Bota

SHBA, Clinton akuzon sërish Trumpin për komentet ndaj grave

Duket se çështja e rihapjes së hetimit të “e-mail”-eve e ka lënë Hillary Clintonin pa argumente elektorale. Ajo e ka sulmuar edhe njëherë rivalin e saj politik, Donald Trump, mbi mënyrën sesi ky i fundit trajton gratë dhe i klasifikon ato mbi paraqitjen e tyre.

Clinton tha se Trump kishte një histori 30-vjeçare, që reflektonte poshtërim, fyerje dhe sulme të panumërta ndaj grave. Gjatë një tubimi në Florida, kandidatja demokrate u shfaq në krah të Miss Universit, Alicia Mochado, të cilën më herët Donald Trump e ka quajtur si “Miss derrkucja”, pasi kjo e fundit kishte shtuar peshë.

“Ju e dini se nuk është e hijshme të fyesh njerëzit. Por shikoni çfare bën Donald Trump. Ai i quan femrat e shëmtuara, të shpifura gjatë të gjithë kohës. Ai i krahason femrat me derrkucat dhe i vlerëson trupat e tyre nga shkalla 1 deri në 10. Pas një jave ne do të jemi duke zgjedhur presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara dhe nuk kam dyshime, sepse zgjedhja juaj është shumë e qartë”, tha Clinton.

Drejtues të fushatës së Clintonit vazhdojnë të akuzojnë drejtorin e FBI-së, James Comey, se po luan një rol aktiv në zgjedhjet elektorale, duke favorizuar kështu kampin tjetër. Sondazhet vijojnë ta nxjerrin ish-Sekretaren e Shtetit në krye, mirëpo ditët e fundit me një diferencë të reduktuar.

Ajo shpreson që të forcojë epërsinë e saj në ditët e fundit të garës elektorale, duke u përzgjedhur e para femër që drejton Shtëpinë e Bardhë. Por rivali i saj politik, të cilin Clinton e quan “vulgar”, Donald Trump deklaroi se ish-Sekretarja e Shtetit është një figurë e korruptuar, e cila do të shkatërrojë shumë sisteme në Amerikë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button