Dekriminalizimi, Meta takim me Llallën: Institucionet të marrin masa për zbatimin e ligjit
Kryetari Kuvendit, Ilir Meta u takua të hënën me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, me të cilin bisedoi mbi vijimin e procesit të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, përgjegjësitë që ai ka si organ përgjegjës për administrimin e vetëdeklarimeve, si dhe bashkëpunimin me këtë institucion në zbatim të parashikimeve ligjore.
Zyra e shtypit e Kuvendit njofton se kryeparlamentari Meta inkurajon të gjithë titullarët apo anëtarët e organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit në fjalë.
Kryetari i Kuvendit në vijim të detyrimeve që burojnë nga ligji i dekriminalizimit si dhe i akteve nënligjore që i hapin rrugën zbatimit të tij ka nxjerrë urdhërin për caktimin e strukturës së posaçme, pranë së cilës do të dorëzohen dhe administrohen formularët e vetëdeklarimit, për subjektet të cilët në zbatim të akteve të sipërcituara e paraqesin atë pranë tij.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë në përputhje me parashikimet e akteve të sipërcituara, ka hartuar dhe publikuar në faqen zyrtare të tij rregjistrin “Për vetëdeklarimin pranë Kryetarit të Kuvendit të titullarëve apo anëtarëve të organeve kushtetuese, institucioneve të krijuara me ligj, si dhe funksionarët politikë të Kuvendit”.