Kronika

Njohja e diplomave të fituara jashtë

Kur dosja e paraqitur është e rregullt, procesi i marrjes së vërtetimit për njohjen e diplomës përfundon brenda 45 ditëve për aplikimet e bëra online, si dhe brenda 3 muajve në rastet e kërkesave të paraqitura në formë shkresore. Si ndryshojnë tarifat dhe procedurat që duhet të ndiqni

Pranvera Kola -Dita

Aplikimet online për njohjen e diplomave të fituara jashtë vendit, jo vetëm që kushtojnë më pak, por mund të mbyllen edhe në një kohë më të shkurtër, krahasuar me procedurat që ndiqen në rastet e kërkesave të paraqitura në formë shkresore.

Me ndryshimet e bëra në udhëzimin përkatës për nivelin e njehsimit të titujve të studimit të ciklit “Bachelor”, “Master”, si dhe studimet e doktoratës, MAS ka detajuar procedurën dhe hapat që duhet të ndiqen për marrjen e vërtetimeve për secilin cikël studimesh.

Këto vërtetime janë të nevojshme për qëllime punësimi, si dhe ndjekje të mëtejshme të studimeve universitare, apo pasuniversitare në institucionet e arsimit të lartë në vend. Në të dy rastet, aplikanti duhet të dorëzojë në rrugë postare edhe dokumentacionin e kërkuar për njësimin e certifikatave dhe diplomave universitare të nivelit 5 deri në nivelin 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve.

Duke përjashtuar titujt e doktoratave, për të gjitha llojet e tjera të cikleve studimore, dosja e dokumenteve për njehsimin e certifikatës, apo diplomës duhet të përmbajë: “Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, i cili shkarkohet nga faqja zyrtare e MAS, ose atë të printuar pas aplikimit online, diplomën ose certifikatën që vërteton përfundimin e studimeve, listën e notave dhe suplementin e diplomës, fotokopjen e kartës së identitetit, si dhe mandat pagesën për secilin rast aplikimi.

Për studimet e doktoratës duhet të dorëzohen të tjera dokumente, të cilat gjenden të detajuar bashkangjitur shkrimit.

Procedura që ndiqet

Sipas udhëzuesit të zbardhur, në rastin e aplikimit online, kandidati plotëson formularin përkatës, dhe më pas dërgon në rrugë postare në MAS, dokumentacionin e përmendur.

Kjo dosje që dërgohet me postë, depozitohet në Sektorin e Protokollit në MAS, ku merr dhe numrin e regjistrit përkatës. Për aplikimet online kandidati njoftohet automatikisht me email për plotësimin e procedurës, si dhe afateve që do të ndiqen deri në njohjen e plotë të titullit të studimit, për të cilin lëshohet edhe vërtetimi përkatës.

Pas mbledhjes së dokumenteve, Sektori i Njohjes së Diplomave, kryen verifikimin e vlefshmërisë së diplomës, apo certifikatës, për rastet kur këto dokumente nuk janë të pajisura me vulë apostille (legalizim), që nuk janë të legalizuara në vendin e origjinës, procedurë e cila ndiqet edhe në rastet e dokumentacionit të lëshuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kundrejt këtyre dëshmive, Sektori kontakton me email, ose në rrugë postare me institucionin që ka lëshuar diplomën. Gjithashtu ky sektor merr informacion edhe në rrjetin evropian të informimit në lidhje me ligjshmërinë dhe akreditimin e programeve të huaja që kanë lëshuar këto dëshmi për të cilat është kërkuar njehsimi.

Materialet shkresore, ose të printuara për të gjitha verifikimet e kryera, depozitohen në dosjen e aplikantit. Për verifikimet e kryera online, ose me pincode të aplikantit, dokumentacioni i printuar firmoset nga nëpunësi që kryen verifikimet dhe depozitohet në dosjen e kandidatit.

Tarifa e njehsimit të titujve të fituar jashtë vendit

Sa i takon kostos, në udhëzim saktësohet se tarifa për njohjen dhe njësimin e certifikatave dhe diplomave që i përkasin nivelit të përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë, (me përjashtim të njësimit të gradave shkencore), për çdo diplomë që kërkohet të njësohet është 2,000 lekë për aplikimet e kryera online, si dhe 4,000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore.

Ndërsa për gradat shkencore tarifa për çdo diplomë që kërkohet të njësohet është 3,500 lekë për kërkesat e plotësuara online, si dhe 5,000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore. Dorëzimi i mandat pagesës është i detyrueshëm për të dyja llojet e aplikimeve të bëra.

Koha që duhet të prisni për marrjen e vërtetimit

Sipas afateve të përcaktuara, procedurat për njohjen dhe njësimin e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit, kur dosja e aplikimit është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e kërkuar, përfundon brenda 45 ditëve, në rastet e aplikimit online, dhe brenda 3 muajve në rastet e aplikimit në formë shkresore.

Ndërkohë që aplikanti duhet të jetë i kujdesshëm që të mos vonojë dhënien e përgjigjeve, kur komisioni ka kthyer mbrapsht dosjen për plotësim të mangësive të gjetura në dokumente. Afatet e përcaktuara për njësimin e kualifikimeve, gradave apo titujve i referohen datës së plotësimit të praktikës me të gjithë dokumentacionin.

 Procedurat për marrjen e vendimit të njohjes

Referuar kushteve të vendosura në ligjin e arsimit të lartë, për njohjen dhe njësimin e certifikatave dhe diplomave të lëshuara në përfundim të programeve të studimit që i përkasin nivelit 5, deri në 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, përveç gradës shkencore “Doktor”, procedura kryhet nga Komisioni i Njohjes së Diplomave, në përbërje të të cilit janë ekspertë të drejtorisë së arsimit të lartë në MAS.

