Kronika

Flet “Komisari i Hekurt”: Po pres rikthimin në Policinë e Shtetit

I njohur në kohën e tij si “komisari i hekurt”, Edmond Koseni, ka fituar të gjitha betejat ligjore me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, duke i detyruar këto institucione ta sistemojnë në punë dhe t’i kthejnë 121 rroga mujore për 10 vitet e lëna pa punë.

Sot ai duke folur për “News24”, ka thënë “jam pezulluar deri në përfundim të hetimit të çështjes. S’kam qenë i përjashtuar dhe as i larguar nga Policia.

Hetimi penal u hap me urdhër të ministrit Ilir Gjoni. Vendimi i gjykatës është që të paguhem që nga koha e pezullimit nga detyra. Kam fituar të drejtën për rikthim nga gjykata, e pres rikthimin në Policinë e Shtetit.

 Kam punuar me ndershmëri në radhët e Policisë. Kemi kaluar stres familjarisht. Besoj në zbatimin e vendimit të gjykatës.

Prej më shumë se 10 vite ish-komisari Edmond Koseni, është pezulluar nga detyra për shkak të një procesi penal kundër tij.

Mirëpo edhe pse nga ky proces efektivi i policisë doli i pafajshëm, ai sërish u la pas dore nga krerët e policisë së Shtetit, duke mos u lejuar të rikthehet në punë.

Edmond Koseni ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe ka kryer së fundi detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, ndaj paditësit ka filluar një procedim penal, në të cilin ai është akuzuar të kish kryer veprën penale të “torturës me pasoja të rënda”, në bashkëpunim.

Në këto kushte, me urdhrin nr. 3727, datë 23 dhjetor 2001 të Ministrit të Rendit Publik, paditësit është pezulluar nga detyra deri në përfundimin e çështjes penale, me motivacionin “për shkelje të rënda në detyrë”.

Rezulton se në këtë procedim penal, ndaj paditësit është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”.Ndërkohë që kryeministri një ditë më pas në 21 dhjetor 2001 ka vendosur të largojë paditësin Edmond Koseni nga detyra.

Sa i përket procedimit penal, rezulton se me vendimin e nëntorit 2003 të gjykatës Elbasan, Koseni është deklaruar i pafajshëm për akuzën e “torturës” dhe është pushuar çështja penale, lidhur me akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”.

Pas marrjes së pafajësisë nga gjykata e Elbasanit, paditësi i ka kërkuar palës së paditur që t’a sistemojë atë në punë dhe në kushtet kur pala e paditur ka refuzuar këtë kërkesë, ai ka ngritur padinë objekt gjykimi.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë pjesërisht padinë, duke i njohur paditësit të drejtën e përfitimit të pagesës kalimtare. Ky vendim pasi është gjetur jo i drejtë nga gjykata e apelit, është prishur nga kjo e fundit me arsyetimin se konkluzioni i gjykatës është rrjedhojë e një hetimi jo të plotë, mos analizimit të fakteve të caktuara, si dhe disponimit jashtë kërkimeve të pareshtruara në objektin e padisë.

Për këto arsye, gjykata e apelit ka vendosur t’a prishë vendimin dhe t’a dërgojë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sërisht kaluari i gjyqeve ka filluar nga e para, ndërkohë që në qershor të 2012 në gjykatën e Apelit, Koseni ka fituar gjyqin.

Në rrethanat e fakteve të paraqitura, gjykata çmoi se heshtja e palës së paditur për ta sistemuar paditësin në detyrën e punonjësit të policisë së shtetit, duhet të kuptohet dhe trajtohet si refuzim për të zënë me punë paditësin, situatë kjo që nënkupton ndërprerjen e kontratës së shërbimit publik mes policisë së shtetit dhe paditësit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button