Ekonomia

Banka e Shqipërisë zbardh planin rezervë për kreditë me probleme

Në një qëndrim të posaçëm për ‘Monitor’, Banka e Shqipërisë ka shpalosur planin shtesë të masave për uljen e kredive me probleme…

Pse ka rinisur rritja e kredive me probleme në muajt e fundit, përveç Kurum dhe ARMO që kanë dhënë efekt që në fillim të vitit?

Treguesi i kredive me probleme arriti nivelin 21,44% në fund të muajit gusht 2016. Kjo rritje pasqyron qëndrimin tejet të kujdesshëm të Bankës së Shqipërisë nëpërmjet zbatimit të politikave prudente mbikëqyrëse për provigjionimin e kredive të dyshimta. Më konkretisht, ne kemi kërkuar nga bankat e nivelit të dytë, të riklasifikojnë si kredi me probleme, disa kredimarrës të mëdhenj në vështirësi financiare apo në situatë falimenti. Ky qëndrim buron nga domosdoshmëria për të rritur qëndrueshmërinë e bankës nëpërmjet krijimit të fondit të rezervave të mjaftueshme, që në momentin e riklasifikimit, për t’i paraprirë dhe për t’i garantuar mbulimin e çdo humbjeje potenciale të shkaktuar nga klientët në vështirësi.
Gjejmë rastin për të nënvizuar se fondi i krijuar i provigjioneve për mbulimin e humbjeve ka një vlerë të konsiderueshme, pasi ai mbulon rreth 65% të të gjithë portofolit të kredive me probleme. Nëse në llogaritjen e treguesit të kredive me probleme do të merrnim në konsideratë vetëm kreditë e pambuluara me provigjione, atëherë ky tregues do të zbriste në nivelin 7,6%, duke u përafruar shumë me vlerën neto të këtij treguesi në vendet europiane.
Për më tepër, pjesa dërrmuese e kredive të dhëna nga sistemi bankar është e mbuluar me kolateral, vlera e të cilit është më e madhe se ajo e humbjeve të mundshme. Banka e Shqipërisë, si pjesë e qëndrimit prudent në lidhje me klasifikimin dhe trajtimin e kredive me probleme, nuk e zbret vlerën e kolateralit në përllogaritjen e provigjioneve duke çuar në dyfishimin e fondit të rezervës për mbulimin e riskut nga kreditë me probleme.
Në përfundim, vlen të përmendet se gjatë vitit 2016 është evidentuar një ecuri pozitive në rritjen e kreditimit. Më konkretisht, duke hequr efektin e fshirjeve të kredisë, teprica e saj rezulton me rritje në nivelin rreth 3% pak a shumë e njëjtë me atë të realizuar përgjatë gjithë vitit 2015. Për këtë qëllim, parashikimet tona janë që viti 2016 do të mbyllet me një rritje kredie më të lartë se 2015.

Në çfarë faze është plani i veprimit në tërësi për uljen e kredive me probleme dhe plani i veprimit për trajtimin e korporatave të mëdha?

Plani i masave i hartuar në bashkëpunim me Qeverinë ka si element kyç ndryshimet ligjore, ku veçojmë Ligjin e Falimentit. Tashmë është hartuar një projektligj që ka kaluar pranë strukturave parlamentare për diskutim dhe miratim. Për hartimin e tij është marrë opinioni i disa institucioneve e strukturave, duke përfshirë këtu edhe bankat e nivelit të dytë nëpërmjet shoqatës së tyre. Trajtimi nga ana e bankave i kreditorëve të mëdhenj, borxhlinj në më shumë se një bankë, e ka të domosdoshme miratimin e këtij ligji si për sa i takon ristrukturimit ashtu edhe për sa i përket zgjidhjes përfundimtare me anë të falimentit.

Çfarë mjetesh do të përdoren nëse kreditë me probleme nuk ulen me planin aktual të veprimit në fuqi?

