Bota

Shtypi amerikan mbështet në masë zonjën Clinton

Kur gazeta, Dallas Morning News, njoftoi mbështetjen e një demokrati në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara për herë të parë në më shumë se 75 vjet, ajo mori reagime të ndryshme nga lexuesit, nga përgëzime në kritika të ashpra për gazetën. Vendimi i muajit të kaluar nga bordi redaksional i gazetës u pasua nga gazeta të tjera të cilat tradicionalisht kanë mbështetur kandidatët republikanë, por këtë vit ato po mbështesin kandidaten demokrate Hillary Clinton, dhe në një rast kandidatin libertarian, Gary Johnson.

Në mesin e gazetave që morën këtë vendim janë edhe Houston Chronicle, Arizona Republic, Cincinnati Enquirer dhe Detroit News, të cilat, së bashku me gazetënDallas Morning News, në vitin 2012 mbështetën republikanin Mitt Romney.

Gazetat e njoftuan këtë vendim në një moment tepër të pazakontë, duke e marrë vendimin rreth një muaj më herët se sa në zgjedhjet e vitit 2012, gjë që lë të kuptohet se ato janë të bindura se vendimi i tyre është i drejtë. Zakonisht, gazetat e njoftojnë vendimin e tyre për të mbështetur një kandidat të caktuar më afër datës së zgjedhjeve.

Bordet redaksionale të këtyre gazetave ngrenë pikëpyetje serioze në lidhje me zotin Trump duke shtjelluar arsyetimet e tyre për të mos e mbështetur kandidaturën e tij në zgjedhjet e nëntorit 8.

Gazeta Cincinnati Enquirer, në njoftimin e saj, e quajti zotin Trump një “rrezik të qartë dhe të menjëhershëm për vendit tonë”. Kjo është hera e parë në afër 100 vjet që kjo gazetë nuk mbështet kandidaturën e një republikani për president.

“Ne kemi probleme me zonjën Clinton,” thanë redaktorët në shkrimin e tyre. “Por rezervat tona në lidhje me zonjën Clinton janë të zbehta në krahasim me frikën tonë rreth zotit Trump.”

Morning News Dallas ka thënë se zonja Clinton ka treguar gjykim të dobët, “por gabimet e saj janë thjesht të një niveli tjetër në krahasim me ato të kundërshtarit të saj.”

Arizona Republic, e cila kurrë nuk ka mbështetur një demokrat, përmendi arsye të ngjashme, duke thënë se zoti Trump “nuk është konservator dhe nuk është i kualifikuar”, dhe se ndërsa zonja Clinton ka të meta, ajo është një “zgjedhje superiore”.

Detroit News ka mbështetur vetëm republikanë para se të njoftonte mbështetjen për kandidatin libertarian, Gary Johnson. Redaksia e gazetës në njoftimin e saj shpjegonte se ishte e mendimit se zoti Trump është “joparimor, i paqëndrueshëm dhe ndoshta mjaft i rrezikshëm”, por ajo ka shqetësime edhe në lidhje me karakterin e zonjës Clinton.

“Problemet me ndershmërinë dhe etikën gjatë karrierës së saj të gjatë dhe qasjet e saj të kalkuluara për interes vetjak në qëndrimet politike na shqetësojnë thellësisht”,shkruante gazeta.

Zoti Trump, i cili ashtu si zonja Clinton, e ka bërë rrjetin social Twitter një pjesë të madhe të fushatës së këtij viti, ka postuar pakënaqësinë e tij ndaj vendimeve të këtyre gazetave dhe ka parashikuar se ato do të rezultojnë në shkëputjet e lidhjeve të tyre me lexuesit.

(https://twitter.com/realDonaldTrump/status/781861632167256064?ref_src=twsrc%5Etfw)

Redaktori i gazetës Dallas Morning News, Mike Wilson thotë se ai nuk është i shqetësuar në lidhje me efektet e vendimit të gazetës mbi abonimet dhe se ajo që ka rëndësi është informimi i njerëzve në lidhje me zgjedhjet dhe votimin, pa marrë parasysh se cilin kandidat ata zgjedhin.

“Sigurisht që ne kemi paguar një çmim për rekomandimin tonë presidencial, por ne i shkruajmë artikujt tone redaksionalë bazuar tek parimet dhe nganjëherë parimet bartin me vete pasoja,” tha ai në një e-mail dërguar Institutit Poynter për Studimin e Medias.

Phil Boas, redaktor i gazetës, Arizona Republic, i tha kanalit televiziv CNN se ka patur anulime të abonimeve për gazetën e tij, por vendimi i tyre është pasuar edhe me abonime të reja në shtete të tjera.

“Ne morëm një valë të madhe reagimesh”, tha ai. “Morëm shumë telefonata nga njerëz të zemëruar, por morëm edhe një numër të papritur mbështetjesh jo vetëm nga Arizona, por nga mbarë vendi.”

Zoti Boas tha se redaktorët prisnin humbjen e një numri lexuesish, por nuk e konsideruan këtë faktor në vendimin e tyre për të mbështetur zonjën Clinton.

“Ne menduam se çështjet dhe vlerat ishin shumë më të rëndësishme”, tha ai për kanalin televiziv CNN.

Redaktorët e gazetës Arizona Republic dhe ata të gazetës Detroit News i shpjeguan vendimet e tyre edhe përmes videove të publikuara në internet.

Nolan Finley, redaktor i gazetës Detroit News, tha në Facebook se gazeta e tij kishte marrë reagime nga shumë njerëz, si një lexuese e quajtur Sandy, e cila në një koment ka thënë se kishte anuluar abonimin e saj.

“Ne do të donim që ju të qëndroni me ne, Sandy”, tha zoti Finley. “Ne do të donim të vazhdonim bisedën, por ne e morëm këtë vendim bazuar në vlerat tona dhe vlerat që i kemi pasqyruar për lexuesit tanë për mbi 143 vjet”, tha në përgjigjen e tij redaktori i gazetës Detroit News.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button