Ekonomia

BSH shpall tre prioritetet për 2016, në fokus stabiliteti, mbikëqyrja dhe politika monetare

aaaKëshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi mori në analizë veprimtarinë e tij gjatë vitit 2015, miratoi sot programin e punës për vitin 2016.
Veprimtaria e Këshillit për vitin 2015, përveç vendimmarrjes në fushën e politikës monetare dhe atë të mbikëqyrjes bankare, ka synuar rikthimin e plotë të besimit të publikut ndaj institucionit. Një sërë vendimesh të natyrës institucionale kanë pasur për qëllim forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës së institucionit.

Më konkretisht: (i) fillimi i detyrës nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë; (ii) emërimi i Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë pas një periudhe mungese disavjeçare; (iii) plotësimi i Këshillit me një anëtar të ri, duke çuar në plotësimin e përbërjes së këtij organi; (iv) fillimi i veprimtarisë së Komitetit të Auditit, në zbatim të rekomandimeve të vazhdueshme të FMN-së dhe në përputhje me standardet më të mira të llogaridhënies së bankave qendrore; (v) rifillimi i raportimit në Këshill për veprimtarinë e auditit nga ana e inspektorit të Përgjithshëm; (vi) miratimi i Strategjisë Afatmesme dhe Buxhetit Afatmesëm për periudhën 2016-2018; dhe (vii) miratimi i strukturës së re organizative të Bankës së Shqipërisë, së bashku me ngritjen dhe vënien në funksionim të Muzeut të BSH-së, përbëjnë disa nga vendimet e rëndësishme në këtë drejtim.

Ndërkohë në programin e punës për vitin 2016, në përputhje me mandatin ligjor të Bankës së Shqipërisë, në vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës vend të veçantë do të zërë politika monetare dhe përsosja e saj, rritja e kapaciteteve të mbikëqyrjes bankare si dhe forcimi i stabilitetit financiar të sistemit bankar.
Një vend i rëndësishëm i është kushtuar edhe përsosjes së mëtejshme institucionale të Bankës së Shqipërisë. Në vijim të miratimit të strukturës së re organizative si dhe mbështetur në dokumentin e strategjisë trevjeçare të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, në vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të materializohen në vazhdimësi përmirësime aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullojnë: aktivitetin ditor të departamenteve të Bankës, mobilizimin dhe motivimin e burimeve njerëzore, si dhe përdorimin e fondeve për financimin e veprimtarisë.

Qëllim mbetet përsosja e administrimit të veprimtarisë së institucionit, kryesisht nëpërmjet forcimit të pandërprerë të kontrollit të brendshëm dhe administrimit më të mirë të rrezikut të veprimtarisë.
Në përputhje me strukturën e re organizative të Bankës së Shqipërisë të miratuar në fund të vitit 2015, Këshilli Mbikëqyrës filloi procesin e miratimit të rregulloreve përkatëse të veprimtarisë së çdo departamenti. Nëpërmjet këtij procesi synohet forcimi i kuadrit normativ për administrimin e aktivitetit dhe minimizimin e rreziqeve operacionale që burojnë nga veprimtaritë e përditshme të çdo departamenti të Bankës.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button