Zgjedhjet e 25 qershorit, sot mbyllet fushata elektorale, partitë finalizojnë takimet me qytetarët
Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme mbyllet të premten në mbrëmje në të gjithë Shqipërinë, për t’i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 25 qershor.
Partia Socialiste organizon të premten në mbrëmje mitingun përmbyllës në Vlorë, në sheshin e Lungomares. Kryeministri Edi Rama përmes një postim në Facebook njofton finalizimin e fushatës 30 ditore, me takimin e madh në Vlorë.
“Me Vlorën dhe për Vlorën kuqezi, në stacionin final të flamurit kombëtar, në rrugëtimin drejt 25 qershorit”, shkruan kryeministri.
Partia Demokratike e opozitës do ta finalizojë fushatën me mitingun në Tiranë, në sheshin “Nënë Tereza”.
Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka paralajmëruar takimin përmbyllës me elektoratin në orën 18:00 në Fier.
Po sot, edhe LIBRA përmbyll fushatën në Tiranë.
Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, 18 subjektet politikë që do të konkurojnë në votimet e së dielës, shpalosën para elektoratit programet dhe alternativat e tyre për zhvillimin e vendit gjatë katër viteve të ardhshëm.
Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin heshtjes zgjedhore.
“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.
Zgjedhjet e 25 qershorit do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.
Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 18 parti. Ndërkohë në këto zgjedhje forcat politike konkurojnë të vetme dhe nuk janë grupuar në koalicione.