Opinion

“Të panjohurat që nuk ishin të tilla kur ndodhën”

Nga Preç Zogaj
Si sot tridhjetë e tre vjet, jo në mbrëmje, por në të zbardhur, Tiranës iu shtua një radhë e re, edhe më e gjatë se radhët proverbiale të dyqaneve të qumështit dhe ushqimeve me racion të asaj kohe.

Një radhë para librarive për të blerë gazetën “Rilindja Demokratike”, e para anti-regjim pas rreth gjysmë shekulli totalitarizëm absolut në vendin tonë.

Numri i parë u shtyp në shtatëdhjetëmijë kopje. Numri i dytë në njëqind mijë kopje. Në vijim, po të kishte kapacitete teknike të mjaftueshme, RD mund të shtypej pa frikë në gjysmë milioni kopje dhe do të shitej e gjitha. Pas kaq vitesh, ndoshta nuk ka mbetur për t’u treguar diçka tjetër me esenciale se tirazhi shumë i madh. Por duke pas qenë i ngarkuar nga Komisioni Nismëtar demokrat i 13 dhjetorit 1990 për krijimin e gazetës së parë opozitare, më lejoni të ndaj me ju në këtë tridhjetë e tre vjetor, dy-tre “të panjohura”.
Që nuk kanë qenë të panjohura kur kanë ndodhur, por janë bërë të tilla me vonë, nga mënyra si është treguar historia e krijimit të RD-së nga njerëz që për lloj lloj arsyesh, objektive a subjektive, nuk kanë marrë pjesë në krijimin e saj dhe as mund të qortohen, as mund të lëvdohen për këtë.

E para, ndryshe nga përfytyrimet e investuara nga “dëshmitarët” postfaktum, demokratë të orës 25 disa syresh apo bolshevikë malinj disa të tjerë, nuk ka patur në atë dimër të themelimit të RD-së një luftë bërrylash apo një korridë që kush e kush t’i dilte zot më parë asaj pune, kush e kush të merrte timonin, kush e kush të përfshihej , kush e kush të shkruante e të botonte para tjetrit në faqet e gazetës…

Jo. Ky përfytyrim është i gabuar. Ka patur mbështetje dhe mbështetës të shumtë gjithandej, por pak individë që pranonin apo ofroheshim për t’i dalë zot me emër dhe mbiemër asaj aventure. Ndodh pothuajse gjithmonë kështu në ditët e para të përmbysjeve apo ngjarjeve të mëdha. Dhe unë e them këtë për të nderuar të vertetën, pa asnjë qëllim tjetër. Ju ftoj të kujtojmë me respekt ata që u angazhuan të parët, emrat e të cilëve janë shkruar në numrat e parë të gazetës: gazetarë me përvojë, të dënuar nga regjimi i mëparshëm si “kritizerë”, do të thotë si kritikë, si Frrok Çupi , kryeredaktori i parë dhe Mitro Çela; studentë të talentuar të lëvizjes së dhjetorit si Blendi Fevziu, Ben Blushi e Amand Shkullaku, shkrimtarë dhe intelektualë të njohur për pikpamjet dhe qëndrimet e tyre demokratike para se të vinte ora e ndryshimeve, si Rudolf Marku, Besnik Mustafaj, Aurel Plasari, Neshat Tozaj, Abdi Baleta, Petraq Kolevica, Ilirian Zhupa, Kujtim Çashku, Elsa Ballauri, Natasha Lako, Teodor Keko, Edi Rama, Shpetim Nazarko, Edi Hila, Agim Isaku, Bujar Xhaferri, Visar Zhiti, Vera Isaku, e tjerë; intelektualë që ndërkohë kishin themeluar e po ndërtonin Partinë Demokratike, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Genc Rruli, Rexhep Uka e mbështetës të tjerë të PD-së së sapoformuar.

E dyta, nuk kapatur shpërblime, përfitime, premtime. Përkundrazi, ka patur vetëm idealizëm, vetëm përkushtim, kurajo, punë falas, pa rroga, pa honorare, pa asnjë lloj asistence nga Perendimi për shumë muaj, të vetëm me aq sa dinim, me aq sa mundnim, me rreziqet nepër këmbë e rreth e rrotull që të gjithë i kishin marrë parasysh, ndërsa ngjarjet zbuloheshin duke ndodhur, pra nuk dihej si do të shkonte, siç e dimë pasi ngjarjet kanë ndodhur apo siç e dimë në një film që mund ta rishohim nga fundi.

E treta, përveç pengesave të llojllojshme, ne u ndeshëm me një vështirësi specifike që ishte ajo e krijimit të një gazete tregu, e huaj për planifikimin socialist të kohës ku tirazhi përcaktohej në bazë të abonimeve dhe vazhdimësia e daljes së gazetave bashkë me rrogat dhe honoraret garantohej nga shteti. “RD” nuk mund të ishte pjesë e këtij sistemi. Në elementët bazë ajo u nis si gazetë e tregut të lirë. Ajo shënon lindjen e shtypit të lirë dhe mund të themi edhe të tregut të lirë në Shqipëri.

Së fundi, doja të thosha se RD lindi e madhe dhe mbeti e madhe për shumë muaj sepse ishte e para, sepse ishte e hapur, sepse nuk ishte strikte partiake siç kishte qenë tradita e shtypit të regjimit. Ne patëm përcaktuar e gjetur me partinë në ato fillime një raport që do ta quaja reformist në përspektivën që pati shtypi partiak në Europë dhe në vendet ish komuniste në epokën e demokracisë. Ky raport për fat të keq nuk vazhdoi dhe gazeta që lindi e madhe, u partitizua në ekstrem, u personalizua, u zvogëlua duke paralajmëruar e ndjellë zvogëlimin e trishtë të vetë PD-së.

Sidoqoftë, ndërsa përsërisim diktonin “ lexuesi lexon gazetën dhe jo historinë e saj”, është e drejtë të përsërisim se “RD” është gazeta themeluese e shtypit të lirë në Shqipëri.
Ajo është, nuk ka tjetër. As më të mirë, as me të keqe.
Ashtu qëndron e do të qëndrojë edhe kur të mos ekzistojë më si testatë. Sepse krijimi i shtypit të lirë është një ngjarje historike e themelit të demokracinë tonë.

Një ngjarje për t’u kujtuar. Një ngjarje për t’u nderuar një ditë nga institucionet shtetërore që ligji i ngarkon të jenë njohës dhe pasurues të asaj që çmohet se është vlerë publike- kombëtare. Një ngjarje për të reflektuar rreth sfidave të reja të shtypit të lirë në kushtet e diversifikimit të pashembullt të mjeteve të informimit dhe rreziqeve që kërcënojnë lirinë e medias dhe pushtetin e saj autentik si shtyllë e rendit demokratik. “RD” online nën drejtimin e gazetarit dhe eseistit të shquar letrar Namir Lapardhaja sërish mund të behët shembulli i një reflektimi kësisoj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button