Ekonomia

Raporti konkurrueshmërisë globale: Taksat dhe korrupsioni, pengesat kryesore për të bërë biznes në Shqipëri

Forumi Ekonomik Global ka publikuar raportin e konkurrueshmërisë globale 2017-2018, ku Shqipëria është renditur në vendin e 75 nga 137 shtete, me një përmirësim prej 5 vendesh në raport me vitin e kaluar dhe duke pasur pozicionimin më të mirë në rajon.

Nga analiza e detajuar e raportit konstatohet se faktori më problematik për të bërë biznes, i cilësuar si i tillë nga drejtuesit e sipërmarrjeve shqiptare, janë taksat, me 21.7 pikë. Shqetësimi i dytë është korrupsioni, me 16.4 pikë.

Më pas renditen aksesi në financë, rregullimi i taksave, qeverisje ineficiente dhe burokratike, forca e papërshtatshme e punës, inflacioni, etika e ulët e forcës së punës, për të vijuar deri te shqetësimet më të vogla si regjimi i monedhave të huaja dhe rregullat kufizuese të tregut të punës.

Një vit më parë, në renditjen e vitit 2016 kishte qenë korrupsioni shqetësimi kryesor, me 23.6 pikë, i ndjekur nga taksat me 21.3 pikë.

Nga një listë prej 16 faktorësh, drejtuesit ekzekutive të anketuar nga Forumi Ekonomik Global u pyetën që të zgjidhnin pesë faktorët më problematikë për të bërë biznes në vendin e tyre dhe t’i rendisin ato midis 1 (më problematiku) dhe 5. Pikëzimi i korrespondon peshimit të përgjigjeve në bazë të renditjes.

Edhe në Serbi (në vendin e 78), që ka taksa të krahasueshme me ne, shqetësimi kryesor janë taksat, ndërsa në Mal të zi është aksesi në financë, ndërsa taksat jashtë shqetësimi i shtatë. Në Bosnjë, që është në total në vendin e 103, shqetësimi kryesor është ineficienca dhe burokracia e qeverisë, teksa ky shtet vuan pasojat e ndarjes etnike dhe institucionale. Maqedonia mungon këtë vit në renditje.

Raporti i konkurrueshmërisë globale merr në konsideratë 12 shtylla kryesore : institucionet; Infrastruktura; mjedisi makroekonomik, shëndeti dhe edukimi parësor; edukimi i lartë dhe trajnimi; eficienca e tregjeve; eficienca e tregjeve të punës; zhvillimet e tregut financiar; teknologjia; madhësia e tregjeve; sofistikimi i bizneseve; novacioni.

Shqipëria ka renditjen më të mirë në treguesin e shëndetit dhe edukimit primar, ku renditet në vendin e 36. Edhe edukimi i lartë dhe trajnimi kanë renditje pozitive, në vendin e 49.

Më keq Shqipëria paraqitet në treguesin e risive dhe sofistikimit, ku sidomos për novacionin është e 87-a. Negative është edhe renditja për madhësinë e tregut, në vendin e 2017, por kjo lidhet kryesisht me popullsinë e vogël të vendit.

Shteti më konkurrues në botë mbetet Zvicra, të ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Holanda, Gjermania, Hong Kongu, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Japonia.

 

Capture

 

Capture

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button