Sporti

Kombëtarja U18, trajneri Behari: Kemi fituar disa lojtarë

Përfaqësuesja U18 ka zhvilluar dy ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e Malit të Zi, një mundësi për stafin teknik për të evidentuar lojtarë që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren U19. Trajneri i kuqezinjve, Ardi Behari ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e të tijve në këto dy sfida, ku të paktën 4 apo 5 prej tyre janë të gatshëm për të bërë kalimin tek U19.

Në një prononcim për FSHF.org, Behari ka theksuar: “Janë disa aspekte pozitive nga këto miqësore. E para, ishin shumë të vlefshme në aspektin e seleksionimit të lojtarëve dhe nisur nga kjo, sepse edhe detyra funksionale e Kombëtares U-18 është pjesa e evidentimit dhe mbajtja në formë e të gjithë lojtarëve të datëlindjes 2005 në të gjithë Europën, sigurisht edhe të gjithë lojtarëve që luajnë në Shqipëri. Evidentuam 4-5 futbollistë të cilët mund të vazhdojnë të jenë pjesë e Kombëtares U-19 për kompeticionin zyrtar, por mund të ketë ndër ta edhe lojtarë që më ka lënë përshtypje shumë të mira dhe jemi të kënaqur që i kemi fituar”.

“Mund të përmend Erald Krasniqin e Herenven, i cili bëri një paraqitje shumë të mirë dhe ishte një nga notat më pozitive këtyre miqësoreve. Vlen për të theksuar se ishin dy ndeshje të ndryshme nga njëra-tjetra. Në arritjen e detyrës funksionale të kësaj skuadre unë i quaj dy ndeshje që e kanë plotësuar objektivin. Jemi duke i monitoruar nga afër edhe lojtarët që luajnë në Shqipëri. Një nga lojtarët që ka bërë paraqitje shumë të mirë e që duhet të shërbejë si shembull për lojtarët e kampionatit shqiptar është Ermal Meta, i cili luan te Tirana dhe është një lojtar i fituar”.

“Ndërkohë që dy lojtarë të tjerë, njëri aktivizohet me moshat e Milanit dhe tjetri me moshat e Arsenalit, janë dy mbrojtës dhe për arsye të ndryshme nuk mundën të ishin në këto dy miqësore, por i kemi ndjekur dhe i ndjekim në vazhdimësi nga skautët e FSHF-së. Po ashtu edhe në Suedi kemi pikasur lojtarë të mirë, të cilët luajnë në klube elitare. Mendoj që jemi në kohën e duhur, ndryshe nga vitet e tjera, për të formuar ekipin Kombëtar U-19 dhe një ndihmesë të madhe na dhanë edhe këto dy ndeshje miqësore që kishim në dispozicion”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button