë, kryeministër, sepse përkon me pjesën më fundore të bashkisë. Është njësia Remas, kemi fshatin këtu Bedat dhe fshatin tjetër Adriatik dhe fëmijët që lëvizin në shkolla të ndryshme të bashkisë.

Ndërsa drejtori i shkollës shpjegoi se ajo është e pajisur sipas të gjitha standardeve: “Shkolla është me sistem ngrohje, me sistem kapot.”

Shkolla Çermë Shkumbin

Shkolla Çermë Shkumbin, në Divjakë, është  shndërruar në një institucion dinjitoz të dijes, ku mësojnë 375 fëmijë, si dhe zhvillojnë procesin e mësimdhënies 30 mësues dhe 3 edukatorë. Kjo falë investimit prej rreth 65 milione lekësh qe  mundësoi rikonstruksionin e plotë të shkollës dhe ndërtimin e një shtese të re të saj. Para rikonstruksionit, shkolla ishte në kushte shumë të vështira nga mungesa e investimeve ndër vite, por në vitin 2015 pësoi një përmbytje nga lumi Shkumbin, duke e bërë tepër të vështirë mësimin. E gjithë ndërtesa ishte e amortizuar dhe me mungesa të theksuara në elementët minimal higjieno-sanitare për zhvillimin e mësimit.

Shkolla, krahas arsimit fillor, përfshin dhe arsimin e mesëm, duke pasur një numër të madh nxënësish, të cilët me kushtet e reja dhe moderne kanë rritur frekuentimin e shkollës, si dhe rezultatet në mësime.

Shkolla “Koli Sako”

Shkolla “Koli Sako” është shkolla më e madhe 9-vjeçare, në bashkinë e Divjakës me një histori të pasur në fushën e edukimit. Ajo u krijua në 16 shtator të vitit 1913 dhe u bë e ligjshme nga qeveria e Ismail Qemalit, në gjuhën shqipe. Sot aktualisht shkolla funksionon si shkollë 9-vjeçare, ku bëjnë pjesë 2 cikle shkollimi, arsimi fillor dhe AMU. Shkolla është ndërtuar në vitin 2000, si  një ndërtesë me 4 kate, projekt i qeverisë. Por, ajo nuk kishte sistem ngrohje, si dhe mungonin terrenet sportive. Me kalimin e viteve, klasat, laboratorët, si dhe palestra dolën jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve serioze.  Investimi prej 48 milionë lekësh, ka bërë që shkolla “Koli Sako”, e cila prej dy vitesh është pjesë e projektit Shkolla Qendër Komunitare, të ndryshojë rrënjësisht pamjen.

510 nxënësit e saj dhe stafi prej 37 mësuesish janë pjesë e një institucioni modern e bashkëkohor, tërësisht të rikonstruktuar, të pajisur me kabinete e laboratorë të kimisë, biologjisë, fizikës, si dhe ambiente për shërbimin psikosocial. Në shkollë është vendosur sistemi i kaldajave për ngrohjen e ambienteve, si dhe është e pajisur me sistem të mbrojtjes nga zjarri. Pozicioni i përshtatshëm në qendër të qytetit krijon kushte tepër të favorshme që komuniteti të jetë pjesë e pandashme e shkollës.

Duke vizituar këtë shkollë, kryeministri Edi Rama theksoi se në të gjithë zonën, transformimi i shkollave është spektakolar.

Ndrësa kryetari i Bashkisë, Kokoneshi, u shpreh se me ndërhyrjet e bëra në këto shkolla,  Rilindja Urbane merr kuptimin e saj të vërtetë. “Shkollat e mëdha janë të përfunduara. Ka vetëm shkolla te vogla. Jo vetëm tek shkollat, por në ka kuptim fjala Rilindje Urbane, ka në këtë qytet. Jemi një nga bashkitë më të mira përsa i përket rindërtimit të shkollave.”

Duke shpjeguar projektin ai u shpreh: “Është rindërtimi i të gjithë ndërtesës, me sistem kapotimi.  Pjesa ballore është vendosur tani për të bërë bibliotekën e shkollës. Është një shkollë që ka 500 nxënës dhe i shërben banorëve të Divjakës. Kemi sistem kundra zjarrit dhe me sistem kamerash.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button