Bota

Danimarka ndihmëse e shërbimit sekret të SHBA-së

Shërbimi sekret danez i ka ndihmuar shërbimit sekret amerikan NSA që të përgjonte politikanë të lartë evropianë dhe gjermanë. Ironia e kësaj historie: edhe vetë Danimarka ishte në shënjestër të NSA-së.

Prej vitesh shërbimi sekret amerikan NSA ka spiunuar politikanë të lartë gjermanë si Angela Merkel dhe Frank-Walter Steinmeier, si dhe politikanë nga Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Franca. Kjo dihet prej vitesh. Por tani po dalin në dritë detaje të reja të veprimtarisë së spiunazhit: vendi fqinj dhe partneri i ngushtë i Gjermanisë Danimarka me sa duket ka ndihmuar NSA për spiunimin në shkallë të gjerë të politikanëve. E re është gjithashtu që edhe kandidati i atëhershëm për kancelar Peer Steinbrück ishte në fokus të shërbimeve sekrete.

NSA me sa duket kishte qasje të drejtpërdrejtë në një stacion përgjimi afër Kopenhagës. Këtë i thanë burimet e shërbimit sekret danez një ekipi të RTV publik danez, i cili hulumtoi së bashku me mediat gjermane NDR, WDR dhe Süddeutscher Zeitung. Qeveria daneze ndoshta ka qenë në dijeni të kësaj veprimtarie spiunazhi të paktën që nga viti 2015. Qeveria gjermane deklaroi se deri tani nuk është e informuar në lidhje me të lajm.

Asnjë befasi

Kryetari i komitetit parlamentar të hetimit të veprimtarisë së shërbimi sekret amerikan NSA, Patrick Sensburg, nuk u befasua nga zbulimet e reja. Përgjime të tilla janë praktikë e zakonshme. “Ne duhet të kuptojmë sistemin e shërbimeve sekrete. Këtu nuk kemi të bëjnë me miqësi. apo me pretendime morale ose etike. Kemi të bëjmë arritjen e interesave.”

Thomas Wegener Friis, ekspert danez për shërbimet sekrete tha se sa u përket faktorëve teknikë “Danimarka ka një avantazh të madh, sepse përmes Danimarkës zhvillohet një sasi e madhe e trafikut të internetit. Në afërsi të Kopenhagës ekziston një qendër e rëndësishme e internetit për kabllo të ndryshme nënujore. Dhe kjo e bën Danimarkën tepër tërheqëse për partnerët amerikanë.”

Ironia e historisë së përgjimit është se sipas dokumenteve Danimarka jo vetëm që e ndihmoi shërbimin sekret amerikan NSA, por gjithashtu u bë edhe vetë objekt i mbikëqyrjes dhe i spiuazhit. Zyrat e Ministrisë Daneze të Punëve të Jashtme dhe asaj të Financave si dhe të një kompanie daneze që prodhon armë janë spiunuar po ashtu prej NSA-së. Shërbimi sekret danez u ndihmoi kësisoj amerikanëve që të spiunojnë qeverinë e vet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button