Kosova

Hoxha: Fuqizimi i Shërbimit korrektues dhe sprovues i kontribuon sundimit të ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha theksoi se fuqizimi i Shërbimit korrektues dhe sprovues i kontribuon sundimit të ligjit.

Hoxha këto komente i bëri në përmbylljen e projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i Shërbimeve Korrektues dhe Sprovues në Kosovë”, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë tha se janë duke e përmbyllur një projekt tejet të rëndësishëm, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në sundimin e ligjit, komponentë kjo qenësore në procesin aktual euro-integrues të Republikës së Kosovës.

“Misioni im dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhet ngushtë me vazhdimin e ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, fuqizimin e zbatimit dhe sundimin e ligjit. Luftimi me vendosmëri i krimit dhe korrupsionit, vazhdimisht duke mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, duke shtuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien, ne krijojmë bazën e sigurt të së tashmes tonë si partner në fushën e drejtësisë, madje edhe në nivel regjional dhe global por edhe të ardhmes tonë”, tha Hoxha.

Po ashtu, Hoxha përmendi edhe reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë, ku në veçanti vuri theks tek rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të procedurës penale, fuqizimin e profesioneve të lira, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, ngritjen e performances në sektorët e veçantë, ku vlerësoi se japin argumente se ne duam që komponentë e zbatimit të ligjit të jetë ana e fortë e Republikës së Kosovës.

Hoxha vlerësoi se drejtësia përbën vlerën themelore të sigurisë dhe besimit të investitorëve, të cilët duan garanci për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, se kanë dhe ofrohet siguri për investime.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button