Ekonomia

Çadezh: Shqiperia potencial ekonomik

Marko Çadezh, kryetar i Dhomës Ekonomike të Serbisë, thotë se nëse lihet anash politika dhe shihet nga prizmi i biznesit, Shqipëria është një vend me potenciale shumë të mëdha ekonomike dhe bizneset janë të interesuara për një treg më të madh.

Çadezh, në një intervistë për Top Channel, thotë se shkëmbimet ekonomike ende janë të vogla, por në rritje çdo vit. Marrëdhëniet, thotë ai, janë të rëndësishme jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përgatitjen për të ardhmen.

“Vizita e kryeministrit serb tek kryeministri shqiptar, që shumë e quajnë historike, është e rëndësishme të çojë këtë lloj porosie, që të mos prodhojmë vazhdimisht të kaluarën, por të shohim çfarë mund të prodhojmë bashkë në të ardhmen dhe në të dyja vendet të krijojmë kushte për vende të reja pune dhe për investime. Fundja, të përgatisim kompanitë tona për diçka që i pret dhe kjo është futja në një treg prej 500 milionë njerëzish”, deklaron Çadezh.

Ai thotë se probleme nuk kanë as me Kosovën, pasi ekziston një bashkëpunim shumë i mirë dhe është çuar mesazhi i gatishmërisë. Ai thekson se, bizneset janë të parët që vërejnë nevojën e komunikimit.

“Para pak kohësh kemi organizuar një forum të bizneseve me Dhomën e Tregtisë së Kosovës, ku kemi çuar në Prishtinë 30 biznesmenët më të rëndësishëm serbë dhe kemi biseduar për shumë gjëra konkrete. Biznesmenët kanë çuar mesazhin se kjo është e rëndësishme. Ekonomia gri nuk i leverdis askujt, kjo nënkupton vetëm më pak para në shkolla, rrugë e spitale”, vlerëson Çadezh.

Përveç turizmit dhe energjetikës, Dhoma Ekonomike e Serbisë e sheh potencialin në projektet e ndërtimit, por edhe në kërkimin e tregut. Në shtator do të organizohen forume ekonomike në Tiranë e Beograd.

Shkëmbimet e vitit të kaluar janë të vogla me 95,8 milionë euro eksport nga Serbia dhe 13,6 milionë euro eksport nga Shqipëria në Serbi, por rritja e eksportit nga Shqipëria është +52.9 për qind. Serbia është edhe një lloj qendre Ballkanike e bizneseve të huaja që funksionojnë në Evropën Juglindore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button