Fillimisht duhet theksuar se aktiviteti ekonomik i vendit po hyn në një fazë interesante për sa i takon rritjes dhe gjallërimit. Ky fakt, nëse do të rezultojë i qëndrueshëm në muajt dhe në vitet në vijim, do të japë kontributin kryesor në zbutjen e shumë problemeve të krijuara vitet e fundit. Këtu bën pjesë dhe gjallërimi i kredisë dhe për rrjedhim, dhe zgjidhja e kredive me probleme. Reformat e ndërmarra dhe gjithë ndërhyrjet e programuara përfshirë dhe planin e veprimeve janë një garanci më shumë në këtë drejtim.
Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare, Banka e Shqipërisë po e trajton problemin në tre drejtime:
i) Forcimi i kritereve në banka, për të zbutur ritmin e krijimit të kredive të reja me probleme;
ii) Trajtimi i stokut të kredive me probleme;
iii) Ruajtja e nivelit të mirëkapitalizimit të bankave, gjatë këtij procesi.
Në lidhje me pikën e parë, vëmendja është përqendruar në:
– Vlerësimin e përshtatshmërisë së strukturave të bankave që kryejnë analizën e projektit të kredisë dhe monitorimin e performancës së kredimarrësit;
– Vlerësimin e përshtatshmërisë së strukturave dhe të proceseve që ndiqen për ristrukturimin e kredisë, duke nxitur nevojën për një ristrukturim të hershëm të kredisë në rastin e kredimarrësve të vlefshëm. Synimi kryesor mbetet nxitja e formave që sigurojnë një ristrukturim efektiv që përmirësojnë arkëtimin e kredisë në vlerën maksimale të mundshme.
Në lidhje me pikën e dytë, vëmendja është përqendruar në:
– Provigjionimin e plotë dhe prudent të kredive me probleme. Banka e Shqipërisë do të nxisë bankat të provigjionojnë përtej vlerave minimale të përcaktuara ne aktet rregullatore, në bazë të klasifikimit që i bëjnë kredimarrësit. Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë ajo garanton stabilitetit më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve;
– Zbatimin me rigorozitet të kërkesës rregullatore për fshirjen e kredive të humbura nga bilanci i bankave, me plotësimin e afatit 3-vjeçar;
– Targetimin e rasteve të ekspozimit të disa bankave te kredimarrës të caktuar me probleme. Këtu zgjidhja do të kërkohet tek opsionet që ofron ligji i ardhshëm i falimentimit, dhe sigurisht shtysat për të vepruar më me shpejtësi në këtë drejtim;
– Nxitja e veprimeve për tregtimin e kredive me probleme, duke synuar transferimin e tyre nga bilancet e bankave drejt institucioneve të tjera financiare më të specializuara për mbledhjen e tyre.
Në lidhje me pikën e tretë, duke konsideruar rritjen e mundshme të kostove të veprimtarisë bankare, për shkak të luhatshmërisë afatshkurtër në nivelin e kredive me probleme dhe gjithë efekteve zinxhir që ajo shkakton, është e nevojshme që të sigurohemi që bankat mbeten të mirëkapitalizuar gjatë gjithë periudhës. Për këtë arsye, fokusi do të mbetet në drejtim të nevojës për kapitalizimin në vlera të përshtatshme të fitimit nga ana e bankave dhe identifikimit të shpejtë të kërkesave për kapital shtesë në rast nevoje.
Nga këndvështrimi i planit kombëtar për uljen e kredive me probleme, duhet theksuar se Banka e Shqipërisë ka kryer rishikimin e gjithë kuadrit rregullator që buronte nga plani i masave. Ndërkohë, jemi në përfundim të hartimit të një udhëzuesi për ristrukturimin e kredive. Ky dokument do të shërbente si ndihmë edhe në trajtimin e kredimarrësve të mëdhenj. Megjithatë edhe njëherë e gjejmë me vend të theksojmë se mbarëvajtja e procesit kërkon plotësimin e kuadrit ligjor: me ligjin e ri të falimentit, me ndryshimet në Kodin Civil si dhe me ndryshimet në procedurat e përmbarimit.
Gjithashtu, në përfundim duam të shprehim bindjen se të gjithë aktorët e përfshirë në këtë aksion, përfshirë dhe Kuvendin, do të vazhdojnë qasjen e tyre pozitive deri në përmbushjen me sukses të planit ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button