Rajoni

Austin: Agresioni rus në Ukrainë, moskokëçarës dhe i pamëshirshëm

Në një konferencë shtypi në Bullgari me kryeministrin Kiril Petkov, zoti Austin ritheksoi edhe njëherë qëndrimin amerikan se do të mbrohet çdo centimetër tokë e territorit të NATO-s.

“Angazhimi ynë ndaj nenit 5 të traktatit të NATO-s, është i hekurt. Lufta e zgjedhur e Putinit kundër Ukrainës ka qenë tragjike. Agresioni i Rusisë ka shkaktuar një humbje të tmerrshme në jetët e ukrainasve, mes tyre ushtarë të guximshëm dhe shumë civilë të pafajshëm. Agresioni i Rusisë ka galvanizuar popullin ukrainas, NATO-n dhe botën e lirë”, theksoi zoti Austin.

Zoti Austin tha gjithashtu se SHBA-të “nuk kishin parë asnjë provë” se Rusia po dislonte më shumë forca ushtarake në Ukrainë, por ai tha se është e kuptueshme që Presidenti rus Vladimir Putin do të kërkonte në vazhdim të forconte kapacitetet e tij ushtarake atje.

“Gjëja më e zgjuar që ai (Putini) mund të bëjë tani është që të marrë një vendim për t’i dhënë fund këtij konflikti. Ne i bëjmë thirrje që ta bëjë këtë, t’i jap fund luftës. Për sa i përket përparimit të Rusisë në jug, do të thosha se ata kanë përdorur disa teknika brutale, të egra për sa i përket mënyrës se si kanë vënë në shënjestër popullsinë civile apo qendrat urbane”, theksoi më tej Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Bullgaria, dikur aleati më i ngushtë i Moskës gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, por tani një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, po krijon një formacion luftarak deri në 1 mijë trupa nën komandën operacionale të NATO-s për Evropën.

Kjo është një përpjekje tjetër e aleancës për të forcuar krahun lindor. Në këtë formacion pritet të marrin pjesë edhe trupa nga vendet e tjera aleate.

“Përmirësimi i gatishmërisë ushtarake të Bullgarisë dhe ndërveprimit të NATO-s është edhe më jetik sot pasi Evropa përballet me sfidën e saj më të madhe të sigurisë në breza. Kështu që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë lidhje të forta me Bullgarinë dhe aleatët tanë të tjerë të NATO-s. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për një paqe dhe siguri të qëndrueshme në Evropë”, tha Lloyd Austin, Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Kryeministri bullgar tha se vendi i tij do të vazhdojë të dërgojë ndihma humanitare në Ukrainë dhe të pranojë refugjatë ukrainas që largohen nga lufta.

Por Sofia zyrtare nuk po shqyrton mundësinë e dërgimit e armëve në Kiev për momentin, për shkak të afërsisë gjeografikek të Bullgarisë me Ukrainën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button