Bota

Zelensky pezullon aktivitetin e 11 partive pro-ruse në Ukrainë

Ushtria ruse të dielën intensifikoi sulmet ndaj qyteteve të rrethuara ukrainase, përfshirë një shkollë arti në Mariupol, ku sipas autoriteteve ukrainase po strehoheshin qindra civilë. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka lëshuar një urdhër për pezullimin e 11 partive ukrainase për lidhjet e tyre me Rusinë. Ndërkohë, ushtria ruse njoftoi të dielën se ka kryer sulme të tjera me raketa hipersonike që kishin në shënjestër bazat e ushtrisë ukrainase.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të dielën pezullimin e veprimtarisë së 11 partive politike të cilat kanë lidhje të ngushta me Rusinë.

“Aktivitetet e politikanëve që synojnë të shkaktojnë përçarje dhe të bashkëpunojnë me Rusinë nuk do të kenë sukses, por do të përballen me një përgjigje të ashpër. Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, duke patur parasysh luftën në shkallë të gjerë të nisur nga Federata Ruse dhe lidhjet ndërmjet saj dhe disa strukturave politike, ka vendosur të pezullojë aktivitetin e një numri të partive politike për periudhën e gjendjes së luftës”, tha presidenti Zelensky.

Mes tyre është edhe partia Platforma Opozitare për Jetën, e cila ka 44 ligjvënës në parlamentin ukrainas me gjithsej 450 vende. Kjo parti drejtohet nga Viktor Medvedchuk, i cili ka lidhje miqësore me presidentin rus Vladimir Putin. Në listë është edhe partia Nashi (E jona) e udhëhequr nga Yevheniy Murayev. Para fillimit të sulmit rus, autoritetet britanike kishin paralajmëruar se Rusia donte të vendoste zotin Murayev në postin e udhëheqësit të Ukrainës.

Trupat ruse sot intensifikuan bombardimet në qytetin port të Mariupolit, ku sipas zyrtarëve ukrainas, një sulm rrafshoi një shkollë arti që përdorej si qendër strehimi nga qindra civilë. Mariupoli vazhdon të jetë një nga qytetet me pasojat dhe vuajtjet më të mëdha nga lufta. Autoritetet në qytetin lindor të Kharkivit thonë se të paktën pesë civilë, përfshirë një fëmijë 9 vjeçar janë vrarë nga bombardimet e forcave ruse.

Ushtria ruse tha sot se kishte kryer një seri të re sulmesh ndaj objekteve ushtarake ukrainase me raketa hipersonike me rreze të gjatë veprimi.

Zëdhënësi i ushtrisë ruse, gjeneralmajori Igor Konashenkov tha se një raketë hipersonike “Kinzhal” ka goditur një depo ukrainase të karburantit në Kostiantynivka pranë Mykolaivit, një port i rëndësishëm në Detin e Zi.

“Gjatë natës, forcat ushtarake taktike dhe ato ajore goditën 62 objekte ushtarake të Ukrainës. Midis tyre: tre qendra komandimi, një objekt me sisteme raketash, dy depo armësh dhe një depo karburanti, si dhe 52 zona, ku ishin përqendruar pajisjet ushtarake”, tha ai.

Kjo është dita e dytë radhazi që Rusia thotë se ka përdorur raketat hipersonike “Kinzhal”, të cilat mund të godasin objektiva në një distancë prej 2000 kilometrash me një shpejtësi 5 herë më të madhe se ajo e zërit.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës që filloi më 24 shkurt ka shkaktuar një numër të madh viktimash dhe largimin e miliona njerëzve nga vendi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button