Ky komision merr vendimin për njohjen, ose mund të vendosë t’ia kthejë dosjen sektorit, për plotësime të nevojshme në dokumentacion, sipas udhëzimit përkatës. Sektori në bazë të vendimit të Komisionit  përgatit vërtetimin e njohjes dhe njësimit për çdo aplikant. Në rastet e mosnjohjes së diplomës, apo certifikatës, Sektori përgatit përgjigjen përkatëse për aplikantin.

Ndërsa për njohjen e gradave shkencore, ngrihen me urdhër të ministrit të Arsimit, komisione ad-hoc sipas fushave përkatëse, me pedagogë ekspertë të kategorisë “Profesor”, i cili mblidhet në varësi të numrit të aplikimeve dhe shqyrton dosjet përkatëse.

Në këtë rast drejtimin e komisionit e kryeson ministri përgjegjës për arsimin. Komisioni nuk mund të mblidhet më vonë se 15 ditë kalendarike pas njoftimit për shqyrtimin e një aplikimi. Në përfundim të procedurave të shqyrtimit komisioni firmos procesverbalin dhe ministrja lëshon vërtetimin për njohjen e gradës shkencore.

Vërtetimi  i njohjes dhe njësimit është i aksesueshëm online në çdo kohë nga kandidati, kundrejt username-t dhe password-it të tij për aplikantët që kanë ndjekur procedurën e aplikimit online.

 Certifikatat që përjashtohen nga njehsimi

Sipas MAS, nuk kalojën në këtë proces certifikatat, diplomat universitare dhe gradat shkencore për programe studimi të ndjekura në vend, dokumentet për titujt e studimeve të fituara nga ndjekja e programeve online, apo në distancë, dokumentet për programe studimi të papërfunduara.

Këto dokumente mund të shqyrtohen nga institucioni i arsimit të lartë pranë të cilit aplikohet për transferim studimesh.

Gjithashtu nuk mund të njihen as certifikatat dhe dëshmitë për kurse kualifikimi, ose plotësuese, të ndjekura për shembull në njohjen e gjuhës së huaj, apo kurse për njohuritë kompjuterike, si dhe diploma të lëshuara nga institucione ushtarake të arsimit të lartë, dhe ato të fituara në institucionet fetare.

Dosja e aplikimit për njohjen dhe njësimin e gradës shkencore “Doktor” duhet të përfshijë:

  • Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, i cili shkarkohet nga faqja zyrtare e MAS (në rast se aplikohet vetëm në formë shkresore), ose i printuar pas aplikimit online (kur ndiqet kjo formë).
  • Kopje të diplomës dhe suplementit të saj, të lëshuar nga institucioni përkatës i arsimit të lartë, që dëshmon fitimin e gradës shkencore “Doktor”, si dhe kopje të noterizuara të diplomave për studimet pararendëse universitare të kryera nga kandidati përkatës.
  • Disertacionin e doktoratës, në format hard-copy (të lidhur dhe firmosur nga aplikanti dhe udhëheqësi shkencor. Në mungesë të firmosjes nga udhëheqësi, duhet të siglohet nga sekretaria mësimore e institucionit të arsimit të lartë që e ka lëshuar, e cila po ashtu duhet edhe ta vulosë.
  • Përmbledhje në gjuhën shqipe të disertacionit në format hard-copy (të firmosur nga aplikanti) dhe elektronik (në CD në format word), 5-10 faqe.
  • Vërtetimin e lëshuar nga Biblioteka Kombëtare në Tiranë, të depozitimit të kopjes së disertacionit.
  • Curriculum Vitae të firmosur nga aplikanti.
  • Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës.
  • Mandatpagesën të përcaktuar sipas rastit përkatës.

Aplikimi për njohjen e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, duhet të përfshijë:

  • Kërkesë me shkrim për njohjen e titullit akademik.
  • Dokumentin e fitimit të titullit akademik, fotokopje të njësuar me origjinalin.
  • Diplomën e fitimit të gradës shkencore, fotokopje e njësuar me origjinalin.
  • Dokumentin që certifikon fitimin e titujve të tjerë akademikë.
  • Vërtetimin e regjistrimit të titullit akademik në databasen në zbatim të kuadrit ligjor të vendit përkatës.
  • Curriculum Vitae.
  • Fotokopje të kartës së Identitetit apo Pasaportës.
  • Aplikimi duhet të shoqërohet me një skedë që duhet të plotësohet prej kërkuesit në të cilin të jepet informacion për eksperiencën akademike në mësimdhënie, aktivitetin shkencor që ka të bëjë me pjesëmarrjet në simpoziume, konferenca, kongrese shkencore të shoqëruara me tituj e materialeve të paraqitura, si dhe botime të punimeve shkencore në organe shkencore ndërkombëtare. Informacioni i parashikuar në këtë skedë duhet të shoqërohet me dokumentacion provues përkatës.
  • Informacion mbi bazën ligjore për përfitimin dhe mbajtjen e titullit në vendin e origjinës.

Dosja e dokumenteve për të gjitha llojet e tjera të aplikimeve duhet të ketë:

  • Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, i cili shkarkohet nga faqja zyrtare e MAS, ose atë të printuar pas aplikimit online (në rast se aplikohet online).
  • Diplomën ose certifikatën që vërteton përfundimin e studimeve (në rastet kur ky përbën dokumentin zyrtar përkatës në vendin e origjinës ekuivalent me diplomën).
  • Listën e notave dhe suplementin e diplomës.
  • Fotokopje e kartës së identitetit, ose të pasaportës.
  • Mandat-pagesën hard-copy (në rastet kur aplikimi kryhet vetëm në rrugë shkresore).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button